Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
3/15/2024 1:05:00 PM

Sqarim për opinionin lidhur me deklaratën e deputetit Rashit Qalaj për raportin e auditimit “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) përmes këtij sqarimi njofton opinionin publik se janë të paqëndrueshme deklarimet e deputetit Rashit Qalaj në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës të datës 14.03.2024 për pretendimet në ndërhyrjen në punën audituese të Zyrës Kombëtare të Auditimit për raportin e auditimit “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”.

ZKA-ja sqaron se siç kërkohet me nenin 20 dhe nenin 7 të Ligjit Nr. 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, raporti përfundimtar për këtë auditim i është dorëzuar Kuvendit të Kosovës dhe subjektit nën auditim, në këtë rast Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në formë fizike dhe elektronike, me 2 maj 2023. Raporti i përcjellur në Kuvend dhe në Ministri përmban çështjet që ndërlidhen me konfliktin e interesit të cituara nga deputeti Qalaj dhe i njëjti është publik në uebfaqen e ZKA-së që nga 3 maj 2023.  

Shtypja e raporteve të auditimit, kryesisht atyre të performancës, bëhet për nevoja të punës dhe përdorim më të lehtë gjatë diskutimit. Këto raporte ndahen edhe me Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike sipas agjendës së shqyrtimit të tyre. Me të pranuar ftesën nga Komisioni për shqyrtim të këtij raporti me 23 Shkurt 2024, raporti i shtypur si libër është dërguar në Komision. Këtu kemi kuptuar se në komunikimin me kompaninë për shtypjen dhe lidhjen e raporteve ka ndodh një gabim teknik dhe i është dërguar për shtypje një draft i mëhershëm i raportit i cili nuk përmbante çështjen në fjalë. Lidhur me këtë ZKA-ja u ka ofruar me shkrim deputetëve të KMFP-së të gjitha sqarimet e nevojshme si dhe ka tërhequr nga përdorimi të gjitha raportet e mbetura.

Me përjashtim të disa kopjeve të shtypura, siç u potencua edhe më lartë raporti përfundimtar i miratuar nga Auditorja e Përgjithshme është publik në uebfaqen zyrtare të ZKA-së që nga muaji Maj 2023.

Auditori i Përgjithshëm dhe Zyra Kombëtare e Auditimit funksionojnë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të auditimit, Kodin e Etikës dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Proceset tona të auditimit janë të pavarura, objektive dhe ruajnë mekanizmat e kontrollit të cilësisë, duke siguruar që mos të ketë asnjë ndërhyrje të jashtme apo të brendshme.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja auditon Listat e pritjes së pacientëve në institucionet shëndetësore publike

ZKA-ja auditon Listat e pritjes së pacientëve në institucionet shëndetësore publike

Në kuadër të sezonit auditues 2023/2024, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) është duke kryer auditimin e performancës “Listat e pritjes së pacientëve në institucionet shëndetësore publike”, i cili do të vlerësojë zbatimin e masave për të siguruar trajtim efikas të pacientëve në listat e pritjes nga Klinikat e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës dhe Spitalet e Përgjithshme. Auditimi do të vlerësojë edhe procesin e shpërndarjes së burimeve (njerëzore dhe materiale), si dhe mënyrën e regjistrimit  dhe monitorimit të listave të pritjes.  

Lista të pritjes së pacientëve ka në disa klinika të QKUK-së dhe në disa reparte të Spitaleve të Përgjithshme. Procesi i auditimit do të fokusohet te pesë lista me gjithsej mbi 4600 pacientë. Auditimit do t’i nënshtrohet lista e pritjes me afër 1800 pacientë në Kliniken e Kirurgjisë Vaskulare, lista e pritjes me afër 1400 pacientë në Klinikën e Ortopedisë, lista e pritjes me 1000 pacientë në Kliniken e Oftalmologjisë, lista e pritjes me 400 pacientë në Klinikën e Kirurgjisë Torakale si dhe lista  e pritjes nga gjashtë muaj deri në një vit në Klinikën e Radiologjisë.

Ndërsa në Spitalet e Përgjithshme listat e pritjes kryesisht janë në repartin e Radiologjisë (CT, Eho, Mamografia, Rëntgeni, etj.) si dhe në repartet e Kirurgjisë së Përgjithshme.

Duke ditur vështirësitë dhe sfidat me të cilat ballafaqohet sistemi shëndetësor në Kosovë, përmes këtij auditimi Zyra Kombëtare e Auditimit ka për synim të bëjë vlerësimin e gjendjes dhe nëse Klinikat dhe Spitalet e Përgjithshme janë efikase në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

Lexo më shumë
Auditimit të ZKA-së i nënshtrohet edhe Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking”

Auditimit të ZKA-së i nënshtrohet edhe Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking”

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) për sezonin auditues 2023/2024 është duke e kryer auditimin e perfomancës  “Menaxhimi i parkingjeve publike në qytetin e Prishtinës nga Ndërmarrja Publike Lokale ‘Prishtina Parking’”. Procesit të këtij auditimi do t’i nënshtrohet Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria për Inspektim dhe Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” e cila ka  rol të rëndësishëm në organizimin, rregullimin dhe menaxhimin parkimeve publike në qytetin e Prishtinës.

Auditimi do të vlerësojë efikasitetin dhe efektivitetin e shërbimeve për qytetarët, ofruar nga NPL “Prishtina Parking”, si dhe masat dhe veprimet në menaxhimin e parkingjeve dhe bashkëpunimin me Inspektoratin e Komunës së Prishtinës dhe Policinë e Kosovës.

Fokusi i këtij auditimi do të jetë:

-Nëse “Prishtina Parking” ka bërë shënjimin e parkingjeve për qytetarët dhe ka informuar ata për mënyrat dhe format e parkimit në qytet, si dhe ka siguruar disponueshmëri të parkingjeve, qasje të barabartë për të gjithë duke vendosur në prioritetet banorët rezidentë; 

-Nëse “Prishtina Parking” ka siguruar forma të duhura të informimit të qytetarëve, të nevojshme dhe të lehta për të paguar qytetarët për shfrytëzimin e këtyre parkimeve, si dhe nëse ka siguruar një sistem të mirëfilltë dhe të sigurtë të pagesave të parkimeve me laura duke shmangur keqpërdorimet nga zyrtarët e ndërmarrjes;   

-Nëse ka një bashkëpunim të duhur me Komunës e Prishtinës, më konkretisht me Inspektoratin për përcjelljen dhe inspektimin e parkimeve të cilat shfrytëzohen nga qytetarët; si dhe 

-Nëse ka arritur të ndërtojë një sistem bashkëpunimi edhe me Policinë e Kosovës për mbarëvajtjen e parkimit të veturave në qytet duke synuar një organizim më të mirë.

Duke marr parasysh rëndësinë e menaxhimit të parkimeve në qytetin e Prishtinës, të stërngarkuar nga veturat, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) përmes këtij auditimi synon të bëjë vlerësimin e gjendjes, nëse “Prishtina Parking” në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës kanë sistem të mirëfilltë të ofrimit të parkimeve për qytetarët dhe janë duke e menaxhuar atë në mënyrën e duhur dhe efektive.

 

Lexo më shumë