Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
2/28/2024 10:45:00 AM

ZKA: Cilësia e raportimit të performancës komunale nuk është në nivelin e duhur

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Mekanizmat e sigurimit të cilësisë së të dhënave të raportuara për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale dhe Grantin e Performancës Komunale për vitin 2021”. Subjekt i këtij auditimi kanë qenë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), komuna e Gjakovës, Klinës dhe Vitisë.

Rezultatet e auditimit tregojnë se pavarësisht progresit dhe masave të ndërmarra nga komunat për organizimin e brendshëm në deklarimin e performancës komunale, mekanizmat e kontrollit për sigurimin e cilësisë për të dhënat e raportuara nuk ishin funksionale, për shkak të mos evidentimit të komunikimit të zyrtarëve përgjegjës, mos aprovimit  të të dhënave nga kryetarët përkatës, si dhe mos shpërndarjes proporcionale të detyrave në mes zyrtarëve raportues.

Procesi i auditimit identifikoi mungesë të komunikimit dhe koordinimit efektiv në mes zyrtarëve raportues, koordinatorëve komunalë dhe kryetarëve të komunave, gjë që ka ndikuar që deklarimi i performancës komunale të mos jetë i bazuar në të dhëna të kontrolluara dhe të verifikuara.

Po ashtu mungesa e verifikimit fizik në terren nga MAPL-ja gjatë kohës së vlerësimit të performancës komunale dhe Grantit të Performancës Komunale (GPK) ka bërë që  të mos jenë efektivë mekanizmat e vendosur për të siguruar cilësi në raportimin e të dhënave të performancës komunale. Madje ka pasur edhe mosrespektim të vendimeve për komisionet për vlerësimin e procesit të Sistemit për Menaxhimin e Performancës Komunale (SMPK) dhe kjo rrezikon transparencën dhe besueshmërinë e proceseve të vlerësimit.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca rekomandoi marrjen e  masave të menjëhershme për të adresuar çështjet e identifikuara nga procesi i auditimit në mënyrë që në të ardhmen të sigurohet menaxhim më efikas dhe më transparent i performancës komunale.

Me qëllim të përmirësimit të gjithë procesit, ZKA-ja përmes këtij raporti ka dhënë 11 rekomandime, tetë për Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal si dhe tri për komunën e Gjakovës, Klinës dhe Vitisë.

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Mekanizmat e sigurimit të cilësisë së të dhënave të raportuara për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale dhe Grantin e Performancës Komunale për vitin 2021”  e gjeni këtu.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme priti në takim Udhëheqësen e Ekipit të  Qeverisjes së Mirë të Zyrës së BE-së në Kosovë

Auditorja e Përgjithshme priti në takim Udhëheqësen e Ekipit të Qeverisjes së Mirë të Zyrës së BE-së në Kosovë

Përgjatë takimit të mbajtur me znj. Laura Fallavollita, Udhëheqëse e Ekipit të  Qeverisjes së Mirë të Zyrës në kuadër të projektit Reforma në Administratën Publike/ Menaxhimi i Financave Publike në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, shoqëruar nga Burbuqe Kelmendi, Menaxhere Projekti/Koordinatore Binjakëzimi nga e njëjta zyrë, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca foli mbi rolin, përgjegjësitë dhe detyrat e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës.

Më tutje, ajo njoftoi mbi mandatin kushtetues dhe ligjor, auditimet mandatore dhe ato të performancës që mbulojnë fusha me interes për qytetarët, bashkëpunimin me palët e interesit, projektet e bashkëpunimit, si dhe avancimin ndër vite të ZKA-së.

Znj. Fallavollita falënderoi znj. Spanca për mikpritjen si dhe e përgëzoi për arritjet e institucionit dhe për rolin e ZKA-së në përmirësimin e menaxhimit të financave publike në Kosovë. Më tej, është konfirmuar edhe gatishmëria për vazhdimin e  bashkëpunimit me qasje të koordinuar të politikave në fushat që mbulon ekipi nga Zyra e BE-së, me theks të veçantë projektet mbështetëse për ZKA-në në të ardhmen.   

Lexo më shumë
Barometri Ballkanik rendit ZKA-në si institucionin më të besuar në nivel rajonal

Barometri Ballkanik rendit ZKA-në si institucionin më të besuar në nivel rajonal

Këshilli për Bashkëpunim Rajonal publikoi Barometrin Ballkanik për vitin 2023 ku janë prezantuar të dhënat nga hulumtimi i opinionit publik për qëndrimet e qytetarëve dhe bizneseve të vendeve të rajonit për çështjet socio-ekonomike dhe shoqërore që ndikojnë në jetën e tyre të përditshme si dhe nivelin e besueshmërisë në institucionet publike dhe pavarësinë e tyre.

Indikatori matës për nivelin e besueshmërisë në institucionet publike tregon se Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës gëzon besimin më të lartë në nivel rajonal, me 55% krahasuar me Institucionet Supreme të  Auditimit të vendeve të tjera të rajonit.

Barometri Ballkanik po ashtu tregon se 54% e qytetarëve të Republikës së Kosovës e perceptojnë Zyrën Kombëtare të Auditimit si institucion të pavarur nga ndikimi.  

Gjithashtu Barometri Ballkanik mati edhe perceptimin e qytetarëve në aspektin se sa institucionet publike përgjegjëse mbikëqyrin në mënyrë efektive punën e qeverive. Edhe në këtë aspekt, ZKA-ja mori notë pozitive ku 57% të të anketuarve në Kosovë besojnë se ZKA-ja dhe Institucioni i Avokatit të Popullit mbikëqyrin në mënyrë efektive qeverinë.

Ky vlerësim përbën edhe një dëshmi të punës profesionale, të pavarur dhe transparente të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës.

 

Lexo më shumë