Kthehu te lista
10 Qershor 2022

Auditori publikon edhe 26 raporte të auditimit të rregullsisë dhe performancës

LogoPerWeb

Vazhdon publikimi i raporteve të auditimit edhe për trembëdhjetë komuna, gjashtë ministri, katër ndërmarrje publike, si dhe tri raporte të auditimit të performancës

 Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka vazhduar me publikimin e raporteve të  auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë edhe për njëzetegjashtë institucione si: komuna, ministri dhe ndërmarrje publike, përfshirë këtu edhe tri raporte të auditimit të performancës siç janë: “Sistemi për Menaxhimin e Pagave”; Sistemi Informativ i Gjendjes Civile në Agjencinë e Regjistrit Civil”;  si dhe “Menaxhimi i fondeve publike në Radio Televizionin e Kosovës”.

Në 23 raporte të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë janë dhënë 15 opinione të modifikuara, prej tyre 11 të kualifikuara dhe katër opinione të kundërta, si dhe tetë opinione të pamodifikuara.

Opinioni i auditimit u është kualifikuar këtyre institucioneve: Komunës së Malishevës; Komunës së Zubin Potokut; Komunës së Ferizajt; Komunës së Deçanit; Komunës së Kllokotit; Komunës së Kaçanikut; Komunës së Prizrenit; Ministrisë së Shëndetësisë; Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit; Ndërmarrjes Publike “Posta e Kosovës”; si dhe Universitetit të Prishtinës.

Kurse opinion i kundërt i auditimit u është dhënë Radio Televizionit të Kosovës,  Ndërmarrjes Publike “Termokosi”, KRU “Hidroregjioni Jugor” sh.a, Prizren, dhe KRU “Hidromorava”, sh.a. Gjilan.

Ndërsa opinion i pamodifikuar iu është dhënë institucioneve si në vijim: Komunës së Gjakovës; Komunës së Vitisë; Komunës së Drenasit; Komunës së Obiliqit, Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve; Ministrisë së Drejtësisë; Ministrisë së Zhvillimit Rajonal; si dhe Administratës Tatimore të Kosovës.

Institucioneve publike u është kualifikuar opinioni i auditimit për shkak se Pasqyrat Vjetore Financiare (PVF) përmbajnë keqdeklarime materiale, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me  regjistrimin dhe raportimin jo të saktë dhe jo të plotë të pasurive jofinanciare, si dhe keqklasifikimet e shpenzimeve në kode ekonomike.

Ndërsa opinioni i kundërt i është dhënë atyre institucioneve që Pasqyrat Vjetore Financiare të tyre nuk prezantojnë një informacion të plotë dhe të saktë dhe ato përmbajnë gabime të përhapura në raportimin e zërave kontabël nëpër pozicione të caktuara (pasuri, paga, llogaritë e arkëtueshme dhe obligime).

Përveç opinionit të auditimit, ZKA-ja ka vlerësuar edhe pajtueshmërinë e aktiviteteve/operacioneve të institucioneve publike me kornizën ligjore në fuqi, për rrjedhojë rezultatet  e auditimit kanë nxjerrë në pah se ekzistojnë parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar dhe të kontrollit.

Ndër parregullsitë kryesore dhe më të shpeshta të cilat ZKA-ja i ka identifikuar përmes këtyre auditimeve janë: dobësi në menaxhimin e pasurisë; dobësi në menaxhimin e llogarive të arkëtueshme; dobësi në procesin e prokurimit; dobësi në menaxhimin e të hyrave; dobësi në menaxhimin e subvencioneve; dobësi në menaxhimin e obligimeve; mos harmonizimi i raportit të inventarizimit me regjistra të pasurisë; mos prezantim i saktë i investimeve në vijim; vonesa në pagesën e faturave; mos funksionimi i Komitetit të Auditimit; mangësi në Sistemin e Auditimit të Brendshëm; klasifikimi jo adekuat i shpenzimeve; prezantimi jo i saktë i detyrimeve kontingjente në PVF; angazhime për shërbime të veçanta pa procedura ligjore; si dhe mangësi në ekzekutimin e pagesave.

Në këto raporte të auditimit janë dhënë një numër i konsiderueshëm i rekoamandimeve për krerët e institucioneve për të kërkuar vëmendjen e tyre për veprime konkrete me qëllim të sigurimit se paraja publike shpenzohet në përputhje me kornizën ligjore dhe për qëllimin e synuar dhe planifikuar.

Në përputhje me mandatin dhe kompetencat ligjore, Departamenti për Çështje Jurudike dhe Kundër Mashtrimeve në ZKA, deri tani ka analizuar 30 raporte të auditimit, me ç’rast ka identifikuar 24 raste të dyshimit për kryerjen e veprave penale. Për këto raste janë dërguar informacione te Prokurori i Shtetit për trajtim të mëtutjeshëm.

Që nga fillimi i procesit të publikimit të raporteve për këtë sezon auditues, ZKA-ja ka përfunduar dhe publikuar gjithsej 52 raporte të auditimit. Tani ekipet e auditimit janë në fazën intensive të përfundimit të auditimeve dhe siç kërkohet me ligj deri në fund të qershorit 2022 do të publikohen të gjitha raportet individuale të auditimit të rregullsisë, të planifkiuara me Planin e punës për sezonën audituese 2021/2022.

 

Të ngjashme