Kthehu te lista
21 Nëntor 2022

Aktivitetet e përkrahjes për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të auditohen nga ZKA-ja

Auditimit MINT-KIESA

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës me temën “Mbështetja e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme nga MINT/KIESA” për periudhën 2019-2022. Fokus kryesor i këtij auditimi është vlerësimi i aktiviteteve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) për arritjen e rezultateve të duhura në përkrahjen dhe ngritjen e kapaciteteve të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) dhe zonave ekonomike.

MINT/KIESA çdo vit bën shpallje për përkrahjen e NMVM-ve me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të tyre në mënyrë që këto ndërmarrje të ofrojnë produkte më cilësore dhe të jenë konkurruese me ndërmarrjet në nivel ndërkombëtar. Njëkohësisht përmes zonave ekonomike MINT u ofron ndërmarrjeve lehtësira të ndryshme.

Thirrjet publike duhet të bëhen në përputhje me strategjinë e MINT-it lidhur me zhvillimin e NMVM-ve në vendin tonë, po ashtu thirrjet dhe përzgjedhja e përfituesve duhet të bëhet në përputhje me ligjet dhe rregulloret për përkrahjen e këtyre ndërmarrjeve.

Prandaj, përmes këtij auditimi në MINT/KIESA, ZKA-ja do të vlerësojë arsyeshmërinë dhe  përputhjen ligjore të procesit për përkrahjen e NMVM-ve. Po ashtu do të analizojë shpalljet e zonave të lira ekonomike për të parë nëse MINT është bazuar në analiza të arsyeshme për themelimin e këtyre zonave.

Auditimi “Mbështetja e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme nga MINT/KIESA”, ka për synim që përmes rekomandimeve të ndihmojë institucionet përgjegjëse në përmirësimin e aktiviteteve për përkrahjen e NMVM-ve dhe themelimin e zonave të lira ekonomike.

 

Të ngjashme