Auditimi i përbashkët i performancës “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës” për periudhën 2019-2023 realizohet në kuadër të marrëveshjes trepalëshe në mes të Institucioneve Supreme të Auditimit të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, me mbështetjen e UN Women.
Qëllimi i auditimit është vlerësimi i efektivitetit dhe ndikimit të politikave, programeve dhe masave që synojnë promovimin e përfshirjes së grave nga zonat rurale në tregun e punës, me fokus në rritjen e pjesëmarrjes së tyre dhe identifikimin e mundësive për përmirësim.
Ky auditim fokusohet në vlerësimin e Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural (PBZHR), përmes së cilit Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) hartoi disa politika favorizuese apo masa afirmative me qëllim të fuqizimit të grave në bizneset bujqësore – rurale.
Ndonëse në kuadër të zbatimit të Programit, Ministria i kushtoi rëndësi aspektit gjinor përmes masave afirmative/favorizuese për gratë, numri i grave që përfituan ishte më i ulët se sa ai i burrave dhe kjo diferencë është rritur ndër vite.