Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
9/3/2026 2:17:00 PM

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në vizitën studimore në Autoritetin Kombëtar Italian Kundër Korrupsionit

Me 1 dhe 2 shtator 2026, Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, mori pjesë në vizitën studimore të delegacionit të Kosovës në Autoritetin Kombëtar Italian Kundër Korrupsionit (ANAC). Vizita kishte në fokus vlerësimin e rrezikut të korrupsionit në prokurimin publik dhe sistemet e paralajmërimit të hershëm. 

Vizita studimore pati për qëllim shkëmbimin e përvojave dhe njohurive praktike për vlerësimin e rrezikut të korrupsionit në prokurimin publik dhe zhvillimin e sistemit të paralajmërimit të hershëm. Delegacioni i Kosovës u informua për qasjen e ANAC-ut për parandalimin e korrupsionit dhe vlerësimin e bazuar në rrezik, identifikimin e sinjaleve paralajmëruese në prokurimin publik, si dhe përdorimin dhe integrimin e të dhënave për mbikëqyrjen dhe ndërhyrjet parandaluese. 

Në kuadër të agjendës dyditore, pjesëmarrësit diskutuan edhe për bazën kombëtare të të dhënave të kontratave publike, ndërveprueshmërinë e sistemeve, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe përdorimin e të dhënave të hapura në funksion të parandalimit të korrupsionit. 

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi se kjo vizitë përbën mundësi të rëndësishme për të përfituar nga ekspertiza dhe përvoja e konsoliduar e ANAC-ut, duke theksuar vlerën e saj për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve dhe efektivitetit në përmbushjen e mandatit institucional.

Vizita studimore u realizua nën organizimin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit dhe mbështetjen e UNDP-së në Kosovë. 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme: Forcimi i llogaridhënies dhe rritja e zbatimit të rekomandimeve duhet të jenë prioritet i institucioneve publike

Auditorja e Përgjithshme: Forcimi i llogaridhënies dhe rritja e zbatimit të rekomandimeve duhet të jenë prioritet i institucioneve publike

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të martën publikoi Raportin Vjetor të Auditimit (RVA) për vitin 2025, i cili përmbledh rezultatet e 131 auditimeve të realizuara gjatë sezonit auditues 2025/2026 dhe paraqet çështjet kryesore të identifikuara në menaxhimin e financave publike, pajtueshmërinë dhe performancën e institucioneve publike. Raporti, gjithashtu përmban rezultatet dhe opinionin e auditimit të “Raporti Vjetor Financiar i Buxhetit të Republikës së Kosovës” për vitin 2025. Në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor Raporti është dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. 

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025, ka dhënë opinion të kualifikuar. Çështjet kryesore të identifikuara në auditimet individuale të organizatave buxhetore të cilat janë reflektuar në Pasqyrat e Buxhetit të Shtetit dhe kanë ndikuar në kualifikimin e opinionit të auditimit janë: klasifikimi joadekuat i shpenzimeve në vlerë prej 77milionë euro, mbivlerësimi i pasurive në vlerë mbi 33milionë euro, mbivlerësim i detyrimeve kontingjente mbi 29 milionë euro, nënvlerësim i llogarive të arkëtueshme mbi katër milionë euro si dhe mbivlerësimi i detyrimeve të papaguara mbi dy milionë euro. 

Lidhur me mangësitë e identifikuara nga 131 auditime ZKA ka dhënë 1,032 rekomandime, prej të cilave 412 për nivelin lokal, 230 për nivelin qendror, 182 për ndërmarrjet publike, 169 për auditimet e performancës si dhe 39 për auditimet e pajtueshmërisë. Fushat me numrin më të madh të rekomandimeve lidhen me pasuritë, investimet kapitale, mallrat dhe shërbimet, llogaritë e arkëtueshme, të hyrat dhe pagat. 

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi se forcimi i llogaridhënies dhe rritja e zbatimit të rekomandimeve duhet të jenë ndër prioritetet e institucioneve publike. Ajo u bëri thirrje drejtuesve të institucioneve publike që të ndërmarrin masa konkrete dhe në kohë për adresimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të auditimit si dhe trajtimin e rasteve me dyshime potenciale për mashtrim.  

“Auditimi mund të identifikojë problemet dhe të tregojë se çfarë duhet përmirësuar, por ndryshimi real varet nga veprimet që ndërmerren pas auditimit. Inkurajoj Kuvendin e Republikës së Kosovës që rezultatet e auditimeve t’i përdorë në mënyrë më aktive për të forcuar mbikëqyrjen dhe llogaridhënien e institucioneve”, deklaroi znj. Spanca. 

RVA për vitin 2025 vë në pah se krahas progresit të shënuar në përmirësimin e cilësisë së raportimit financiar, prezantimin e të dhënave dhe forcimin e kontrolleve të brendshme, niveli i zbatimit të rekomandimeve mbetet i pamjaftueshëm dhe kërkon angazhim të mëtejshëm nga institucionet publike. Nga 766 rekomandime të vlerësuara nga viti 2024, 274 apo 36% ishin zbatuar, 61 apo 8% ishin zbatuar pjesërisht, ndërsa 431 apo 56% nuk ishin zbatuar. 

Raportin Vjetor të Auditimit (RVA) për vitin 2025 e gjeni këtu. 

Lexo më shumë
ZKA-ja mbajti tryezë diskutimi me shoqërinë civile për propozimin e temave të auditimeve të performancës dhe të pajtueshmërisë 2026/2027

ZKA-ja mbajti tryezë diskutimi me shoqërinë civile për propozimin e temave të auditimeve të performancës dhe të pajtueshmërisë 2026/2027

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të hënën organizoi tryezën e diskutimit “Propozim plani për auditimet e performancës dhe të pajtueshmërisë” për sezonin auditues 2026/2027. Përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile dhe shoqatave profesionale kontribuan duke propozuar tema për auditime të performancës dhe të pajtueshmërisë në fusha me interes publik dhe çështje me rendësi që mund të përfshihen në Planin Vjetor të Auditimit.  

Punimet e tryezës i hapi Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, duke theksuar  rëndësinë e bashkëpunimit me palët e interesit përmes së cilit synohet të sigurohet se auditimet e ZKA-së adresojnë çështje që kanë rëndësi për qytetarët dhe për menaxhimin e parasë publike.  ZKA ka për qëllim që në sezonin 2026/2027 të ketë një plan me tema prioritare, të auditueshme dhe me potencial të qartë për ndikim. 

“Për këtë arsye kemi vendosur që në procesin e konsultimit me shoqërinë civile dhe shoqatat profesionale të përfshijmë edhe diskutimin e temave për auditimet e pajtueshmërisë. Në përzgjedhjen e temave për sezonin 2026–2027, duhet të fokusohemi në shkaqet që qëndrojnë pas tyre, duke analizuar sistemet, proceset dhe faktorët institucionalë që ndikojnë në krijimin dhe përsëritjen e dobësive, prandaj në këtë drejtim kontributi i shoqërisë civile është i rëndësishëm”, deklaroi z. Halilaj. 

Temat preliminare të auditimit të performancës dhe të pajtueshmërisë për sezonin 2026/2027 të cilat mbulojnë fusha dhe çështje me interes për qytetarët u prezantuan nga Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina dhe Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Zukë Zuka. 

Përfaqësuesit e OShC-së ndanë propozimet dhe rekomandimet e tyre për fusha që prekin interesin publik, duke ofruar sugjerime të vlefshme për përfshirje në planifikimin e ZKA-së për sezonin e ardhshëm. Ata u fokusuan të auditimet që trajtojnë prokurimin, zhvillimin e qëndrueshëm, subvencionet në bujqësi, operimin e institucioneve publike në objekte me qira, kontraktimi i shërbimeve shëndetësore dhe sociale në komuna, funksionimin e pozitave me ushtrues detyre, planin e rritjes dhe zbatimin e reformave, subvencionimin e librave, memorandumet e bashkëfinancimit, hartat zonale në komuna etj. 

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj bëri mbylljen e tryezës duke prezantuar konkluzionet nga diskutimi si dhe falënderoi pjesëmarrësit për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë në identifikimin e temave të rëndësishme për auditime të performancës dhe të pajtueshmërisë. Ai tha se ZKA do t’i shqyrtojë propozimet nga ky diskutim të cilat do të jenë pjesë e procesit të prioritizimit të temave për sezonin 2026–2027.  

Lexo më shumë