Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
5/12/2023 6:33:14 PM

Auditorja e Përgjithshme po qëndron për vizitë zyrtare në Itali

Përfitimet dhe metodologjitë e auditimit në kohë reale në fokus të takimit të liderëve të Institucioneve Supreme të Auditimit në Romë  Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi, të enjten në Romë kanë marrë pjesë në takimin e parë të grupit punues mbi përfitimet dhe metodologjitë e auditimit në kohë reale, i cili operon nën qëllimin e parë strategjik të EUROSAI-t. Presidenti i Gjykatës së Auditorëve të Italisë, Guido Carlino, në fjalën e tij përshëndetëse për të pranishmit, ka folur për rëndësinë e auditimeve në kohë reale sidomos në situata emergjente dhe rritjen e interesimit dhe domosdoshmërinë për kryerjen e këtyre auditimeve nga Institucionet Supreme të Auditimit. Z. Carlino ka vlerësuar kontributin e përfaqësuesve të Institucioneve Supreme të Auditimit në këtë grup duke u shprehur se aktivitetet e së ardhmes do të shërbejnë për të rritur edhe më shumë sigurinë në përdorimin dhe menaxhimin e parasë publike në kohë reale. Qëllimet e Grupit të Projektit më gjerësisht i ka prezantuar kryetari i Dhomës për Auditimin e Performancës në Menaxhimin e Administratave Shtetërore njëherësh drejtues i Zyrës së Çështjeve Ndërkombëtare të Gjykatës së Auditorëve të Italisë, Mauro Orefice. Ndërsa presidenti i Dhomës – Kryetari i Bordit për Auditimin në kohë reale, Massimiliano Minerva,  ka prezantuar një përmbledhje/pasqyrë të auditimit në kohë reale në Itali. Në kuadër të këtij takimi kontributin e tyre e kanë dhënë edhe liderët/përfaqësuesit nga Institucionet Supreme të Auditimit nga vende të ndryshme përmes diskutimeve dhe shkëmbimit të përvojave sa i përket  përfitimeve dhe metodologjive të auditimit në kohë reale. Spanca dhe Carlino flasin për rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional Në kuadër të vizitës në Itali, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, është pritur në takim të veçantë nga Presidenti i Gjykatës së Auditorëve të Italisë, Guido Carlino, i cili ka shprehur gatishmërinë e institucionit të tij për bashkëpunim ndërinstitucional përmes zhvillimit të aktiviteteve bilaterale, si dhe në kuadër të EUROSAI-t dhe INTOSAI-t. Znj. Spanca e ka falënderuar homologun e saj për pritjen si dhe ka mirëpritur bashkëpunimin në mes të dy institucioneve në fushat me interes të përbashkët. Me këtë rast ajo ka theksuar rëndësinë që ka bashkëpunimi bilateral me homologët italianë në zhvillimin e mëtejmë profesional të personelit auditues të ZKA-së si dhe rritjen e cilësisë së auditimeve. Auditorja e Përgjithshme takoi ambasadoren e Kosovës në Itali Po ashtu Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të premten është takuar edhe me ambasadoren e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasimi, të cilën e ka njoftuar për punën audituese, sfidat dhe rezultatet e auditimit. Me këtë rast ambasadorja Haxhitasimi ka falënderuar znj. Spanca për vizitën, si dhe ka përgëzuar për punën e deritanishme të Zyrës Kombëtare të Auditimit e cila kontribuon në menaxhimin më të mirë të parasë publike në shtetin e Kosovës.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja fillon publikimin e raporteve të auditimit për sezonën 2022/2023

ZKA-ja fillon publikimin e raporteve të auditimit për sezonën 2022/2023

Me rastin e fillimit të publikimit të raporteve të auditimit për sezonën 2022/2023, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të mërkurën ka mbajtur konferencë për media ku ka prezantuar gjetjet kryesore dhe rekomandimet për tri raportet e performancës: “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”; “Mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga MINT/KIESA”; si dhe “Sistemet e Informacionit në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal Prishtina”.

Znj. Spanca ka bërë me dije se rezultatet e auditimit për “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”, tregojnë se MMPHI-ja në vitin 2021 kishte kontraktuar me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë afër gjashtë milionë euro përmes 26 kontratave aneks. 13 prej tyre janë audituar dhe vlera e tyre është mbi 4 milionë euro apo afër 70% e vlerës së kontratave të lidhura me këtë procedurë. Ndërsa për katër prej këtyre projekteve, kosto shtesë e përllogaritur përtej vlerës së kontratave aneks është mbi 4.3 milionë euro.

Ky auditim ka vënë në pah se përdorimi i procedurës së negociuar, në rastet e lartcekura nuk ishte i arsyeshëm pasi që katër nga 13 kontratat aneks nuk mbulonin plotësisht kostot e projekteve në fjalë, prandaj MMPHI-ja në këto raste do të duhej që të shmangte përdorimin e procedurës së negociuar, dhe për këto katër projekte do të duhej të zbatonte procedurën e hapur. Po ashtu nga 13 kontrata për ndërtimin e rrugëve në 10 prej tyre nuk janë zbatuar afatet e përcaktuara dhe punët ende janë të pa përfunduara. Për të siguruar se projektet që inicion Ministria janë në përputhje me kushtet në terren, zbatohen plotësisht dhe pa sfida të mëdha si dhe përfundohen me kohë e cilësinë e kontraktuar, ZKA-ja ka dhënë 11 rekomandime, ka theksuar Auditorja e Përgjithshme.

Sa i përket auditimit “Mbështetja e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë /KIESA” që përfshin periudhën 2019-2022, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka theksuar se MINT-i/KIESA nuk kanë arritur efektet e duhura në përkrahjen dhe ngritjen e kapaciteteve të NVM-ve dhe Zonave Ekonomike. Po ashtu Zonat Ekonomike të themeluara nuk arrijnë t’i përmbushin nevojat e ndërmarrjeve në vend, duke i lënë investitorët të presin me vite për zgjerimin e hapësirave të biznesit dhe rritje të prodhimit dhe të punësimit.

Gjithashtu znj. Spanca ka deklaruar se MINT-i nuk ka zhvilluar strategji dhe politika për NMV dhe orientimin e tyre drejt transformimit dhe ngritjes së cilësisë dhe eksportit të produkteve të tyre drejt tregjeve të BE-së. Nga viti 2005 deri në dhjetor të vitit 2022 kur është realizuar procesi i auditimit janë të themeluara 10 Zona Ekonomike prej të cilave katër funksionojnë si: Parku i Biznesit në Drenas, Parku i Biznesit në Mitrovicë, Parku Teknologjik në Shtime, si dhe Parku Industrial në Suharekë. Me qëllim të rregullimit të sistemit të përkrahjes së NMV-ve dhe zhvillimin e Zonave Ekonomike, ZKA-ja ka dhënë një rekomandim për qeverinë dhe shtatë për MINT/KIESA. Kurse sa i përket auditimit të “Sistemeve të Informacionit në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal Prishtina“ i cili është zhvilluar si projekt paralel me Kontrollin e Lartë të Shtetit të Shqipërisë (KLSH), Auditorja e Përgjithshme ka thënë se KRU Prishtina nuk ka mjedis efektiv të kontrollit për të ruajtur integritetin dhe vazhdimësinë e sistemeve të TI-së, duke ndikuar kështu në mos arritjen e plotë të qëllimeve të ndërmarrjes dhe zbehur besueshmërinë e sistemeve të saj. Gjetjet e auditimit ndërlidhen me qeverisjen e teknologjisë së informacionit në KRU Prishtina, sigurinë e informacionit, vazhdimësinë e proceseve/sistemeve të TI-së, si dhe kontrollet e aplikacionit.

Për sa i përket qeverisjes se teknologjisë së informacionit në KRU Prishtina, ZKA-ja ka vërejtur se mungon planifikimi strategjik i TI-së,si dhe politikat dhe procedurat që e rregullojnë këtë fudshë. Ndërmarrja nuk ka të vendosur strukturë adekuate dhe të plotë organizative të TI-së, duke rrezikuar kështu mos përdorimin efektiv të burimeve për arritjen e objektivave. Në fushën e Sigurisë se Informacionit, mangësitë e identifikuar ndërlidhen me vlerësimin e rrezikut, politikat e sigurisë së informacionit, menaxhimin e aseteve, burimet njerëzore dhe sigurinë e TI-së, si dhe kontrollet e qasjeve.

Në aspektin e Kontrolleve të aplikacionit është vërejtur se në aplikacionet që përdorë Kompania kishte mungesë të kontrolleve të vlefshmërisë gjatë vendosjes së të dhënave. Me qëllim të adresimit të këtyre çështjeve të identifikuara ZKA-ja ka dhënë 18 rekomandime për Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit Prishtina. Më tutje Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, i ka njoftuar gazetarët edhe për zbatimin e Planit Vjetor të Auditimit për sezonin 2022/23 i cili ka paraparë realizimin e 134 auditime financiare, të pajtueshmërisë, performancës, prokurimit dhe Teknologjisë se Informacionit.

Znj. Spanca ka bërë me dije se aktualisht ZKA-ja është në proces të punës në teren dhe finalizimit të raporteve dhe gjatë këtij muaji do të publikohen dhjetëra sosh si: Ministria e Drejtësisë, Universiteti i Prishtinës, Komuna e Prishtinës, Komuna e Deçanit, Komuna e Vushtrrisë, Komuna e Ferizajt, Ndërmarrja Publike “Trainkos”, Ndërmarrja Publike “Uniteti” – Mitrovicë, “Ndikimi i investimeve kapitale në zvogëlimin e humbjeve të ujit dhe përmirësimin e shërbimeve në KRU”, “Efektiviteti dhe ekonomia në ndërtimin e shtëpive për të kthyerit (riatdhesimit)”, “Menaxhimi i Projekteve për Sistemet e Teknologjisë së Informacionit në Agjencia e Shoqërisë së Informacionit MPB” si dhe raporte të tjera për institucionet e pavarura, nivelit qendror dhe atij lokal.

Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme merr pjesë në Konferencën Shkencore të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi

Auditorja e Përgjithshme merr pjesë në Konferencën Shkencore të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka marrë pjesë në punimet e Konferencës Shkencore të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi e cila u mbajt me datë 15 maj 2023, në kuadër të shënimit të 19-vjetorit të themelimit të këtij institucioni. Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin përfaqësues të lartë nga Institucionet Supreme të Auditimit nga rajoni  dhe më gjerë. Kryetari i Senatit të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi, Nikolla N. Kovaçeviq, i ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrje si dhe kontributin e dhënë. Konferenca Shkencore i ka zhvilluar punimet në tri panele. Në panelin e parë është diskutuar lidhur me temën: “Auditimi i sektorit publik dhe stabiliteti fiskal”. Ndërsa në panelin e dytë është disktuar lidhur me temën: “Raportimi mbi rezultatet e auditimit”. Në kuadër të këtij paneli ka prezantuar specialistja e auditimit në Departamentin e Metodologjisë së Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, Aida Podrimaj. Kurse në panelin e tretë është diskutuar lidhur me temën: “Kontributi i auditimit të jashtëm në menaxhimin e qëndrueshëm të financave publike”. Me këtë rast, është mbajtur edhe ngjarja ceremoniale ku kanë marrë pjesë drejtuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit nga vende të ndryshme. Në këtë aktivitet fjalë përshëndetëse kanë mbajtur kryetar i Senatit të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi, Nikolla N. Kovaçeviq, si dhe znj. Bianca Breteche, zv shefe e programit të SIGMA. Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 19-të vjetorit të themelimit të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi, Presidenti Milo Dukanovic ka organizuar pritje të veçantë për krerët e Institucioneve Supreme të Auditimit pjesëmarrës në këtë ngjarje, në mesin e tyre edhe Auditorja e Përgjithshme znj. Spanca. Me këtë rast z. Ðukanovic ka vlerësuar lartë punën dhe angazhimin e institucioneve supreme të auditimit, rolin dhe kontributin e tyre për menaxhim të shëndoshë dhe të qëndrueshëm të parasë publike në vendet respektive. Auditorja e Përgjithshme, gjithashtu ka shfrytëzuar rastin që në këtë ngjarje të zhvilloj takime bilaterale me krerë të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve tjera pjesëmarrëse, me të cilët ka shkëmbyer përvojat dhe idetë për forcimin e rolit të auditimit të jashtëm në sektorin publik. Auditorja e Përgjithshme takoi ambasadoren e Kosovës në Mal të Zi Të martën, Auditorja e Përgjithshme është takuar edhe me ambasadoren e Kosovës në Mal të Zi, znj. Ariana Zherka Hoxha, me të cilën kanë biseduar për auditimin e jashtëm, forcimin e kontrollit dhe menaxhimit më të mirë të parasë publike në Kosovë. Në këtë vizitë, Auditorja e Përgjithshme është shoqëruar nga Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Emine Fazliu, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Zukë Zuka, si dhe specialistja e auditimit në Departamentin e Metodologjisë, Aida Podrimaj.
Lexo më shumë