Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
11/7/2023 9:39:00 AM

ZKA-ja planifikon kryerjen e 123 auditimeve për sezonin auditues 2023/2024

Në përputhje me mandatin ligjor Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) dorëzoi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP), Planin Vjetor të Auditimit për sezonin 2023/2024.

Plani adreson përmbushjen e obligimeve kushtetuese e ligjore si dhe përmban informatat relevante në lidhje me auditimet e përzgjedhura nga Auditorja e Përgjithshme, përfshirë projektet, aktivitetet, afatet, burimet e nevojshme, buxhetin, rezultatet dhe rreziqet me të cilat mund të ballafaqohet ZKA-ja.

Për sezonin auditues  2023/24, ZKA-ja planifikon kryerjen e 123 auditimeve, prej tyre 85 auditime për organizatat buxhetore, 8 projekte të financuara nga fondet e jashtme, 13 ndërmarrje publike,  16 auditime të performancës, si dhe Raportin Vjetor të Auditimit.

Përveç auditimeve të detyrueshme të rregullsisë të përcaktuara me ligj, fokus i veçantë i është dhënë edhe auditimit të ndërmarrjeve publike me interes të veçantë si dhe projekteve kapitale me peshë të lartë financiare.

Ndërsa auditimet e performancës mbulojnë fusha me rëndësi ekonomike, sociale, shëndetësore, arsimore, mediale, kulturore e sportive, si dhe tema të rëndësishme në prokurim publik. Përzgjedhja e temave të performancës është bërë më kontributin e shoqërisë civile, organizatave profesionale, komunitetit të donatorëve dhe ekspertëve të fushave, si dhe bazuar në vlerësimin e ndikimit në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe  përmirësimin e qeverisjes.

Planin Vjetor të Auditimit për sezonin auditues 2023/24 e gjeni këtu. 

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në Simpoziumin e EUROSAI-t në Lisbonë

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në Simpoziumin e EUROSAI-t në Lisbonë

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës znj. Vlora Spanca, dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, z. Bezad Halilaj, me 30 dhe 31 tetor 2023 morën pjesë në Simpoziumin Ndërkombëtar për Çështjet e Shfaqura, organizuar nga Gjykata e Auditorëve të Portugalisë në partneritet me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Mbretërisë së Bashkuar dhe nën kujdesin e Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI).

Tema e debatuar nga Institucionet Supreme të Auditimit iu referua përshtatjeve dhe rregullimeve që këto institucione duhet bërë në veprimtarinë e tyre, duke pasur parasysh edhe ndryshimet ekonomiko-financiare në funksionimin e shteteve.

Sesionet u fokusuan në mënyrën se si mjedisi ekonomik në ndryshim po ndikon në shpenzimet publike, duke parë kostot e rritura të huamarrjes, kostot e inflacionit, ndryshimet demografike dhe praktikat e mira në qëndrueshmërinë financiare.

Rreth 50 përfaqësues nga 23 Institucione Supreme të Auditimit të vendeve evropiane, Gjykata Evropiane e Auditorëve dhe Gjykata e Auditorëve të Bashkimit të Brazilit, e cila aktualisht kryeson Organizatën Botërore të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) ishin të vëmendshëm ndaj fjalëve të ekspertëve nga organizatat kombëtare dhe ato ndërkombëtare, si OECD dhe Këshilli i Financave Publike, paraqitën shembuj specifik dhe debatuan për çështje të ndryshme që lidhen me ndryshimet dhe krizat e shpejta të cilave iu është nënshtruar bota.

Konkluzioni i këtij simpoziumi ishte se Institucionet Supreme të Auditimit për të ruajtur rëndësinë e tyre si akterë thelbësorë për mirëqeverisjen e burimeve publike duhet të jenë të hapura nga jashtë dhe të ndjeshme ndaj tendencave dhe zhvillimeve në sektorin publik dhe menaxhimin e tij.

Po ashtu u theksua se ndarja e praktikave të mira ndihmon Institucionet Supreme të Auditimit  për të përmirësuar ndikimin e tyre në menaxhimin publik të çdo shteti.

 

Lexo më shumë
ZKA-ja dhe OSBE-ja angazhohen për vendosjen e mekanizmave mbikëqyrës në komuna për të rritur ndikimin e auditimit

ZKA-ja dhe OSBE-ja angazhohen për vendosjen e mekanizmave mbikëqyrës në komuna për të rritur ndikimin e auditimit

Në kuadër të aktiviteteve për mbështetjen e komunave, Zyra Kombëtare e Auditimit dhe OSBE-ja mbajtën punëtori dyditore ku trajtuan çështjet që ndikuan në opinionin financiar të auditimit, përkatësisht gjetjet kryesore të raporteve të auditimit për komunat për vitin 2022 si dhe sfidat kryesore për zbatimin e rekomandimeve.

Në këtë punëtori ZKA-ja u përfaqësua nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, z. Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorët e Përgjithshëm, z. Zukë Zuka dhe z. Agron Fetiu, si dhe drejtori i Departamentit të Auditimit për Komuna, z. Lavdim Maxhuni. Ndërsa OSBE-ja nga z. Fatmir Zylfija, Kordinator i projektit, kurse komunat nga drejtorët e auditimit dhe zyrtarët kryesorë financiar.

Përveç dhënies së kontributit në diskutime, përfaqësuesit e ZKA-së prezantuan edhe gjetjet kryesore të raporteve individuale për vitin 2022. Të pranishmit theksuan nevojën për rritjen e përgjegjësisë në kryerjen e detyrave zyrtare, rritjen e kontrollit të brendshëm si dhe forcimin e masave të llogaridhënies në të gjitha nivelet komunale.

Punëtoria u vlerësua e dobishme në dhënien e këshillave dhe mundësisë për përmirësim gjatë përgatitjes së Pasqyrave Financiare Vjetore për vitin 2023.

 

Lexo më shumë