Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
12/14/2023 9:51:00 AM

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës dhe Auditorja e Përgjithshme e Suedisë nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së bashkëpunimit bilateral edhe për një vit

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, e shoqëruar nga grupi i menaxhmentit po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Suedi, në Zyrën Kombëtare të Auditimit. Në kuadër të kësaj vizite znj. Spanca ka zhvilluar takime me Auditoren e Përgjithshme të Suedisë, Helena Lindberg dhe zyrtarë të lartë të këtij institucioni. 

Në vazhdën e bashkëpunimit të frytshëm shumëvjeçar në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit e Suedisë (ZKAS) dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës (ZKAK), të mërkurën,  Auditorja e Përgjithshme e Suedisë, Helena Lindberg dhe Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, kanë nënshkruar marrëveshjen për zgjatjen e memorandumit “Bashkëpunimi për Zhvillim Institucional me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës 2020-2023” edhe për një vit përkatësisht nga 1 janar 2024 deri më 31 dhjetor 2024. Palët janë pajtuar që të gjitha dispozitat e tjera të Memorandumit të Mirëkuptimit mbeten të pandryshuara, në fuqi dhe të zbatueshme në plotësi. 

Memorandumi i bashkëpunimit “Bashkëpunimi për Zhvillim Institucional me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës 2020-2023” kishte për synim të mbështesë Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës për të përvetësuar standardet e përditësuara dhe parimet e INTOSAI-t (IFPP) nëpërmjet dy objektivave: forcimin e proceseve të brendshme organizative në ZKA, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve për të kryer auditime të performancës me cilësi të lartë, në mënyrë që ato të jenë sa më të dobishme për palët e interesit. Aktivitete me interes lidhur me arritjen e objektivave të lartpërmendura do të zhvillohen gjatë vitit 2024. 

Gjatë kësaj vizite janë zhvilluar takime pune lidhur me udhëheqjen si dhe mjetet dhe teknikat e udhëheqjes në arritjen e qëllimeve strategjike. Komunikimi i brendshëm, puna ekipore, burimet dhe parakushtet për menaxhim ishin tema me fokus të veçantë. Po ashtu, janë zhvilluar takime bilaterale në mes palëve  dhe  është diskutuar për bashkëpunimin në të ardhmen, identifikimin e nevojave të ZKA-së për mbështetje dhe planifikimi i aktiviteteve për vitin 2024 në kuadër të vazhdimit të projektit në mes të dy institucioneve. 

Përveç takimeve me kolegët nga Zyra Kombëtare e Audimit të Suedisë, Auditorja e Përgjithshme me bashkëpunëtorë kanë takuar edhe ambasadoren e Kosovës në Suedi, Shkendije Geci Sherifi e cila ishte e ftuar nderi me rastin e nënshkrimit të zgjatjes së bashkëpunimit në mes të ZKAS dhe ZKAK. 

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, në këtë vizatë po shoqërohet nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorët e Përgjithshëm, Emine Fazliu, Naser Arllati, Zukë Zuka, Myrvete Gashi; Drejtori i Përgjithshëm, Safet Berisha; drejtori i Departamentit të Cilësisë, Fitim Haliti, drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qëndresa Mulaj, shefja e kabinetit Shqipe Cavdarbasha, si dhe Syzana Maloku nga Njësia e Përkthimit.

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Sqarim për opinionin publik lidhur me raportin “Auditimi jofinanciar nga ZKA: Ndërhyrje në Sistemin e Drejtësisë” i publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi

Sqarim për opinionin publik lidhur me raportin “Auditimi jofinanciar nga ZKA: Ndërhyrje në Sistemin e Drejtësisë” i publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) përmes këtij sqarimi njofton opinionin publik se janë të paqëndrueshme pretendimet e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) lidhur me kompetencat e ZKA-së në kryerjen e auditimit “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje”. Sipas raportit të IKD-së, me ketë auditim, ZKA ka ndërhyrë në pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial.

Ju rikujtojmë se në gusht të këtij viti, ZKA ka publikuar raportin në fjalë të auditimit të performancës i cili është trajtuar nga IKD. Objektivë e këtij auditimi ishte vlerësimi nëse institucionet përgjegjëse ndërmarrin aktivitetet e duhura për trajtimin efektiv të rasteve të dhunës në familje. Ndër institucionet përgjegjëse, në këtë auditim janë përfshirë edhe prokuroria themelore dhe gjykatat themelore.

Raporti i IKD-së bazohet në një interpretim substancialisht të kufizuar të kornizës ligjore dhe të pabazuar në ndonjë vlerësim profesional të mbështetur në standarde që rregullojnë këtë fushë. ZKA-ja në komunikim me shkrim i është përgjigjur IKD-së, se nuk ka audituar performancën profesionale të gjykatave dhe prokurorive, respektivisht performancën e prokurorëve dhe gjyqtarëve që merren me rastet e dhunës në familje, siç pretendohet.


Mandati dhe kompetencat e Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit janë të rregulluara qartë me nenet 136, 137 dhe 138 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjin 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit. Auditori i Përgjithshëm ushtron mandatin e vet kushtetues dhe ligjor në pajtim edhe me Standardet Ndërkombëtare për Institucionet Supreme të Auditimit (SNISA).
Duke ju referuar mandatit kushtetues dhe ligjor, Auditorja e Përgjithshme siguron opinionin publik se auditimi “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje” është kryer në përputhje të plotë më Kushtetutën, aktet tjera ligjore të aplikueshme, standardet ndërkombëtare të auditimit dhe praktikat më të mira të vendeve më të zhvilluara.


Standardet Ndërkombëtare si INTOSAI-P1 Deklarata e Limës, neni 18. 3 dhe INTOSAI -P10 Deklarata e Meksikës, parimi 3, janë baza kryesore të cilave ZKA ju referohet dhe e mbështet punën e saj.  Edhe sipas tyre, kompetencat dhe përgjegjësitë e auditimit për Auditorin e Përgjithshëm janë shumë më të gjera se sa vetëm financiar, siç interpretohet në disa paragrafë të këtij raporti. Përtej kësaj, konteksti i termit “financiar” është shumëfish më gjithëpërfshirës se sa ai që i është dhënë përmes vlerësimeve të prezantuara në raport dhe se auditimi i kryer është gjithsesi i ndërlidhur me menaxhim financiar të parasë publike.
Rolin e Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) e konfirmojnë edhe dy (2) rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, (Rezoluta A/66/209 dhe Rezoluta A/69/228) të emëruara “Promovimi dhe fuqizimi i efiçiencës, përgjegjshmërisë, efektivitetit dhe transparencës së administratës publike, nëpërmjet forcimit të institucioneve supreme të auditimit”.


ZKA-ja për opinionin publik thekson se çdo element i performancës së institucioneve publike është i ndërlidhur me menaxhimin e drejtë dhe efikas të fondeve buxhetore të ndara për përmbushjen e detyrave zyrtare. Në baza vjetore, nga buxheti i shtetit ndahen për KGJK-në dhe KPK-në më shumë se 50 milionë euro. Planifikimi i mirë dhe përdorimi i drejtë i këtyre fondeve për qëllimet e caktuara ndikon në efektivitetin, efikasitetin dhe ekonomicitetin e proceseve të cilat janë edhe parimet kryesore të vlerësimeve të auditimit të performancës.
E theksojmë se auditime të tilla, ZKA ka kryer edhe më parë. Vlen të përmendet auditimi “Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në gjykata” i kryer në vitin 2017, si dhe auditimin “Sistemi për menaxhimin informativ të lëndëve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës”, i kryer në vitin 2021.


Praktika të tilla dhe auditime të ngjashme kryhen edhe nga institucione supreme të auditimit nga vende të ndryshme, disa prej të cilave janë: Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë, Zyra Kombëtare e Auditimit e Mbretërisë së Bashkuar, Zyra Qeveritare e Llogaridhënies së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, institucionet supreme të auditimit të Skocisë, Letonisë, Uellsit, etj.
ZKA, vlerëson se raporti i auditimit “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje”,  nxjerr në pah çështje të rëndësishme dhe më interes të lartë publik, të cilat duhet të trajtohen me kujdes dhe mund t’ju shërbejnë institucioneve përgjegjëse për të rritur efikasitetin dhe efektivitetin e tyre në trajtimin dhe procedimin e këtyre rasteve.


Pavarësisht pretendimeve për të interpretuar mandatin dhe kompetencat e institucionit, ZKA-ja mbetet e përkushtuar për avancimin e bashkëpunimit të mirë me palët e jashtme të interesit, në veçanti me mediat dhe Shoqërinë Civile duke respektuar punën dhe angazhimin e tyre të pavarur.

 

Lexo më shumë
Përfaqësuesit e ZKA-së me vizitë studimore në Zyrën Kombëtare të Auditimit në Estoni

Përfaqësuesit e ZKA-së me vizitë studimore në Zyrën Kombëtare të Auditimit në Estoni

Mimoza Damoni-Beqa, Selami Ibishi, Kaltrina Sylejmani dhe Kushtrim Biqkaj nga Departamenti i Teknologjisë së Informacionit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës me datat 12 dhe 13 dhjetor 2023 ishin për vizitë studimore në Zyrën Kombëtare të Auditimit në Estoni. 

Gjatë qëndrimit në Tallin, përfaqësuesit e ZKA-së së Kosovës dhe ata të ZKA-së së Estonisë shkëmbyen njohuritë dhe përvojat në fushën e teknologjisë së informacionit dhe mjeteve digjitale mbështetëse në procesin e auditimit. Në kuadër të vizitës dyditore ata diskutuan edhe për Strategjinë e Analizës së të Dhënave në Zyrën Kombëtare të Auditimit në Estoni me ç’rast u prezantuan shembuj të Projekteve të Analizës së të Dhënave.   

Gjatë vizitës studimore, përfaqësuesit e ZKA-së vizituan edhe Qendrën për Informim e-Estonia, ku patën mundësi të shohin prezantimin me temën “Hyrja në e-Estonia – pamje brenda shtetit digjital”, përmes së cilit u informuan për udhëtimin digjital të Estonisë: mekanizmat bazë të përfshirë në digjitalizimin e shoqërisë, pasqyrimin e sfidave kryesore dhe politikave, kuptimin e infrastrukturës, zgjidhjeve dhe shërbimeve digjitale.

Lexo më shumë