Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
2/13/2024 5:53:00 PM

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm konfirmon përkushtimin e ZKA-së në forcimin e transparencës dhe llogaridhënies në prokurimin publik

Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional për forcimin e transparencës në prokurimin publik të martën u mbajt tryeza “Forcimi i transparencës në prokurimin publik” e organizuar nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) në bashkëpunim me Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) dhe aktivitetin e USAID-it për Integritet të Komunave të Kosovës. 

Tryeza bëri bashkë përfaqësues nga Qeveria, KRPP, AIP, Organi Shqyrtues i Prokurimit, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Zyra Kombëtare e Auditimit, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës si dhe përfaqësues nga odat e biznesit dhe shoqëria civile.

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, foli për rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në adresimin e sfidave për proceset tenderuese në realizimin e qasjes në dokumente publike, duke shtuar se fokusi kryesor i auditimit mbetet te transparenca në prokurimin publik meqë është pjesa më e ndjeshme ndaj korrupsionit dhe se në vështrim të përgjithshëm prokurimi shihet si proces ku zyrtarët publik mund të keqpërdorin autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore.

“Në kuadër të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore, ZKA përmbush misionin e vet, ku përmes rekomandimeve të auditimit, mundëson që prokurimi publik të jetë proces transparent dhe llogaridhënës duke ofruar mallra, shërbime dhe investime sa më ekonomike dhe cilësore”, theksoi Halilaj.

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme priti në takim Rektorin e Universitetit të Prishtinës

Auditorja e Përgjithshme priti në takim Rektorin e Universitetit të Prishtinës

Në vazhdën e bashkëpunimit ndërinstitucional, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca, e shoqëruar nga Ndihmës Auditoret e Përgjithshme, Emine Fazliu dhe Myrvete Gashi, si dhe drejtori i Departamentit për Planifikim Strategjik, Analiza dhe Raportim, Ramadan Gashi, priti në takim Rektorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Qerim Qerimi dhe kryesuesin e Këshillit Drejtues të UP-së, Altin Sahiti. 

Duke iu referuar rolit dhe punës së Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), znj. Spanca foli mbi rëndësinë e bashkëpunimit me universitetet publike me qëllim të ngritjes së kapaciteteve dhe aftësimit profesional. Ajo theksoi edhe nevojën e përfshirjes së akademisë në rritjen e cilësisë së auditimeve, në veçanti angazhimin e ekspertëve për fusha të veçanta të cilat mbulohen me auditime të performancës.  

Z. Qerimi foli mbi përgjegjësitë dhe realizimin e detyrave të institucionit që drejton dhe vlerësoi lartë punën e ZKA-së. Znj. Spanca dhe z. Qerimi u dakorduan për avancimin e bashkëpunimit në fusha specifike me interes të përbashkët përmes nënshkrimit të një memorandumi të bashkëpunimit në të ardhmen e afërt.

 

Lexo më shumë
Ndihmës Auditorja e Përgjithshme në takim virtual për buxhetimin dhe auditimin gjinor organizuar nga Banka Botërore

Ndihmës Auditorja e Përgjithshme në takim virtual për buxhetimin dhe auditimin gjinor organizuar nga Banka Botërore

Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina, mori pjesë në takimin virtual për buxhetimin dhe auditimin gjinor të organizuar nga Banka Botërore me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë nga Iniciativa Zhvillimore e INTOSAI, ekspertë nga UN WOMEN, PEFA si dhe Banka Botërore. 

Pjesëmarrësit ndan perspektivat e tyre sa i përket zotimeve të qeverive për të avancuar buxhetimin e përgjegjshëm gjinor dhe barazinë gjinore, si dhe rolit të Institucioneve Supreme të Auditimit  për të kontribuar në cilësinë e angazhimit të qeverisë duke ofruar siguri dhe udhëheqje shembullore.

Në adresimin e saj, zonja Gashi Morina tha se buxhetimi gjinor nuk është thjesht çështje e ndarjes fiskale, por mjet i fuqishëm për promovimin e drejtësisë sociale dhe nxitjen e zhvillimit gjithëpërfshirës. Ajo prezantoi përvojën e institucionit tonë sa i përket auditimeve për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave si dhe shpalosi rezultatet dhe rekomandimet e auditimit “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje,” fokusuar në procesin e trajtimit të rasteve të raportuara të dhunës në familje, që nga momenti i raportimit në polici e deri te përcjellja e rasteve në gjykata.

Znj. Gashi po ashtu tregoi që ZKA-ja është në fazën finale të hartimit të raportit të auditimit për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës, auditim ky paralel i kryer me Institucionin Suprem të Auditimit të Maqedonisë së Veriut dhe Institucionin Suprem të Auditimit të Shqipërisë. Objektivë e këtij auditimi është vlerësimi i efektivitetit dhe ndikimit të politikave, programeve dhe masave që synojnë nxitjen e përfshirjes së grave nga zonat rurale në tregun e punës, me fokus rritjen e pjesëmarrjes së tyre dhe identifikimin e mundësive për përmirësim.

 

 

Lexo më shumë