Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
4/28/2023 10:12:00 AM

Auditorja e Përgjithshme pret përfaqësuesin nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Norvegjisë

Me qëllim të shtrirjes së bashkëpunimit me zyrat kombëtare të auditimit në rajon dhe më gjerë, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj,  kanë pritur në takim Këshilltarin e Lartë të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Norvegjisë z. Trygve Christiansen. E para e institucionit informoi mbi historikun e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, mandatin, strukturën dhe mënyrën e veprimit, duke theksuar edhe bashkëpunimet në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Në këtë kontekst, z. Christiansen adresoi bashkëpunimet bilaterale që ka zyra e tij me institucionet e auditimit në rajonin ballkanik, me theks të veçantë në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore. Më tutje, tha se bashkëpunimet përqendrohen kryesisht në auditime për Teknologji Informative dhe auditime mjedisore. Ai foli gjerësisht mbi rëndësinë e këtyre dy shtyllave, kursit tre-modular në Ballkan si dhe të ashtuquajturës “Small Innovation Lab,” që hyn në sferën e TI-së dhe ka për qëllim ngritjen e nivelit të sistemit për menaxhim të auditimit duke trajtuar të dhëna dhe inputet analitike. Znj. Spanca lavdëroi iniciativa të tilla që promovojnë kreativitetin, synim ky që ndan edhe zyra jonë. Më tutje, ajo tha se Zyra e Auditimit nuk lë mënjanë as rëndësinë e auditimeve mjedisore duke qenë se jemi në pritje të aprovimit të aplikimit për IPA 3, ku njëra ndër objektivat është fusha që mbulon auditimet mjedisore. Në përmbyllje të takimit z. Christiansen, ka bërë me dije se Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Norvegjisë është e hapur të krijojë dhe mirëmbajë marrëdhënie pune me ZKA-në. Edhe përfaqësuesit e ZKA-së mirëpriten mundësinë për bashkëpunim në të ardhmen.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Vazhdon mbështetja e projektit të USAID-it “Integriteti i Komunave të Kosovës” për ZKA-në

Vazhdon mbështetja e projektit të USAID-it “Integriteti i Komunave të Kosovës” për ZKA-në

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka pritur në takim Ushtruesin e Detyrës së Drejtorit të Projektit të USAID –it “Integriteti i Komunave të Kosovës” z. Stephen Carpenter, me të cilin ka diskutuar për progresin e deritanishëm dhe planet për zbatimin e këtij projekti. Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Projektit të USAID –it “Integriteti i Komunave të Kosovës” z. Stephen Carpenter, ka rikonfirmuar përkrahjen dhe ka shprehur gatishmërinë që përmes këtij projekti të ndihmojë Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) në fusha të ndryshme, si atë të përcaktimit të auditimit të pajtueshmërisë bazuar në qasjen në rrezik, ngritjen e kapaciteteve audituese në fushën kundër mashtrimit, dhe bashkëpunimin me Njësinë Qendrore të Harmonizimit për auditim të brendshëm, etj. Të pranishëm në këtë takim kanë qenë edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina, si dhe nga USAID-i, Ruzhdi Zeqiri, udhëheqës i objektives së parë të projektit.
Lexo më shumë
Tre punonjës të ZKA-së shënojnë me sukses mbylljen e karrierës profesionale

Tre punonjës të ZKA-së shënojnë me sukses mbylljen e karrierës profesionale

Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Qerkin Morina, zyrtarja e lartë për bashkëpunim me Kuvend, Violeta Smajlaj dhe auditori senior, Senver Morina, kanë përfunduar me sukses dhe shëndet të plotë karrierën profesionale në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA). Në një ceremoni përshëndetëse, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca ka vlerësuar lartë kontributin e tyre përgjatë punës shumëvjeçare në ZKA. “Përgëzoj kolegët tanë që po e shënojnë me shëndet dhe sukses të plotë karrierën profesionale. Në emrin tim dhe në emër të të gjithë kolegëve nga ZKA-ja i falënderoj  për bashkëpunimin ndërkolegial dhe përkushtimin në punë në faza të ndryshme të zhvillimit të ZKA-së. Kontributi i tyre për institucionin është i pazëvendësueshëm”, është shprehur Auditorja e Përgjithshme. Përvoja dhe këshillat e tyre profesionale do t’u shërbejnë kolegëve edhe për një kohë të gjatë, ka theksuar ajo. Me këtë rast edhe kolegët e pensionuar, në fjalën e tyre kanë falënderuar kolegët për bashkëpunimin e deritanishëm, duke u shprehur se ndjehen krenar për kontributin që kanë dhënë për institucionin dhe vendin dhe që po e përfundojnë karrierën e tyre me një përvojë të jashtëzakonshme profesionale në ZKA.  
Lexo më shumë