Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
7/6/2026 3:50:00 PM

ZKA fillon auditimin e Sistemit për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë

Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e teknologjisë së informacionit për Sistemin e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë, për periudhën 2025-2026.

Auditimi ka për qëllim të vlerësojë kontrollet e aplikacionit dhe sigurisë së aplikacionit për Sistemin e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës. Fushëveprimi i këtij auditimi do të jetë Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, përkatësisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), me qendrat komunale për regjistrimin e bizneseve, e cila është përgjegjëse për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e Sistemit të Regjistrimit të Bizneseve dhe divizioni përkatës për administrimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit.

Sistemi i Regjistrimit të Bizneseve ndikon në efikasitetin institucional duke mundësuar ofrimin e shërbimeve elektronike për qytetarët dhe bizneset, përfshirë krijimin e llogarisë, aplikimin për regjistrim të biznesit, si dhe paraqitjen e kërkesave për ndryshim dhe menaxhimin e të dhënave.

Sipas të dhënave të ARBK-së deri në vitin 2026 në Kosovë janë të regjistruara 265,992 biznese, prej të cilave 134,914 janë aktive, 93,532 pasive dhe 37,546 të çregjistruara. 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në konferencën “Mbështetja e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor”

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në konferencën “Mbështetja e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor”

Në kuadër të vizitës në Gjykatën Evropiane të Auditorëve në Luksemburg, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, me bashkëpunëtorë mori pjesë në konferencën e organizuar nga ky institucion me temën “Mbështetja e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor”.

Konferenca mblodhi përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe autoriteteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar mbi efektivitetin e instrumenteve kryesore financiare të BE-së që mbështesin zhvillimin dhe procesin e integrimit evropian të rajonit. 

Diskutimet u fokusuan në funksionimin e Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (Western Balkans Investment Framework – WBIF), si dhe në zbatimin e Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor (Reform and Growth Facility). Pjesëmarrësit trajtuan progresin e arritur, sfidat në zbatim dhe rëndësinë e forcimit të qeverisjes, transparencës dhe llogaridhënies për të siguruar përdorimin sa më efektiv të fondeve të Bashkimit Evropian.

Auditorja e Përgjithshme, duke vlerësuar lartë rëndësinë e kësaj konference dhe ndihmën evropiane për Ballkanin Perëndimor shpalosi para pjesëmarrësve rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në auditimin e projekteve të financuara nga BE, duke ofruar shembuj konkret të angazhimit të institucionit.

Konferenca ofroi gjithashtu një mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin e qasjeve të auditimit në vlerësimin e ndikimit të mbështetjes financiare të BE-së, duke krijuar një bazë të vlefshme për bashkëpunim dhe zhvillimin e auditimeve të ardhshme në këtë fushë.

Në kuadër të konferencës, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, zhvilloi takime të veçanta me anëtaren e Gjykatës Evropiane të Auditorëve, znj. Laima Andrikiene, si dhe me deputetin e Parlamentit Evropian, Thomas Waitz. 

Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme vizitoi Institucionin Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi

Auditorja e Përgjithshme vizitoi Institucionin Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Drejtori i Auditimit, Faruk Rrahmani dhe Administratorja e Bazës së të Dhënave, Kaltrina Sylejmani, të hënën vizituan Institucionin Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi, ku u pritën nga Presidenti i Senatit, Siniša Čađenović, anëtarët e Senatit dhe përfaqësues të tjerë të institucionit. 

Znj. Spanca uroi Presidentin e Senatit për emërimin e tij në këtë detyrë, duke theksuar se nën udhëheqjen e tij institucioni do të vazhdojë të forcojë rolin e tij në promovimin e transparencës, llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë. Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm ndërmjet dy Institucioneve Supreme të Auditimit si një mjet për shkëmbimin e njohurive dhe avancimin e praktikave profesionale. 

“Shkëmbimi i njohurive, përvojës dhe praktikave të mira na mundëson të përmirësojmë vazhdimisht punën tonë, të forcojmë kapacitetet tona institucionale dhe të përmbushim më mirë mandatin tonë kushtetues në shërbim të qytetarëve tanë”, deklaroi znj. Spanca. 

Znj. Spanca dhe z. Čađenović diskutuan për kornizën ligjore dhe institucionale të Institucioneve Supreme të Auditimit me theks të veçantë në pavarësinë institucionale dhe financiare. Po ashtu, palët shkëmbyen përvoja lidhur me metodologjitë e auditimit, sfidat dhe praktikat në realizimin e auditimeve të performancës dhe pajtueshmërisë.  

Pjesë e diskutimeve ishte edhe mbështetja teknologjike në procesin e auditimit, ku u prezantua përvoja në zbatimin praktik të Sistemit të Menaxhimit të Auditimit të ZKA-së (SITA) dhe roli i tij në rritjen e efikasitetit dhe cilësisë së proceseve të auditimit. 

Palët konfirmuan përkushtimin për të vazhduar bashkëpunimin profesional dhe shkëmbimin e praktikave të mira me qëllim të forcimit të auditimit publik dhe promovimin e qeverisjes së mirë.  

Lexo më shumë