Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca takoi Kryetaren e Kuvendit të Kosovës Albulena Haxhiu
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të martën u prit në takim nga Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila e përgëzoi për punën e saj dhe rizgjedhjen për një mandat të ri pesëvjeçar.
Kryeparlamentarja theksoi rëndësinë e raporteve të auditimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit si bazë për mbikëqyrjen parlamentare dhe tha se Kuvendi do t’u kërkojë institucioneve llogari për zbatimin e rekomandimeve të auditimit. “Adresimi i rekomandimeve të auditimit duhet të jetë prioritet i prioriteteve për institucionet publike”, theksoi ndër të tjera znj. Haxhiu.
Znj. Spanca rikonfirmoi përkushtimin e saj për të vazhduar punën në avancimin e cilësisë së auditimeve, forcimin e llogaridhënies dhe transparencës, si dhe rritjen e ndikimit të auditimit publik në përmirësimin e menaxhimit të parasë publike. Ajo theksoi se ruajtja dhe mbrojtja e pavarësisë institucionale dhe integritetit profesional të Zyrës Kombëtare të Auditimit do të jetë pjesë kyçe e vizionit të saj për 5 vitet e ardhshme.
Auditorja e Përgjithshme, i dorëzoi edhe personalisht Kryetares së Kuvendit Albulena Haxhiu, Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2025 dhe e njoftoi shkurtimisht për rezultatet thelbësore të auditimit të buxhetit të përgjithshëm të shtetit.
