Auditorja e Përgjithshme zhvilloi vizitë në Gjykatën Evropiane të Auditorëve
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, me bashkëpunëtorë, zhvilluan vizitë pune në Gjykatën Evropiane të Auditorëve (GjEA), në Luksemburg.
Znj. Spanca dhe zyrtarët e ZKA-së, u pritën në takim nga zyrtarë të lartë të GjEA, ndërkaq në kuadër të vizitës u zhvillua një program i gjerë prezantimesh dhe diskutimesh mbi funksionimin e Gjykatës, rolin e saj në mbikëqyrjen e financave të Bashkimit Evropian (BE), si dhe sfidat në auditimin e projekteve të financuara nga BE.
Gjatë vizitës delegacioni i ZKA-së poashtu u njoh nga afër me punën e Dhomës III të GjEA, e cila mbulon fushat e veprimit të jashtëm, sigurisë dhe drejtësisë ku diskutimet u përqendruan në analizën kost-benefit, vlerësimin e rrezikut dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të projekteve të financuara nga BE-ja.
Në kuadër të vizitës, delegacioni zhvilloi gjithashtu një vizitë në Zyrën e Prokurorit Publik Evropian, ku u diskutua për bashkëpunimin institucional dhe mekanizmat për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Evropian.
