Kthehu te lista
31 Gusht 2022

Auditorja e Përgjithshme dorëzon në Kuvend Raportin Vjetor të Auditimit të Buxhetit të Republikës se Kosovës për vitin 2021

RVA 2021

Cilësia e raportimit financiar në institucionet publike duhet të përmirësohet 

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të martën i ka dorëzuar Kuvendit të Republikës së Kosovës Raportin Vjetor të Auditimit të Buxhetit të Republikës se Kosovës për vitin 2021. Ky raport përmban rezultatet kryesore të punës audituese përfshirë opinionin, gjetjet si dhe rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA).

Në fjalën e saj, Auditorja e Përgjithshme, ka bërë më dije se në sezonin auditues 2021/22, ZKA-ja, ka kryer 133 auditime duke realizuar plotësisht planin vjetor të auditimit. Në kuadër të tyre përfshihën: auditimi i raportit vjetor financiar të buxhetit të Republikës së Kosovës me mbi 2.5 miliardë euro, auditimi i 90 organizatave buxhetore, 12 ndërmarrjeve publike, 13 projekteve të financuara nga Banka Botërore dhe donatorët e tjerë, 3 raporte të auditimit të pajtueshmërisë prej të cilave 2 janë raporte me informata të klasifikuara (niveli i kufizuar i klasifikimit) si dhe 14 auditime të performancës.

Fokusi kryesor i auditimit ka qenë në cilësinë e raportimit financiar, efikasitetin dhe efektivitetin e sistemeve të kontrollit të brendshëm, pajtueshmërinë e vendimeve të subjekteve të audituara me kornizën ligjore, si dhe çështjet të tjera që kanë të bëjnë me vlerën për para.

Auditimi ka identifikuar mangësitë kryesore dhe më të shpeshta si: klasifikimi jo adekuat i shpenzimeve, problemet me menaxhimin e pasurive, detyrimeve të pa paguara, zhvillimi jo i mirë i procedurave të prokurimit dhe menaxhimit të kontratave, dështimi për të mbledhur llogaritë e arkëtueshme, etj.

Në raport paraqitet se auditimet për organizatat buxhetore për vitin 2021 kanë rezultuar me numër më të lartë të opinioneve të auditimit të modifikuar për pasqyrat vjetore financiare. Nga 90 auditimet e organizatave buxhetore, 46 kanë rezultuar me opinion të pamodifikuar dhe 44 me opinion të modifikuar. Kjo tregon se cilësia e raportimit financiar në institucionet publike duhet të përmirësohet.

Në veçanti veprime më rigoroze dhe të shpejta përmirësuese duhet të ndërmerren tek qeverisja lokale dhe ndërmarrjet publike, përkundër që tek këto të fundit në vitin 2021 janë marrë disa veprime përmirësuese të cilat kanë reflektuar progres. Gjithashtu, edhe kontrollet e brendshme është e nevojshme të përmirësohen që të jenë më efektive dhe efikase në zhvillimin e proceseve të menaxhimit financiar.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në fjalën e saj ka theksuar se ka një trend pozitiv të zbatimit të rekomandimeve, por pavarësisht progresit të arritur gjatë vitit 2021, zbatimi i tyre ende nuk është në nivelin e duhur. Megjithatë ka thënë se përpjekjet e koordinuara të ZKA-së dhe komisioneve parlamentare të Kuvendit për rritjen e përgjegjësisë së drejtuesve të institucioneve të audituara kanë filluar të japin efekte pozitive.

“Aktualisht është rritur përqindja e rekomandimeve të zbatuara nga 45% sa ishte në vitin 2019, në 50% për vitin 2020. Sidoqoftë, ky nivel është jo i kënaqshëm, prandaj përmirësimi i mëtejshëm në këtë fushë, kërkon përkushtim më të madh të vendimmarrësve”, është shprehur znj. Spanca.

Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2021 e gjeni këtu

Të ngjashme