Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
7/5/2023 6:51:01 PM

Auditori i Përgjithshëm: Menaxhimi jo i mirë i projekteve të teknologjisë së informacionit nga ASHI-ja, ka krijuar shpenzime të panevojshme dhe ka dëmtuar buxhetin

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit “Menaxhimi i Projekteve për Sistemet e Teknologjisë së Informacionit në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit”. Rezultatet e këtij auditimi tregojnë se Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI) nuk ka arritur të jetë efektive në realizimin e projekteve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për digjitalizimin e shërbimeve dhe lehtësimin në qasjen e tyre për institucionet shtetërore dhe qytetarët përmes platformave elektronike. Auditimi ka nxjerr në pah se menaxhmenti i ASHI-së nuk ka siguruar qeverisje të mirë të teknologjisë së informacionit, nuk ka bërë analizë të mjaftueshme për të identifikuar nevojat dhe zgjidhur problemet përmes projekteve të reja dhe me prioritet, ka mungesë të planit të menaxhimit të rrezikut, vonesa në zbatimin e projekteve, orientim jo të mirë të buxhetit si dhe është ekspozuar ndaj rrezikut me ndaljen e shërbimeve të internetit për institucionet e Republikës së Kosovës. Po ashtu në zhvillimin e projekteve Agjencia ka paguar rreth 506 mijë euro për shërbime dhe licenca të cilat nuk janë realizuar, por edhe të tilla që edhe pse janë blerë nuk janë shfrytëzuar. Për shkak të menaxhimit jo të mirë të kontratës, janë realizuar porosi për licenca të cilat nuk janë shfrytëzuar dhe kishin krijuar shpenzime në vlerën 440,973 euro. Për më tepër për numrin e licencave për universitete, në vitin 2020 ASHI-ja ka bërë porosi në vlerë prej 65 mijë euro sipas kërkesës së operatorit ekonomik dhe jo sipas nevojës së tyre. Gjithashtu, ASHI-ja nuk e ka trajtuar me kujdes sigurinë e informacionit, duke shkaktuar paqartësi në raste të klasifikimit të informacioneve dhe shpalosjen e tyre pa i vlerësuar dhe deklasifikuar ato paraprakisht; nuk ka specifikuar kërkesën për kufizimin e trafikut nga interkoneksionet rajonale të pasigurta për vendin; si dhe nuk ka zbatuar nënshkrimin e deklaratës së konfidencialitetit për të gjithë stafin e operatorëve ekonomik që kanë qasje në informacionin dhe infrastrukturën shtetërore të teknologjisë së informacionit. Lidhur me këtë auditim Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi  se  Agjencia e Shoqërisë së Informacionit nuk ka qenë efektive në menaxhimin e projekteve të teknologjisë së informacionit duke ndikuar në mosrealizimin e shërbimeve, në mostrajtimin e duhur të sigurisë së informacionit si dhe ka krijuar shpenzime të panevojshme dhe ka dëmtuar buxhetin. Me qëllim të përmirësimit të procesit të menaxhimit të projekteve të teknologjisë së informacionit, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 18 rekomandime për Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit. Raportin e plotë të auditimit të teknologjisë së informacionit “Menaxhimi i Projekteve për Sistemet e Teknologjisë së Informacionit në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit” e gjeni këtu.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme prezantoi rezultatet e auditimit për vitin 2022

Auditorja e Përgjithshme prezantoi rezultatet e auditimit për vitin 2022

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të martën mbajti konferencë për media, ku prezantoi gjetjet kryesore dhe rekomandimet për 97 raporte të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë dhe një raporti të auditimit të performancës.  Ajo tha se Plani Vjetor i Auditimit kishte paraparë 101 auditime të detyrueshme me ligj, 97 sosh përfunduan, ndërsa, edhe pse ishte iniciuar, procesi i auditimit në katër komunat veriore nuk është zhvilluar për shkak të rrethanave të krijuara. Znj. Spanca tha se nga 97 auditime, 51 u takojnë institucioneve qendrore, 34 institucioneve lokale, 12 ndërmarrjeve publike, përfshirë RTK-në si dhe KEK-un, i cili këtë vit është audituar për herë të parë në aspektin e Pasqyrave Financiare. Ndërsa, nga 18 auditimet e performancës, deri më tani janë kryer shtatë prej tyre, ndërsa 11 janë në proces. Po ashtu sipas Planit, edhe 11 projekte të donatorëve janë në proces të ekzekutimit të auditimit. Gjithashtu në proces janë edhe dy auditime të pajtueshmërisë për informacionet e klasifikuara në nivel të kufizuar, njëri në Ministrinë e Mbrojtjes dhe tjetri në Ministrinë e Drejtësisë. Para gazetarëve Auditorja e Përgjithshme prezantoi opinionet e auditimit për 97 institucione, prej të cilave 58 janë të pa modifikuara, ndërsa 39 janë të modifikuara. Në 51 raporte të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë që i përkasin  institucioneve qendrore janë dhënë 39 opinione të pamodifikuara, 12 opinione të modifikuara, përkatësisht të kualifikuara. Kurse në 34 komuna janë dhënë 16 opinione të modifikuara, përkatësisht të kualifikuara, si dhe 18 opinione të pa modifikuara. Ndërsa te 12 ndërmarrje publike janë dhënë 8 opinione të kualifikuara, 3 opinione të kundërta dhe 1 opinion i pamodifikuar për Pasqyrat Vjetore Financiare. Znj. Spanca ka deklaruar se krahasuar me vitin paraprak, cilësia e raportimit financiar është përmirësuar, si dhe ka ulje të numrit të opinioneve të modifikuara te 7 institucione qendrore dhe 6 komuna. Gjithashtu edhe të ndërmarrjet publike ka një përmirësim të opinionit, nga 10 të kundërta që ishin për vitin 2021, për 2022 janë 7 më pak, pavarësisht se pothuajse të gjitha kanë opinion të kualifikuar. “Më gëzon fakti se këtë vit, institucionet publike kanë bërë përmirësime në cilësinë e raportimit financiar sepse kjo e rrit besueshmërinë në Pasqyrat Financiare”, është shprehur znj. Spanca. Më tutje, ajo prezantoi çështjet më të theksuara të cilat kanë ndikuar në modifikimin e opinionit të auditimit si: Keq klasifikimet financiare në kategori të ndryshme ekonomike; Prezantim jo i saktë, jo i plotë dhe jo adekuat i pasurive publike; Mbivlerësimet apo nënvlerësimet e zërave të ndryshëm të pasqyrave financiare; Mos prezantimi dhe mos shpalosja adekuate e detyrimeve të papaguara dhe atyre kontingjente; si dhe Pagesa për punë të pa kryera apo mallra dhe shërbime të pa pranuara. Përveç dhënies së opinionit të auditimit për PVF-të, ZKA-ja ka vlerësuar edhe pajtueshmërinë e aktiviteteve dhe operacioneve të organizatave buxhetore dhe institucioneve tjera publike me kornizën ligjore në fuqi. Znj. Spanca ka treguar se rezultatet e auditimit nxorrën në pah se edhe më tutje ekzistojnë parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar dhe kontrollet. Parregullsitë janë të përhapura pothuajse në secilin cikël dhe fushë të shpenzimeve. Në fushën e prokurimit publik në auditimet e vitit 2022 janë identifikuar 198 gjetje që përfshijnë investimet kapitale dhe mallrat e shërbimet, kryesisht në ministri dhe komuna. Ndërsa sa i përket analizës së bërë për 12 ndërmarrje publike, përfshirë edhe RTK-në mbi rezultatin financiar (fitimi/humbja) vërehet se pesë prej tyre kanë operuar me humbje në vlerë mbi 10 milionë euro, ndërsa shtatë kanë realizuar një fitim mbi 110 milionë euro. Pjesën më të madhe të humbjeve për vitin 2022 e kishte Ndërmarrja Publike Banesore në shumën prej 4.3 milionë euro, e pasuar nga Telekomi i Kosovës në vlerë prej 3.8 milionë euro kurse fitimin më të madh e kishte realizuar KEK-u në shumën mbi 105 milionë euro. Sidoqoftë, krahasuar me vitin paraprak në 4 ndërmarrje publike vërehet një trend pozitiv në uljen e humbjeve nga të cilat kryeson Telekomi i Kosovës. Auditorja e Përgjithshme ka folur edhe për realizimin e planit për auditime të performancës, duke treguar se deri më tani janë publikuar gjashtë, si dhe raporti i auditimit “Menaxhimi i Projekteve për Sistemet e Teknologjisë së Informacionit në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit”,  i cili do të publikohet nesër. Ajo iu referua edhe fillimit të procesit nga Departamenti për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimit për analizimin e raporteve të publikuara të auditimit dhe identifikimin e rasteve të dyshimit për kryerjen e veprave penale, të cilat më pas do të dërgohen te Prokurori i Shtetit për trajtim të mëtutjeshëm. Për të përmirësuar menaxhimin financiar dhe kontrollin, ZKA-ja ka dhënë gjithsej 768 rekomandime përmes raporteve të auditimeve për vitin 2022, që krahasuar me vitin e kaluar janë 134 rekomandime më pak. Znj. Spanca ka treguar se rekomandimet kanë qëllim përmirësimin e proceseve, aktiviteteve dhe operacioneve të organizatave. Kjo padyshim se do të ndikojë në përmirësimin e përgjithshëm të menaxhimit më të mirë të parasë publike dhe cilësisë së shërbimeve të ofruara. Me këtë rast Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, rekomandoi drejtuesit e institucioneve publike të ndërmarrin veprime konkrete që paraja publike të shpenzohet në përputhje me kornizën ligjore dhe për qëllimin e synuar.  Më tutje, ajo kërkoi që brenda afatit ligjor, organizatat buxhetore të përgatisin planet e veprimit për zbatimin e rekomandimeve të ZKA-së.
Lexo më shumë
Auditorët e ZKA-së ndjekin modulin e tretë të trajnimit për auditimin e performancës

Auditorët e ZKA-së ndjekin modulin e tretë të trajnimit për auditimin e performancës

Auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Mimozë Selimi, Ernes Beka, Vjosa Zeqiraj, Lirak Mulliqi dhe Laureta Matoshi ndoqën modulin e tretë të trajnimit për auditimin e performancës, organizuar në Vlorë nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë. Trajnimi i takoi nivelit regjional, me pjesëmarrje edhe të auditorëve nga Institucionet Supreme të Auditimit të Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, ndërsa përqendrimi ishte të zhvillimi i punës praktike, shkëmbimi i përvojës me auditorët e shteteve pjesëmarrëse dhe aplikimi i teknikave më të mira të bazuara në standardet ndërkombëtare të auditimit. Në kuadër të modulit të tretë të trajnimit, pjesëmarrësit punuan në finalizimin e memove parastudimore ku u trajtuan aspektet e dizajnit të auditimit dhe metodat për mbledhjen e të dhënave. Trajnimi për auditimin e performancës është i ndarë në gjashtë module, për t’u mbajtur deri në fund të vitit 2023.  
Lexo më shumë