Kthehu te lista
05 Korrik 2022

Auditorja e Përgjithshme: Brenda afatit ligjor dhe me sukses kemi përfunduar 121 auditime të rregullsisë dhe performancës

IMG_7924

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të martën ka mbajtur konferencë për medie në të cilën ka bërë më dije se Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) brenda afatit ligjor ka përfunduar 121 auditime për sezonin auditues 2021/22, prej të cilave 110 raporte të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë si dhe 11 të auditimit të performancës. Ndërsa janë në proces të finalizimit edhe nëntë (9) auditime të projekteve të financuara nga Banka Botërore dhe tri (3) auditime të performancës.

Para gazetarëve Auditorja e Përgjithshme ka prezantuar gjetjet më të përhapura dhe kryesoret të hasura gjatë auditimit.  Znj. Spanca ka theksuar se në 90 raportet e auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë në institucionet qendrore dhe në komuna janë dhënë 46 opinione të pamodifikuara dhe 44 opinione të modifikuara, prej tyre, 42 të kualifikuara dhe 2 të kundërta. kurse tek 12 ndërmarrjet publike të gjitha opinionet janë modifikuar, prej tyre 10 opinione të kundërta dhe dy (2) të kualifikuara.

“Arsyet kryesore pse opinioni i auditimit është modifikuar kanë qenë, për shkak se pasqyrat vjetore financiare përmbajnë keqdeklarime materiale. Këto keq deklarime, kryesisht kanë të bëjnë me regjistrimin dhe raportimin jo të saktë dhe jo të plotë të pasurive jo financiare, shpalosjet jo të plota dhe jo të sakta për llogaritë e arkëtueshme, detyrimet kontingjente si dhe keqklasifikimet e shpenzimeve në kategori (kode) të caktuara ekonomike”, ka thënë znj. Spanca.

Tutje Auditorja e Përgjithshme, ka treguar se përveç opinionit të auditimit, ZKA-ja ka vlerësuar edhe pajtueshmërinë e aktiviteteve dhe operacioneve të organizatave buxhetore me kornizën ligjore në fuqi, standardet dhe praktikat e mira ndërkombëtare. Me këtë rast rezultatet e auditimit kanë nxjerrë në pah se edhe më tutje ekzistojnë parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar dhe kontrollit.

Parregullsitë janë të përhapura në cikël të ndryshëm transaksionesh dhe kategorish ekonomike të ndërlidhura me menaxhim financiar të  shpenzimeve, të hyrave, proceseve të prokurimit, subvencioneve, menaxhim të aseteve, menaxhim të personelit dhe fusha të tjera.

Në fushën e prokurimit publik gjetjet më të theksuara janë:

  • Përzgjedhja e Operatorit Ekonomik të pa përgjegjshëm, mangësitë në procesin e vlerësimit të ofertave, mangësi në procesin e menaxhimit të kontratave, nënshkrimi i kontratave në mungesë të buxhetit, përdorimi i procedurës së negociuar pa plotësuar kriteret, mungesa e projekteve ekzekutuese, ndryshime në sasitë e paramasës pa aprovimet paraprake dhe vonesat në realizimin e punimeve.

Në fushën e shpenzimeve janë evidentuar gjetje të natyrës, si:

  • Klasifikimi jo adekuat i shpenzimeve, avanset e pa mbyllura nga vitet paraprake, përfitimi i më shumë se një pensioni nga skemat pensionale, vonesa në pagesën e detyrimeve, pagesat përmes vendimeve gjyqësore, shpenzime të pa aprovuara dhe tejkalim i limiteve të lejuara.

Në fushën e të hyrave janë identifikuar gjetje kryesore, si:

  • Menaxhim jo efikas i llogarive të arkëtueshme/ borxheve të vjetra, jo efikasitet në verifikimin e pronave komunale.

Në fushën e menaxhimit të personelit janë gjetur parregullsi, si:

  • Angazhimi i punonjësve me marrëveshje për shërbime të veçanta pa respektuar procedurat e prokurimit publik dhe kryesisht për punë dhe detyra të rregullta të organizatës;
  • Kompensim i punonjësve pa vijueshmëri në punë, fjala është tek marrëveshja e Brukselit mes Republikës se Kosovës dhe Serbisë, për integrimin e ish mbrojtjes civile, gjatë vitit 2021 kanë qenë të punësuar 199 punonjës në shtatë (7) ministri të cilët janë paguar në një vlerë totale prej mbi 900 mijë euro pa vijuar fare punën.

Parregullsitë janë gjetur edhe në fushën e subvencioneve, ndër të cilat Auditorja e Përgjithshme ka përmendur disa më kryesoret si:

  • Mungesa e planit vjetor të mbështetjes financiare të OJQ-ve, mangësi në marrëveshjet e bashkëpunimit në mes të komunës dhe Organizatave Joqeveritare, mangësi në procesin e vlerësimit të aplikacioneve për subvencione, subvencionim pa thirrje publike.

Gjithashtu, auditorët kane konstatuar edhe mangësi për sa i përket funksionimit të njësive të auditimit të brendshëm, si: mos kompletimi me staf, mos funksionimi i komiteteve të auditimit apo dështimi për të përmbushur planet vjetore të auditimit.

Nga analiza e bërë për 12 NP në lidhje me rezultatin financiar (fitimi/humbja) vërehet se, vetëm gjatë vitit 2021, shtatë (7) prej tyre kanë operuar me një total të humbjeve prej 17.3 milionë, ndërsa pesë (5) tjera kanë treguar një fitim prej 3.3 milionë.

Pjesën më të madhe të humbjeve e kishte Telekomi i Kosovës në shumën prej 10.8 milionë euro apo 66% të totalit të humbjeve, kurse fitimin më të madh e kishte realizuar Termokos në shumën prej 1,9 milionë euro apo rreth 49% nga totali i fitimit.

Znj. Spanca ka treguar se për këtë sezone të auditimit deri më tani kanë rezultuar gjithsejtë 993 rekomandime të rregullsisë dhe performancës. Duke e vlerësuar tejet të lartë këtë numër të rekomandimeve, Auditorja e Përgjithshme, ka ftuar të gjitha institucionet e audituara që raportet e auditimit, në veçanti rekomandimet e dhëna t’i pranojnë si një kontribut serioz me qëllim kryesor përmirësimin e proceseve, aktiviteteve dhe operacioneve të organizatave të tyre.

Sa i përket auditimeve të performances të publikuara deri tani, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka treguar se ato mbulojnë fusha me interes të lartë për qytetarët dhe Kuvendin e Kosovës. Disa prej tyre nuk janë audituar vite me radhë, dhe auditimet kanë treguar se nevoja për përfshirjen e tyre në planin auditues ka qenë më se e domosdoshme, për shkak se numri i parregullsive dhe rrjedhimisht rekomandimeve është mjaft i lartë, siç është rasti me RTK-në, KEK-un, Hidrocentralet dhe projektet kapitale me vlerë të lartë financiare.

Tutje Auditorja e Përgjithshme i ka theksuar disa nga konkluzionet kryesore të këtyre auditimeve si:

  • Në auditimin e performancës në RTK, kontrolli i dobët mbi menaxhimin e stafit të rregullt duke mos respektuar edhe vendimet e Bordit nga menaxhmenti, i ka kushtuar RTK-së keq menaxhim financiar në vlerë prej rreth 800 mijë euro për tre vite. Parregullsitë kanë rezultuar me mungesë të llogaridhënies, transparencës dhe konkurrencës në menaxhimin e fondeve publike.
  • Tek auditimi i hidrocentraleve, ZKA ka konkluduar se sistemi i licencimit të hidrocentraleve karakterizohet me mangësi të theksuara në zbatimin e kritereve, i cili nuk siguron shfrytëzim efikas të ujërave në vend dhe menaxhim e mbrojtje të duhur të tyre dhe të mjedisit. Hidrocentralet janë lëshuar në përdorim pa u pajisur me leje ujore, mjedisore dhe licencë të prodhimit.
  • Tek auditimi i sistemit të regjistrimit civil, konkluzioni i auditimit është se kontrollet e aplikacionit që zbatohen në SGJC nuk sigurojnë që vetëm të dhëna të sakta dhe të vlefshme vendosen në sistem. Auditimi ka  identifikuar një numër të qytetarëve të regjistruar nga dy herë, të cilët kanë nga dy numra personal të ndryshëm. Po ashtu janë identifikuar raste, ku dy deri në shtatë qytetarë të ndryshëm, ishin të regjistruar në sistem me të dhëna të njëjta të librit fizik të regjistrit të gjendjes civile.
  • Tek auditimi i Sistemit të pagave, është identifikuar se për të rritur efektivitetin dhe saktësinë e të dhënave edhe më tutje ka nevojë për përmirësim. Thesari nuk ka vendosur strukturë organizative të qartë për funksionimin e duhur të sistemit, procesi i punës nuk ishte i bazuar në objektiva strategjike, kontrollet e aplikacionit nuk janë të mjaftueshme për të mbështetur procesin e pagave.
  • Tek auditimi i projektit kapital “Bashkimi i Qytetit në Ferizaj”  ZKA ka konstatuar se projekti kishte marrë më shumë kohë dhe kostoja e projektit ishte më e lartë se që ishte paraparë. Vlera e parashikuar e kontratës për projektin “Ndërtimi i nënkalimit për vetura” ishte afër katër fish më e lartë, ndarjet buxhetore ishin (1.5 milion euro), ndërsa kostoja përfundimtare kishte arritur në (5.9 milion euro). Si pasojë e planifikimit jo të mirë të projektit, komuna kishte kontraktuar shumë punë të cilat nuk ishin parashikuar në fillim, është identifikuar menaxhim jo efektiv i kontratave, dhe kishte vonesë në kryerjen e punëve. Ndërsa, deri në kryerje të auditimit ende nuk ishte bërë pranimi teknik i projektit.

Gjatë kësaj konference, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka folur edhe për  bashkëpunimin e ZKA-së me organet e drejtësisë dhe adresimin e rasteve në prokurori.

Znj. Spanca, ka bërë me dije se nga analizimi i 80% të raporteve të publikuara të auditimit kemi identifikuar 67 raste me elemente potenciale për kryerjen e veprave penale, bazuar në kompetencat ligjore për të gjitha këto raste është njoftuar Prokurorin e Shtetit, i cili ka njoftuar se çështjet e raportuara i ka adresuar tek kryeprokurorët e shtatë prokurorive themelore në nivel vendi.

Po ashtu, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka informuar gazetarët se me publikimin e Raportit Vjetor të Auditimit për buxhetin e shtetit për vitin 2021,  mbyllet cikli i auditimeve të detyrueshme sipas ligjit. Znj. Spanca ka shtuar se auditimi për buxhetin vjetor të shtetit është në proces dhe siç është e përcaktuar edhe me ligj do të publikohet më së voni deri me 31 gusht 2022.

Në këtë konferencë kanë qenë të pranishëm edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Qerkin Morina, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Naser Arllati,  Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Emine Fazliu, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Zukë Zuka,  si dhe Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi.

Të ngjashme