Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
8/3/2023 3:12:12 PM

Mangësitë në menaxhimin e proceseve të teknologjisë së informacionit rrezikojnë qëndrueshmërinë dhe integritetin e platformës E-Prokurimi

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemi elektronik i prokurimit publik e-prokurimi” për periudhën 1 janar 2017 - 30 qershor 2023. Rezultatet e auditimit tregojnë se E-Prokurimi ka ndihmuar në rritjen e efikasitetit, efektivitetit dhe transparencën e zhvillimit të aktiviteteve të prokurimit publik, mirëpo ka mangësi në proceset e teknologjisë së informacionit që ndikojnë në ruajtjen e vazhdueshme të qëndrueshmërisë dhe integritetit të këtij sistemi. Ky auditim ka vë në pah se në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) nuk ka ndarje të duhur të detyrave të zyrtarëve të TI-së, prandaj kryerja e detyrave kyçe për funksionimin e sistemit bëhet nga operatorët ekonomik të jashtëm, duke rrezikuar që të krijohet varësi ndaj palëve të treta. Po ashtu, KRPP nuk është mjaftueshëm efikas ndaj menaxhimit të problemeve në sistem, për rrjedhojë mund të rrezikojë që t’i zbatojë të gjitha detyrat, përgjegjësitë dhe të arrijë objektivat, si dhe rrezikon vazhdimësinë e operimit të këtij sistemi. Gjithashtu kontrollet hyrëse dhe siguria e E-Prokurimit kanë nevojë për zhvillim të mëtejshëm. Në modulet e këtij sistemi nuk ishin të vendosura kontrollet apo kufizimet e nevojshme si dhe ndërlidhjet me sistemet bazë të Republikës së Kosovës, për parandalimin e procedimit të të dhënave të pasakta, e në veçanti të dhënat e përdoruesve. Po ashtu politikat për siguri të informacionit nuk ishin të plota. Llogaritë e pavlefshme nuk identifikoheshin që të pasivizohen, ndërsa fjalëkalimet ndryshohen rrallë nga përdoruesit. Për hapjen e llogarive në këtë sistem janë përdor email-e privat, madje i njëjti email është përdorur për hapjen e më shumë se një llogarie duke ekspozuar kredencialet e përdoruesve tek personat tjerë. Rezultatet e auditimit tregojnë se rreth 50% e përdoruesve nuk u janë përmbajtur kushteve dhe termave për përdorimin e E-Prokurimit si dhe udhëzimeve administrative për llogaritë elektronike zyrtare. Llogaritë elektronike si dhe aktivitetet që realizoheshin nga këto llogari nuk janë monitoruar nga autoritetet kontraktuese që e kanë obligim mirëmbajtjen e përdoruesve të tyre dhe as nga KRPP-ja si pronare e kësaj platforme. Hapja e panevojshme e llogarive të përdoruesve, mungesa e mbylljes së përdoruesve pasiv si dhe mungesa e monitorimit të llogarive të përdoruesve ndër të tjera dobësojnë punën e platformës së prokurimit elektronik, rrisin rrezikun e kërcënimeve të sigurisë së informacionit si dhe mundësinë e keqpërdorimit të llogarive për aktivitete jashtë rregullave të prokurimit publik. Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi  se procesi i auditimit ka identifikuar mangësi në menaxhimin e proceseve të teknologjisë së informacionit që ndikojnë në ruajtjen e vazhdueshme të qëndrueshmërisë dhe integritetit të Sistemit elektronik të prokurimit publik E-Prokurimi. Prandaj znj. Spanca, rekomandon forcimin e kontrolleve në këtë sistem. Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 13 rekomandime për Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik me qëllim të përmirësimit të mbështetjes së vazhdueshme të procesit të prokurimit publik si dhe ruajtës së integritetit të sistemit E-Prokurimi. Raportin e plotë të auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemi elektronik i prokurimit publik e-prokurimi” e gjeni këtu.  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja dhe SHKÇAK-ja me marrëveshje bashkëpunimi për trajnime profesionale

ZKA-ja dhe SHKÇAK-ja me marrëveshje bashkëpunimi për trajnime profesionale

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) dhe Shoqata e Kontabilisteve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (SHKÇAK) lidhën marrëveshje të bashkëpunimit për trajnime profesionale, nënshkruar të mërkurën nga Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca dhe Drejtoresha Ekzekutive e SHKÇAK-ut Ardiana Bunjaku. Kjo marrëveshje përcakton kushtet, të drejtat dhe detyrimet lidhur me shërbimet profesionale ofruar nga Shoqata për zyrtarët e ZKA-së, me objektiven e përcaktimit të orëve të trajnimit, kushtet e pjesëmarrjes në trajnime në kuadër të edukimit të vazhdueshëm profesional (EVP) si dhe të drejtat  e zyrtarëve në këtë Shoqatë. Sipas marrëveshjes së arritur në kuadër të EVP-ve, zyrtarët tanë do të vijojnë 10 orë trajnime brenda vitit kalendarik, në tema të caktuara në fushën e standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare të kontabilitetit si dhe auditimit në sektorin publik. Trajnimet organizohen gjatë muajit shtator. Sa i përket literaturës dhe cilësisë së trajnimeve, palët u pajtuan që materiali i trajnimeve të përditësohet sipas ndryshimeve dhe plotësimeve përkatëse të standardeve profesionale apo legjislacionit në fuqi në Kosovë, dhe që trajnimet e Shoqatës të mbahen nga trajnues me kompetencë të lartë profesionale. Pjesëmarrësit e trajnimeve do të pajisen me dëshminë përkatëse të vërtetimit për pjesëmarrje në trajnimin përkatës. Për qëllime të përditësimit dhe profesionalizimit të zyrtarëve të ZKA-së, kjo e fundit do të përfitojë nga marrëveshja edhe të drejtën e të informuarit përmes Shoqatës mbi risitë dhe zhvillimet e fundit profesionale në nivel global, të drejtën në qasje në forumin dhe rrjetet e tjera të Shoqatës, pajisjen e zyrtarëve tanë me dëshmi për pjesëmarrje në EVP dhe thirrje profesionale në Shoqatë, statusin e tyre si anëtarë të asociuar në pajtim dhe nën kushtet e përcaktuara me Vendimin nr. 09/2023 të datës 23.05.2023 të Bordit të Shoqatës, si dhe publikimin e listës së zyrtarëve sipas thirrjeve përkatëse (çertifikimet në sektorin publik dhe privat) në ueb faqen e Shoqatës tek seksioni i Auditorëve nga ZKA. Marrëveshjen e plotë në mes të ZKA-së dhe SHKÇAK-së për trajnime profesionale e gjeni këtu.
Lexo më shumë
ZKA-ja: Mangësitë në menaxhimin e investimeve kapitale në sektorin e ujërave kanë rezultuar me dështime në zvogëlimin e humbjeve dhe përdorimin efektiv të tarifave të qytetarëve

ZKA-ja: Mangësitë në menaxhimin e investimeve kapitale në sektorin e ujërave kanë rezultuar me dështime në zvogëlimin e humbjeve dhe përdorimin efektiv të tarifave të qytetarëve

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Ndikimi i investimeve kapitale në zvogëlimin e humbjeve të ujit dhe zgjerimin e shërbimeve të ujit tek qytetarët nga KRU-të” për periudhën 2019-2021. Auditimi ka konstatuar se procesi i planifikimit, realizimit dhe monitorimit të investimeve kapitale nga Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit (KRU-të) dhe Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) nuk është menaxhuar mirë duke ndikuar që objektivat e synuara të mos arrihen me kohë dhe në mënyrë të duhur. Planifikimi i investimeve kapitale nga KRU-të është përcjell me disa mangësi si: mungesa e Planit të Menaxhimit të Aseteve dhe Planit Afatgjatë të Investimeve; mungesa e arsyeshmërisë së qëndrueshme të investimeve; mungesa e prioritizimit të projekteve; si dhe mos harmonizimi i Biznes Planit Rregullator  dhe Planit të Biznesit. Rezultatet e auditimit tregojnë se humbjet e ujit janë evidente dhe rezultojnë me humbje financiare. Problemi i humbjeve të ujit për shkaqe teknike dhe kyçjeve ilegale si dhe vlerat e ujit të pa faturuar mbeten ende sfidë. Edhe pse kishte një zvogëlim të lehtë të humbjes së ujit, humbja mesatare e ujit gjatë vitit 2021 ishte 55%. Dështimi i realizimit të projekteve të planifikuara dhe mos adresimi i humbjeve të ujit dhe ripërtrirjes së infrastrukturës, ka ndikuar që tarifat e qytetarëve për investimet kapitale të mos përdoren në mënyrën e duhur. Çështje kritike mbetet monitorimi joadekuat i investimeve kapitale në Kompanitë Rajonale të Ujit, duke paraqitur rreziqe në menaxhimin dhe realizimin e projekteve. Njëkohësisht edhe zgjerimi me shërbime të ujit dhe trajtimi i ujërave të ndotura nëpër zonat e shërbimit nga KRU-të vazhdon të përcillet me probleme dhe me një performancë të dobët dhe për këtë qytetarët në zona të caktuara nuk marrin shërbime të ujit. Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi se veprime konkrete duhet të ndërmerren nga Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit dhe Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit për përmirësimin e procesit të planifikimit, realizimit dhe monitorimit të investimeve kapitale. Znj. Spanca deklaroi se mungesa e planifikimit të bazuar në nevoja dhe arsyetim të detajuar, ka rezultuar me mangësi në prioritizimin e investimeve në sektorin e ujërave dhe për pasojë ka pasur vonesa dhe dështime në realizimin e projekteve si dhe shfrytëzim joefektiv të tarifave të qytetarëve. Me qëllim të përmirësimit të procesit të planifikimit, realizimit dhe monitorimit të investimeve kapitale, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 16 rekomandime, prej tyre 11 për Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit, katër për Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit, si dhe një rekomandim për Ministrinë e Ekonomisë. Raportin e plotë të auditimit të performancës “Ndikimi i investimeve kapitale në zvogëlimin e humbjeve të ujit dhe zgjerimin e shërbimeve të ujit tek qytetarët nga KRU-të” e gjeni këtu.
Lexo më shumë