Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
5/2/2023 3:35:51 PM

Ftesë për media: Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mban konferencë për media

Të nderuar përfaqësues të mediave, Ju ftojmë të ndiqni konferencën për media të Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca, me rastin e fillimit të publikimit të raporteve të auditimit për sezonin auditues 2022/23. Konferenca do të mbahet:

Të mërkurën, me datë 03.05.2023

në ora 10:30

në hotel Opera, Rr. Fehmi Agani, Prishtinë

Në këtë konferencë Auditorja e Përgjithshme do të prezantojë çështjet kryesore të paraqitura në tri raporte të auditimit të  performancës që publikohen po atë ditë, si dhe informata tjera lidhur me realizimin e planit të auditimit për sezonën audituese 2022/23. Zyrtarë të lartë të ZKA-së përgjegjës për tri auditimet në fjalë sipas interesimit tuaj do të paraqesin më në detaje gjetjet dhe rekomandimet që përmbajnë raportet:
  • “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës gjatë vitit 2021”;
  • “Mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga MINT/KIESA”; si dhe
  • “Sistemet e Informacionit në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal Prishtina”.
Ju mirëpresim!

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Një delegacion nga Institucioni Suprem i Auditimit të Malit të Zi ka qëndruar për vizitë dyditore në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës

Një delegacion nga Institucioni Suprem i Auditimit të Malit të Zi ka qëndruar për vizitë dyditore në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës

Kosova dhe Mali i Zi shkëmbejnë njohuritë dhe përvojën për digjitalizimin e punës audituese   Zyrtarët nga Departamenti i Metodologjisë dhe Teknologjisë së Informacionit të  Institucionit Suprem të Auditimit të Malit të Zi, Milos Vujosevic dhe Radenko Davidovic, kanë zhvilluar vizitë studimore në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës.

Ata janë pritur në takim nga Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Naser Arllati, specialistja e auditimit në Departamentin e Metodologjisë, Aida Podrimaj, specialistja e TI-së, Shqipe Azemi si dhe Kaltrina Sylejmani, Specialiste e TI-së.

Në kuadër të kësaj vizite delegacionet e të dyja institucioneve kanë shkëmbyer njohuritë dhe përvojën e tyre për digjitalizimin e punës audituese. Fillimisht përfaqësuesit e ZKA-së kanë prezantuar softuerin për menaxhimin e procesit të auditimit SITA, i cili është  zhvilluar me teknologji të lartë dhe shërben për të lehtësuar dhe modernizuar punën audituese.

Delegacioni nga Institucioni Suprem i Auditimit të Malit të Zi është njoftuar nga afër për të gjithë procesin e zhvillimit, sfidat e implementimit, si dhe planet për avancimin e mëtutjeshëm të sistemit SITA. Të pranishmit gjatë këtij prezantimi kanë pasur mundësinë të shohin edhe shembuj praktik sa i përket  funksionimit të këtij  sistemi të cilin e aplikon ZKA-ja. Mysafirët kanë vlerësuar lartë punën e ZKA-së sa i përket adaptimit të plotë të metodologjisë së re të auditimit të bazuar në standarde ndërkombëtare me softuerin si dhe kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në këtë fushë, duke e parë si shembull të mirë për të aplikuar edhe ata një sistem të tillë.

Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme i dorëzon Kuvendit Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2022

Auditorja e Përgjithshme i dorëzon Kuvendit Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2022

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, i ka dorëzuar Kuvendit të Republikës së Kosovës Raportin Vjetor të Performancës (RVP) për vitin 2022. Raporti paraqet informata për performancën e përgjithshme të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) karshi detyrimeve dhe mandatit ligjor, si dhe reflekton progresin e arritur dhe adresimin e sfidave përgjatë vitit.

Znj. Spanca në fjalën e saj ka theksuar se aktiviteti auditues është mbështetur në Planin Vjetor të Auditimit 2021/22, ku përveç auditimeve të detyrueshme të rregullsisë, fokus i veçantë i është dhënë auditimeve të performancës me interes për qytetarët dhe Kuvendin. “Angazhimi i ZKA-së, gjatë këtij viti është përqendruar gjithashtu në auditimet e institucioneve publike dhe ndërmarrjeve publike të cilat nuk ishin audituar një kohë të gjatë nga auditimi shtetëror siç janë: KEK-u, KOSTT-i, RTK-ja dhe projekte kapitale me peshë të lartë financiare. Marrë parasysh zhvillimin e hovshëm në fushën e teknologjisë së informacionit dhe nevojës për sigurinë e sistemeve të TI-së, ZKA-ja ka audituar sisteme të teknologjisë së informacionit me rëndësi shtetërore dhe strategjike”, ka deklaruar Auditorja e Përgjithshme.

Me qëllim të përmirësimit të menaxhimit të financave publike dhe shfrytëzimin e fondeve publike me efikasitet, efektivitet dhe arritjen e vlerës për para në vitin 2022 (që mbulojnë periudhën 2021) znj. Spanca ka treguar se ZKA-ja përmes raporteve të auditimit ka dhënë mbi një mijë rekomandime (1,030). Po ashtu është rritur efikasiteti dhe ruajtur konsistenca në auditim duke avancuar tutje metodologjinë e punës në funksion të digjitalizimit të procesit auditues.

Raporti përmban informata të rëndësishme edhe për sa i përket menaxhimit të burimeve financiare dhe njerëzore të ZKA-së, kontrollit të brendshëm dhe etikës. Bashkëpunimi me palët e interesit, posaçërisht me shoqërinë civile dhe qytetarët është avancuar, me qëllim të gjithëpërfshirjes dhe rritjes së transparencës lidhur me menaxhimin e parasë publike. Për të rritur përgjegjshmërinë në sektorin publik, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka theksuar se gjatë vitit 2022, janë dërguar 77 raste me elemente potenciale të veprave penale, mashtrimit dhe korrupsionit në Prokurori të Shtetit, si dhe janë ofruar informacione të kësaj natyre për organet e hetuesisë.

Tutje Auditorja e Përgjithshme, ka treguar se gjatë vitit 2022, ZKA-ja ka shënuar rezultate edhe sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar duke u  anëtarësuar në grupe të ndryshme profesionale në kuadër të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t. Po ashtu gjatë kësaj periudhe ZKA-ja ka marrë pjesë dhe është përfaqësuar në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Bashkëpunimi me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë ka vazhduar dhe aktivitete të shumta në fusha të ndryshme të zhvillimit institucional janë zhvilluar gjatë tërë vitit.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka ritheksuar përkushtimin e saj për të avansuar më tutje kompetencën profesionale të Zyrës Kombëtare të Auditimit, të ruaj pavarësinë institucionale, forcojë integritetin, transparencën dhe frymën ekipore me qëllimin e vetëm që t’i ofrojë Kuvendit dhe qytetarëve informacion objektiv dhe relevant për shpenzimin e parasë publike.  

Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2022 mund ta gjeni këtu.

Lexo më shumë