Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
11/2/2026 6:13:00 PM

Zyra Kombëtare e Auditimit mbajti Konferencën Vjetore “Zhvillimi institucional dhe ndikimi i auditimit publik”

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të premten mbajti Konferencën Vjetore me temën “Zhvillimi institucional dhe ndikimi i auditimit publik”, me pjesëmarrjen e të gjithë stafit. Punimet e konferencës u zhvilluan në dy panele: “Strategjia, zhvillimi institucional dhe rritja e ndikimit të auditimit publik” dhe “Sezoni i auditimit 2025/2026: rezultatet dhe sfidat”, si dhe dy sesione interaktive lidhur me pikëpamjet e stafit për vizionin e ZKA-së  dhe për sfidat në punë.    

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në fjalën e hapjes së punimeve të konferencës tha se kjo është një mundësi e mirë për të vlerësuar të arriturat, sfidat dhe ambiciet e së ardhmes. Ajo u shpreh se rëndësia e punës së ZKA-së nuk matet vetëm me numrin e auditimeve apo rekomandimeve, por me ndikimin e saj dhe ndryshimin që nxit në menaxhimin e parasë publike. 

“Pas pesë vitesh pune të përbashkët, përkushtimi dhe zhvillimi institucional, po fillojmë një etapë të re, me përvojë më të madhe, përgjegjësi më të larta dhe pritje më ambicioze për ZKA-në. Kur shikojmë pas, kemi arsye të jemi krenarë për atë që kemi ndërtuar së bashku. Por sot nuk dua të ndalemi vetëm të arritjet. Dua të shikojmë përpara dhe të reflektojmë se si mund ta shndërrojmë përvojën në zhvillim, ekspertizën në cilësi dhe cilësinë në ndikim të prekshëm për institucionet publike dhe qytetarët”, deklaroi znj. Spanca. 

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj ka prezantuar në hollësi zhvillimet dhe rezultatet kryesore të arritura nga institucioni gjatë vitit 2026. Ai tha se ZKA-ja ka ndërtuar përvojë, ka zhvilluar kapacitete dhe ka dëshmuar se puna jonë mund të kontribuojë në përmirësimin e menaxhimit të financave publike. “Le ta vazhdojmë punën me besimin se mund të arrijmë rezultate edhe më të mira, por edhe me gatishmërinë për t'i pranuar dhe korrigjuar gjërat që duhet të përmirësohen”, deklaroi Halilaj. 

Në kuadër të paneleve u prezantuan rezultatet e ndikimit të auditimit dhe vlerësimi i zbatimit të rekomandimeve, zbatimi i planit strategjik 2023-2026 dhe orientimet strategjike për periudhën 2026-2029, zhvillimi i metodologjive dhe manualeve të auditimit: gjetjet dhe rekomandimet nga rishikimi kolegial i SIGMA, si dhe rezultatet e mbështetjes administrative në funksion të realizimit të objektivave të ZKA-së.

Në konferencë u nderuan me mirënjohje punonjësit që shënuan jubileun e 20-të dhe të 10-të të punës në ZKA, punonjësit që janë pensionuar gjatë këtij viti si dhe falënderimet për ish kolegët. 

Mbyllja e punimeve të konferencës u bë nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e cila falënderoi të pranishmit për punën, përkushtimin dhe profesionalizmin.  “Faleminderit për gjithçka që kemi arritur së bashku dhe për gatishmërinë për të vazhduar këtë rrugëtim më tutje. Unë do të vazhdoj të angazhohem për zhvillimin e kapaciteteve dhe krijimin e kushteve që ju të punoni me profesionalizëm, integritet dhe besim në vlerën e kontributit tuaj. Dua që secili prej jush të ndihet pjesë e zhvillimit të institucionit, të ketë mundësi të shprehë ide dhe të kontribuojë në përmirësimin e mënyrës sonë të punës”, theksoi znj. Spanca.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në konferencën ndërkombëtare KosovaPAR 2026

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në konferencën ndërkombëtare KosovaPAR 2026

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të enjten mori pjesë në konferencën ndërkombëtare PARKosova 2026 në kuadër të panelit të pestë me temën “Integriteti, parandalimi i korrupsionit, mbikëqyrja dhe besimi i publikut në administratën publike”. 

Në fjalën e saj, Auditorja e Përgjithshme foli për mekanizmat e integritetit institucional në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA), duke iu referuar vlerësimeve të jashtme për ZKA-në, ajo theksoi rezultatet e arritura në fushën e integritetit institucional, pavarësisë dhe cilësisë së auditimit, duke nënvizuar se ndikimi i auditimit varet edhe nga veprimet konkrete të institucioneve përgjegjëse. 

“Auditimi i jashtëm i pavarur përbën një garanci të rëndësishme për llogaridhënien publike, por ndikimi i tij varet nga gatishmëria e institucioneve publike për t'i adresuar gjetjet dhe për t'i zbatuar rekomandimet. Kornizat e forta të integritetit të brendshëm, mbikëqyrja efektive parlamentare dhe komunikimi transparent me qytetarët janë thelbësore që rezultatet e auditimit të shndërrohen në përmirësime konkrete të administratës publike”, tha znj. Spanca.

Lexo më shumë
ZKA: Sistemi i Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës ka nevojë për përmirësime të mëtejshme në kontrollet e aplikacionit dhe sigurinë e informacionit

ZKA: Sistemi i Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës ka nevojë për përmirësime të mëtejshme në kontrollet e aplikacionit dhe sigurinë e informacionit

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit për Sistemin e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (RBK), i cili përbën një komponent të rëndësishëm të infrastrukturës shtetërore për regjistrimin, administrimin dhe menaxhimin e të dhënave të bizneseve. Sistemi mundëson regjistrimin, ndryshimin dhe çregjistrimin e bizneseve dhe përmes integrimit me platformën e-Kosova mbështet avancimin e ofrimit të shërbimeve digjitale. 

Rezultatet e auditimit tregojnë se sistemi mbështet në masë të konsiderueshme proceset bazë, por ka nevojë për përmirësime në automatizimin e proceseve, kontrollet e aplikacionit dhe sigurinë e informacionit. 

Në kontrollet e hyrjes sistemi nuk siguron në tërësi validimin automatik të të dhënave dhe zbatimin e kërkesave ligjore e biznesore. Mungesa e disa kontrolleve të automatizuara, përfshirë kriteret për dallueshmërinë e emrit të biznesit, krijon nevojën për verifikime manuale dhe mund të ndikojë në efikasitetin dhe kohën e ofrimit të shërbimeve. 

Në kontrollet dalëse, auditimi ka evidentuar kufizime në raportim, analiza dhe statistika, si dhe në funksionalitetet për korrigjimin e lëndëve. Gjithashtu, proceset e regjistrimit, ndryshimit dhe çregjistrimit nuk janë plotësisht të digjitalizuara dhe vazhdojnë të mbështeten pjesërisht në dokumentacion fizik dhe procedura manuale, për shkak të kufizimeve ligjore, mungesës së disa funksionaliteteve dhe integrimeve ndërinstitucionale. 

Sa i përket sigurisë së aplikacionit, megjithëse janë në funksion masa teknike për menaxhimin e ndryshimeve dhe kopjet rezervë, mungojnë politika dhe procedura të formalizuara për menaxhimin e sigurisë dhe vazhdimësinë e shërbimeve. Dobësitë në menaxhimin e fjalëkalimeve, menaxhimin e ndryshimeve, ndarjen e roleve kritike dhe procedurat për rikthim nga fatkeqësitë paraqesin rreziqe për sigurinë dhe vazhdimësinë e shërbimeve. 

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se Sistemi i Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës ka kontribuar në standardizimin e proceseve, centralizimin e informatave dhe lehtësimin e ndërveprimit ndërmjet ARBK-së, komunave dhe qytetarëve, megjithatë kontrollet e implementuara nuk sigurojnë në tërësi nivelin e nevojshëm të automatizimit, validimit, raportimit dhe sigurisë së informacionit. 

Për adresimin e këtyre çështjeve dhe avancimin e mëtejshëm të funksionalitetit, automatizimit dhe sigurisë së Sistemit, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 16 rekomandime për Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, përkatësisht Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), e cila administron sistemin. 

Raportin e plotë të auditimit të teknologjisë së informacionit për Sistemin e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (RBK) e gjeni këtu.

Lexo më shumë