Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, mbajti konferencën për media ku prezantoi Raportin Vjetor të Auditimit (RVA) për vitin 2022, i cili përfshin opinionin e auditimit për Pasqyrat e Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin financiar 2022 dhe përmbledhjen e rezultateve kryesore të punës audituese përfshirë opinionin e auditimit, gjetjet dhe rekomandimet.
Znj. Spanca tregoi se për sezonin auditues 2022/2023, ZKA-ja ka arritur të përmbush planin auditues, duke rritur cilësinë e rezultateve të saj, duke kryer 123 auditime në të cilat janë dhënë gjithsej 900 rekomandime.
Ajo njoftoj se për auditimet individuale për vitin 2022 një numër i opinioneve të auditimit për institucionet publike ishin jo të mira, edhe pse krahasuar me vitin paraprak kishte përmirësim në cilësinë e raportimit financiar.
“I inkurajoj krerët përgjegjës të institucioneve që të shtojnë veprimet për raportimin e saktë dhe të drejtë të informatave financiare që përmes kësaj të rrisin llogaridhënien dhe besimin ndaj publikut”, theksoi znj. Spanca.
Për sa i përket rekomandimeve të auditimit të dhëna në vitin paraprak, Auditorja e Përgjithshme, vlerësoi se niveli aktual i zbatimit të tyre nuk është i kënaqshëm. Ajo bëri me dije se krahasuar me vitin 2021, numri i rekomandimeve të dhëna në raportet individuale të organizatave buxhetore është zvogëluar, megjithatë, niveli i zbatimit të rekomandimeve mbetet përafërsisht i njëjtë, vetëm 49% janë zbatuar plotësisht, pjesa tjetër e rekomandimeve janë në proces të zbatimit ose nuk janë zbatuar ende.
“Ngecjet në zbatimin e plotë të rekomandimeve ndikojnë në përsëritjen e dobësive dhe mangësive të kontrollit dhe përsëritjen sistematike të parregullsive nga viti në vit”, theksoi ndër të tjera Auditorja e Përgjithshme.
Në konferencë, ajo ftojë kryesuesit e institucioneve publike të ndërmarrin veprime konkrete me qëllim që të reflektojnë dhe ofrojnë sigurinë e nevojshme që paraja publike të shpenzohet në përputhje me kornizën ligjore dhe për qëllimin e synuar.
Po ashtu në konferencën me gazetarë, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tregoi se për sezonin 2022/2023 ZKA-ja ka evidentuar 51 raste të dyshimit të cilat janë dërguar te Prokurori i Shtetit për analizë dhe hetime të mëtejme.
Përveç këtyre 51 rasteve të evidentuara, në Prokurori janë dërguar edhe 2 raporte në tërësi për shkak të çështjeve të ndërlidhura.
“Rastet e identifikuara janë kryesisht nga fusha e prokurimit, si procesi i prokurimit, lidhja e kontratave, shpenzimet në kategorinë e investimeve kapitale dhe mallrave, ku janë identifikuar 36 raste. Tetë raste janë identifikuar në kategorinë e subvencione dhe transfereve, si dhe shtatë raste në fushën e punësimit”, deklaroi znj. Spanca.
Fjalimi i plotë i Auditores së Përgjithshme i mbajtur në konferencën për media:
Të nderuara media,
Faleminderit që i jeni përgjigjur pozitivisht ftesës për të marrë pjesë në këtë konferencë.
Qëllimi i kësaj konference është që t’ju njoftoj për se afërmi për rezultatet e Raportit Vjetor të Auditimit (RVA) për vitin 2022, të cilin në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor e kam dorëzuar para datës 31 gusht në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ky Raport përfshin opinionin e auditimit për Pasqyrat e Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2022 dhe përmbledhjen e rezultateve kryesore të punës audituese gjatë vitit.
Poashtu, meqenëse kemi përmbyllur sezonin auditues, gjatë kësaj konference do të ju njoftoj edhe për rastet e pretenduara për dyshime potenciale për mashtrim të dërguara në Prokurori të shtetit.
Për sezonin auditues 2022/2023, ZKA-ja ka arritur të përmbush planin auditues, duke rritur cilësinë e rezultateve të saj, duke kryer 123 auditime në të cilat janë dhënë gjithsej 900 rekomandime.
Të nderuara media,
Për Raportin Vjetor Financiar të Qeverisë për Buxhetin e Republikës së Kosovës është dhënë: Opinion i Modifikuar përkatësisht Opinion i Kualifikuar.
Arsyeja që ka ndikuar në modifikim të opinionit është se vlera e gabimeve ishte materiale. Çështjet të cilat kanë ndikuar në opinion janë si në vijim:
– nënvlerësim i pasurive prej 55,865,029€;
– nënvlerësim i llogarive të arkëtueshme prej 1,887,506€;
– nënvlerësim i detyrimeve të papaguar 130,775€; si dhe
– mbivlerësim i detyrimeve kontigjente për 16,086,386€.
Siç ju kemi njoftuar në Konferencën paraprake, edhe për auditimet individuale për 33 Organizata buxhetore, opinionet e auditimit ishin jo të mira, edhe pse krahasuar me vitin paraprak ka përmirësim në cilësinë e raportimit financiar. Situatë e ngjashme ishte edhe tek Ndërmarrjet publike, nga 10 opinione të kundërta në vitin 2021, në vitin 2022 ishin vetëm 3 të tilla.
Unë shfrytëzoj rastin ti falënderoj Krerët e Institucioneve publike për masat që kanë ndërmarrë për të përmirësuar cilësinë e raportimit financiar. Njëherit i inkurajoj që të shtojnë veprimet për raportimin e saktë dhe të drejtë të informatave financiare që përmes kësaj të rrisin llogaridhënien dhe besimin ndaj publikut.
Të nderuara media,
Për sa i përket performancës financiare të buxhetit të shtetit për vitin 2022, pranimet/të hyrat ishin realizuar 2,628,552,000€ apo 87% e planit. Ndërsa, krahasuar me vitin 2021, ato janë rritur rreth 6%.
Buxheti i shtetit për vitin 2022 ishte shpenzuar në vlerë 2,625,008,000€ apo 83% e buxhetit final për shpenzime. Krahasuar me vitin paraprak kishte rritje prej 10.35%. Megjithatë, shpenzimet për investime kapitale ishin realizuar vetëm 60% e buxhetit final.
Bilanci bankar, Deficiti buxhetor dhe borxhi publik janë mbajtur në kuadër të kufijve të përcaktuar ligjor.
Sidoqoftë, mbetet sfidë mos efikasiteti në shfrytëzimin e fondeve të marra si hua të jashtme i shkaktuar kryesisht nga problemet me menaxhimin e projekteve infrastrukturore.
Vlen të theksohet se obligimet e papaguara krahasuar me vitin paraprak ishin zvogëluar për 41 milion euro – në fund të 2022 ishin afërsisht 150 milion Kjo ka ndodh, kryesisht nga shlyerja e detyrimeve për shpronësimet e viteve të mëhershme (13,313,645€).
Përderisa, sfidë mbetët rritja e detyrimeve kontingjente dhe llogarive të arketueshme si dhe pagesave me vendime te gjykatave dhe përmbaruesve posaçërisht shpenzimeve shtese ku vetëm ne vitin 2022 ishin 7 milion euro.
Po ashtu është më rëndësi të përmendet se shteti edhe pas 20 viteve nuk ka regjistra te plote dhe te sakte lidhur me pronat, objektet publike, tokat.
Të nderuara media
Në kuadër të auditimit të performancës përfshirë prokurimin dhe teknologjinë e informacionit, ZKA-ja ka kryer 15 auditime përmes se cilave kemi dhënë 195 rekomandime.
Në këtë konferencë, dua të shfrytëzoj rastin të ju njoftoj më shumë në lidhje me rezultatet e pesë (5) auditimeve të publikuara gjatë dy muajve të fundit, të cilat janë:
1.Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje, gjetjet e këtij auditimi tregojnë se edhe pse organet përgjegjëse publike kanë ndërmarrë një sërë veprimesh për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, nuk janë arritur rezultate të kënaqshme për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave.
-Ka mangësi në angazhimin adekuat të burimeve njerëzore, në procedurat e monitorimit dhe në mbështetjen e viktimave gjatë rehabilitimit;
Policia gjatë intervenimit dhe ofrimit të shërbimeve emergjente reagon në kohë optimale, mirëpo janë identifikuar dobësi në angazhim të hetuesve policor, mungesë e procedurave për monitorimin e urdhrave mbrojtës, mos përcjellje e informatës tek mbrojtësit e viktimave si dhe dobësi në regjistrimin e rasteve;
Nga ana e Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, janë vërejtur raste të pa trajtuara, mangësi në përfshirjen e tyre gjatë gjithë procesit si dhe dobësi në udhëzimet për kompensim të dëmit.
2.Renovimi dhe rikonfigurimi i Stadiumit të qytetit në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve së bashku me komunën e Mitrovicës, Gjilanit dhe Gjakovës për vite me radhë nuk ishin treguar efikase në menaxhimin e renovimit dhe rikonfigurimit të stadiumeve.
Gjatë këtyre proceseve nuk janë arritur qëllimet e përcaktuara, pasi që kanë kaluar nga 4 deri në 7 vite që nga fillimi i procesit dhe ato përveç që ende nuk kanë përfunduar, sipas gjendjes ne terren ende janë larg përfundimit dhe funksionalizimit te tyre. Këtu duhet theksuar që ishte përdorur procedura e negociuar duke i arsyetuar proceset si raste emergjente, derisa përmbyllja e procedurave u ka marrë kohë deri në gjashtë muaj.
Gjetjet e tjera janë:
3.Efikasiteti dhe efektiviteti i Programit për Trajtimin e Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike – rezultatet e këtij auditimi tregojnë se Fondi për Sigurime Shëndetësore së bashku me Bordin Ekzekutiv nuk ishin efektiv në procesin e menaxhimit të komplet ciklit të subvencionimit të pacientëve për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike.
Gjetjet kryesore janë:
Kemi vërejtur se një numër i rasteve janë referuar për arsye të: mungesës së materialit, mungesë e kushteve teknike, mungesë e resurseve njerëzore apo mungesa e neuro-anesteziologut. Këto referime ishin bërë për 45 raste apo afër 15% e rasteve të audituara dhe i kanë kushtuar Programit 844,779 euro.
4.Menaxhimi i sistemeve të informacionit në Institutin Bujqësor të Kosovës – ky auditim tregon se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural si dhe Instituti Bujqësor nuk ishin efektivë dhe nuk menaxhuan si duhet projektet e Teknologjisë së Informacionit, me vlerë të përgjithshme prej 700,766 euro, duke mos përfshirë profesionistët e TI-së në planifikimin dhe zhvillimin e këtyre projekteve.
5.Auditimi përcjellës i rekomandimeve të dhëna në raportet e auditimit të performancës të publikuara gjatë vitit 2018 – ka shpalosur se niveli i zbatimit të plotë të rekomandimeve për shtatë raportet e auditimit të performancës ishte 37%, ndërsa 25% e rekomandimeve janë trajtuar dhe janë në faza të ndryshme të zbatimit të tyre.
Nga 123 rekomandime të dhëna, 45 prej tyre janë zbatuar, 7 janë në fazën finale të zbatimit, 10 janë duke u zbatuar, 5 nuk kanë filluar të zbatohen, 14 nuk janë më të aplikueshme për subjektet e adresuara (për 9 nga to përgjegjësitë kanë kaluar në subjekte tjera derisa 5 nuk janë të aplikueshme më), ndërsa për 42 rekomandime subjektet e audituara nuk kanë dhënë përgjigje për të kuptuar nëse është marrë ndonjë veprim apo jo për zbatimin e tyre.
Zbatimi i rekomandimeve
Për sa i përket rekomandimeve të auditimit të dhëna në vitin paraprak, ju njoftoj se niveli aktual i zbatimit të tyre nuk është i kënaqshëm. Krahasuar me vitin 2021, numri i rekomandimeve të dhëna në raportet individuale të organizatave buxhetore është zvogëluar, megjithatë, niveli i zbatimit të rekomandimeve mbetet përafërsisht i njëjtë, vetëm 49% janë zbatuar plotësisht , pjesa tjetër e rekomandimeve janë në proces të zbatimit ose nuk janë zbatuar ende.
Ngecjet në zbatimin e plotë të rekomandimeve ndikojnë në përsëritjen e dobësive dhe mangësive të kontrollit dhe përsëritjen sistematike të parregullsive nga viti në vit.
Prandaj, shfrytëzoj rastin të ftoj kryesuesit e institucioneve publike të ndërmarrin veprime konkrete me qëllim që të reflektojnë dhe ofrojnë sigurinë e nevojshme që paraja publike të shpenzohet në përputhje me kornizën ligjore dhe për qëllimin e synuar.
Të nderuar gazetarë, tani më lejoni që t’ju informoj lidhur me rastet që kemi dërguar në prokurori.
Me përfundimin e sezonit auditues, Departamenti Juridik dhe Kundër Mashtrimit ka kryer analizimin e raporteve të publikuara të auditimit, për identifikimin e rasteve të dyshimit për kryerjen e veprave penale.
Duke u bazuar në nenin 24 të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe ZKA-në, si dhe Memorandumin e Bashkëpunimit me Prokurorin e Shtetit, nga analizimi i të gjitha raporteve të auditimit të rregullsisë dhe të performancës për sezonin 2022/2023, kemi evidentuar 51 raste të dyshimit të cilat i kemi dërguar të Prokurori i Shtetit për analizë dhe hetime të mëtejme.
Me përfundimin e sezonit auditues, Departamenti Juridik dhe Kundër Mashtrimit ka kryer analizimin e raporteve të publikuara të auditimit, për identifikimin e rasteve të dyshimit për kryerjen e veprave penale.
Duke u bazuar në nenin 24 të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe ZKA-në, si dhe Memorandumin e Bashkëpunimit me Prokurorin e Shtetit, nga analizimi i të gjitha raporteve të auditimit të rregullsisë dhe të performancës për sezonin 2022/2023, kemi evidentuar 51 raste të dyshimit të cilat i kemi dërguar të Prokurori i Shtetit për analizë dhe hetime të mëtejme.
Përveç, këtyre 51 raste të evidentuara, në Prokurori janë dërguar edhe 2 raporte në tërësi për shkak të çështjeve të ndërlidhura.
Rastet e identifikuara janë kryesisht nga fusha e prokurimit, si procesi i prokurimit, lidhja e kontratave, shpenzimet në kategorinë e investimeve kapitale dhe mallrave, ku janë identifikuar 36 raste. Tetë raste janë identifikuar në kategorinë e subvencione dhe transfereve, si dhe shtatë raste në fushën e punësimit.
Duhet theksuar, se menjëherë pas dërgimit të rasteve, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka konfirmuar pranimin e informacioneve dhe e ka informuar ZKA-në për shpërndarjen e tyre tek Zyrat përkatëse të 7 prokurorive themelore.
Ne identifikimin e rasteve potenciale për mashtrim dhe forcimin e kapaciteteve te njësisë kundër mashtrimit, na ka ndihmuar USAID me projektet ne fushën e llogaridhënies, transparencës dhe integritetit.
Të nderuar media, Zyra Kombëtare e Auditimit është mirënjohëse dhe e vlerëson shumë interesimin dhe angazhimin tuaj për të përcjellë dhe promovuar tek publiku informacione për menaxhimin e parasë publike. Prandaj, personalisht dhe i gjithë stafi ynë do të vazhdojmë të jemi në dispozicion për të ofruar informacione të plota dhe në kohë, gjithmonë në shërbim të qytetarëve të Kosovës.
Në fund, faleminderit për vëmendjen tuaj.
Unë dhe ekipi im prezent jemi të gatshëm të përgjigjemi për çdo sqarim apo pyetje.
Duke qenë pjesë aktive e programeve të ndryshme ndërkombëtare për arsimim dhe zhvillim të kapaciteteve audituese, së fundmi auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës treguan ...
Auditoret e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Arta Kryeziu dhe Krenare Pirana, janë pranuar në pilot programin “Auditimi i të Ardhmes së Barabartë (EFA)” të Iniciativës për Zhvillim e ...
Punonjësit e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) janë duke ndjekur një plan intensiv të trajnimeve të brendshme dhe të jashtme për adresimin e nevojave dhe kërkesave të stafit për zhvillim ...
Parandalimi dhe luftimi i korrupsionit kërkon bashkëpunim dhe koordinim efikas dhe efektiv në mes të institucioneve të mandatuara për luftimin e kësaj dukurie, u tha nga të pranishmit në ...