Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
9/13/2023 7:04:58 PM

Auditorja e Përgjithshme fton institucionet përgjegjëse që të forcojnë masat për të parandaluar dhe luftuar dhunën në familje

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në bashkëpunim me  Zyrën e UN Women në Kosovë mbajtën tryezë pune ku u prezantuan rezultatet e auditimit të performancës “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje”. Qëllimi i kësaj tryeze përveç shpalosjes rezultateve të auditimit ishte edhe t’i mbledhë së bashku edhe palët përgjegjëse për zbatimin e rekomandimeve. Në këtë rast, Auditorja e Përgjithshme znj. Vlora Spanca, Ministrja e Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu, Avokati i Popullit z. Naim Qelaj dhe udhëheqësja e UN Women në Kosovë znj. Vlora Nushi përveç që vlerësuan lartë rezultatet e auditimit shprehen domosdoshmërinë e marrjes së masave për zbatimin e rekomandimeve të auditimit. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se dhuna në familje nuk njeh kufij, prandaj duhet krijuar dhe fuqizuar mekanizmat që parandalojnë dhe luftojnë këtë dukuri. Si rezultat i këtij auditimi vërehet se institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë një sërë veprimesh për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, megjithatë nuk janë arritur rezultate të kënaqshme për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave. “Lufta kundër dhunës në familje nuk është thjesht një detyrë, por një përgjegjësi morale. Bashkë mund të bëjmë më shumë duke krijuar një shoqëri ku dëgjohen zërat e të pambrojturve, të përmirësojmë situatën për viktimat e dhunës në familje dhe të krijojmë një shoqëri më të sigurt dhe të drejtë për të gjithë”, deklaroi znj. Spanca. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, shprehu mirënjohjen dhe respektin për punën audituese duke theksuar se mirëpret raportin si të parin e këtij lloji në vend nga Zyra Kombëtare e Auditorit. Më tej ministrja Haxhiu ka përmendur disa nga nismat, dhe rezultatet e arritura nga Ministria e Drejtësisë, siç janë, hartimi i Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022-2026, hartimi i Protokollit Shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunimeve seksuale; miratimi i Kurrikulës mbi zhvillimin e Programeve për Kryesit e Dhunës në Familje dhe Dhunës ndaj Grave; miratimi i Projektligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit; miratimi i Projektligjit për Ndihmë Juridike Falas, Plotësim/ndryshimi i Kodit Penal dhe miratimi i  ndryshimeve të bëra në Kodin e Procedurës Penale; fuqizimi institucional e financiar i strehimoreve, në mbi 100% më shumë se në vitet e kaluara, dhe një sërë nismash të tjera të cilat gradualisht po ngritën në kuadër të standardeve të asaj që njihet si Konventa e Stambollit. Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se edhe përkundër përpjekjeve shumë vjeçare të institucioneve, përkundër angazhimit dhe masave të ndërmarra, rastet e dhunës në familje janë shtuar. Ai theksoi se kjo mund të merret edhe si rezultat i vetëdijesimit dhe raportimit të rasteve, por kjo nuk e eviton faktin se dhuna në familje është shumë prezente në shoqërinë tonë. Kjo shton nevojën që institucionet dhe në përgjithësi si shoqëri, të reagojmë dhe të marrim të gjitha masat për të luftuar këtë dukuri. Shefja e Zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Nushi, tha se buxhetimi i përgjegjshëm gjinor dhe rritja e efikasitetit institucional në trajtimin e rasteve të dhunës në familje janë dy anë të së njëjtës medalje. “Ne si UN Women, e shohim si vendimtare përfshirjen dhe intensifikimin e buxhetimit gjinor në çdo aspekt, meqë vetëm në këtë mënyrë investimi në përmirësimin e jetës së grave është më i qëndrueshëm. Jemi të lumtur që kemi pasur mundësinë të ofrojmë asistencë teknike në këtë raport brenda kornizës së programit ‘Financimi transformativ për Barazi Gjinore drejt një qeverisjeje më Transparente, Gjithëpërfshirëse dhe Llogaridhënëse në Ballkanin Perëndimor’ i cili implementohet në nivel rajonal dhe financohet nga Agjencia Suedeze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida)”, theksoi Nushi. Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, në përmbyllje të tryezës theksoi se “është detyrim kushtetues i shtetit që të sigurojë të drejtën e qytetarëve për jetë, prandaj puna e përbashkët e drejtuesve institucional sjellë më shumë rezultate në luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje”.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja dhe IKAF-i me marrëveshje bashkëpunimi për të përkrahur zhvillimin e kapaciteteve dhe aftësive profesionale të stafit të ZKA-së

ZKA-ja dhe IKAF-i me marrëveshje bashkëpunimi për të përkrahur zhvillimin e kapaciteteve dhe aftësive profesionale të stafit të ZKA-së

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Kontabilitet, Auditim dhe Financa (IKAF), Bujar Krasniqi nënshkruan marrëveshje të bashkëpunimit me qëllim të përkrahjes se ZKA-së për zhvillimin e kapaciteteve dhe aftësive profesionale të stafit. Programi i zhvillimit profesional do të ofrohet në përputhje me standardet ndërkombëtarë për institucionet supreme të auditimit dhe synon të mbulojë fusha  të caktuara që ndërlidhën me rolin dhe funksionin e ZKA-së. Palët u pajtuan që në kuadër të këtij bashkëpunimi të mbulohen edhe aktivitete të tjera zhvillimore që synojnë zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale të ZKA-së në përputhje me standardet më larta. Marrëveshja është nënshkruar si vazhdimësi e bashkëpunimit të mëhershëm të ZKA-së dhe IKAF-it, ndërsa, vlen për tu theksuar se, sipas marrëveshjes, IKAF-i do t’i ofrojë ZKA-së falas 12 orë të edukimit të vazhdueshëm profesional. Auditorja e Përgjithshme, znj. Vlora Spanca, falënderoi drejtuesit e IKAF-it për ofrimin e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe mbështetjen profesionale ndaj auditorëve të ZKA-së, në veçanti për ofrimin e shërbimeve të trajnimeve pa pagesë. “Avancimi i njohurive dhe praktikave te reja të auditimit përmes mundësive për  edukim do ta  forcojnë edhe më shumë cilësinë e punës dhe do të jenë vlerë e shtuar për ZKA-në”, theksoi znj. Spanca. Drejtori Ekzekutiv i IKAF-it, z. Bujar Krasniqi theksoi se “kjo marrëveshje synon të rrisë standardet profesionale në auditim, përmes trajnimeve të vazhdueshme të edukimit profesional, seminareve dhe aktiviteteve të tjera të përbashkëta dhe bazohet në Moton e INTOSAI-t ‘Të gjithë përfitojnë nga përvoja e përbashkët’”. Marrëveshjen e plotë për trajnime profesionale mund t’a gjeni këtu.
Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca: Lufta ndaj korrupsionit përbën obligim moral për çdonjërin nga ne për mirëqenien e gjithë qytetarëve tanë

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca: Lufta ndaj korrupsionit përbën obligim moral për çdonjërin nga ne për mirëqenien e gjithë qytetarëve tanë

Parandalimi dhe luftimi i korrupsionit kërkon bashkëpunim dhe koordinim efikas dhe efektiv në mes të institucioneve të mandatuara për luftimin e kësaj dukurie, u tha nga të pranishmit në punëtorinë treditore, organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në bashkëpunim me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim (UNODC) me temën “Rritja e Bashkëpunimit ndërmjet Institucioneve Supreme të Auditimit dhe organeve kundër korrupsionit në Kosovë”.

Punëtoria interaktive ngjalli diskutime dhe debate nga pjesëmarrësit e pranishëm, deputetë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, përfaqësues nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim (UNODC), Prokuroria e Shtetit, Zyra Kombëtare e Auditimit, Policia e Kosovës, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit si dhe nga institucione të tjera. “Pesha e punëtorisë me synimin e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet ZKA-së dhe organeve kundër korrupsionit me qëllimin e përbashkët të ngritjes së kapaciteteve për trajtimin e korrupsionit, është e madhe duke qenë se asnjë institucion si i vetëm, nuk mund t’i bëjë ballë dhe të triumfojë mbi këtë dukuri,” tha Auditorja e Përgjithshme zonja Vlora Spanca.  

Sikurse në çdo vend të botës, edhe në Kosovë, korrupsioni cenon parimet e demokracisë dhe shtetin e së drejtës, duke penguar rritjen e ekonomisë dhe cilësinë e ofrimit të shërbimeve. Porse, transparenca dhe llogaridhënia janë parimet bazë mbi të cilat mund të ndërtojmë një shoqëri pa korrupsion, përfundimisht duke ndikuar kësisoj në ngritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë, tha ajo. Duke qenë dëshmitare e efekteve të dëmshme të korrupsionit në financat publike, qeverisjen dhe mirëqenien e qytetarëve. Znj. Spanca tha se lufta kundër korrupsionit nuk përbën veçse një betejë ligjore apo rregullative, por është edhe obligim moral i çdonjërit nga ne për mirëqenien e gjithë qytetarëve tanë.

Përmes auditimeve, ZKA-ja vazhdon të kontribuoj në të siguruarit se institucionet publike mbahen përgjegjëse për veprimet e tyre sepse auditimet dhe rekomandimet e nxjerra ndihmojnë në zbulimin dhe parandalimin e praktikave korruptive, mbrojtjen e burimeve publike dhe promovimin e transparencës, llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë. Në përmbyllje të punëtorisë përfaqësuesit e institucioneve pjesëmarrëse nxorën disa konkluzione dhe rekomandime lidhur me veprimet që duhet të ndërmerren për qëllim të ngritjes së bashkëpunimi dhe ndikimit në realizimin e mandatit të përbashkët që është parandalimi dhe luftimi i korrupsionit.

Lexo më shumë