Kthehu te lista
24 Maj 2022

Auditorja e Përgjithshme me bashkëpunëtor po merr pjesë në post Kongresin e EUROSAI-t

Post Kongresi i EUROSAI-t

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Aida Podrimaj Specialiste e auditimit, po qëndron në vizitë dyditore në Pragë të Çekisë.

Qëllimi i kësaj vizite është, pjesëmarrja në post Kongresin e EUROSAI-t të organizuar nga Presidenti i Zyrës Supreme të Auditimit të Çekisë njëherësh President i EUROSAI-t. Në këtë ngjarje po marrin pjesë krerët e Institucioneve Supreme të Auditimit si dhe përfaqësues të lartë të tyre nga mbarë Evropa.

Përgjatë tri ditëve pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të zhvillojnë takime bilaterale dhe të marrin pjesë në nëntë sesione pune, me fokus në tema të interesit të veçantë për auditimin e jashtëm sikurse janë: zbatimi i standardeve ndërkombëtare të auditimit; përcjellja e zbatimit të rekomandimeve të auditimit; auditimet e taksave, projekteve të digjitalizuara, mjedisit, etj; roli i ISA-ve në luftën kundër korrupsionit; si dhe vizualizimi, publikimi dhe ndikimi i auditimit në rritjen e transparencës në administratën publike.

Në margjinat e kësaj vizite, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, kanë zhvilluar takime bilaterale me krerë të tjerë të Institucioneve Supreme të Auditimit, si Presidentin e Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës Çeke njëherësh President i EUROSAI-t Miloslav Kala, Auditorin e Përgjithshëm të Polonisë, Marian Banaś, atë të Bullgarisë, Tzvetan Tzvetkov, Auditorin e Përgjithshëm të Izraelit, Matanyahu Engelmans, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve supreme të auditimirt nga vende të ndryshme evropiane.

Në takimin me z. Kala, znj. Spanca e ka falënderuar atë për mbështetjen dhe kontributin e dhënë në procesin e anëtarësimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës në EUROSAI, si dhe e ka njoftuar për zhvillimet më të fundit dhe të arriturat e ZKA-së, sfidat dhe objektivat për të ardhmen.

Në veçanti Auditorja e Përgjithshme vuri theksin tek bashkëpunimi i ZKA-së me Kuvendin e Republikës se Kosovës, nevoja për ndryshimin e Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, si dhe tek përfshirja e stafit të ZKA-së në grupe punuese të fushave të ndryshme në EUROSAI.

Znj. Spanca, ka ftuar homologun e saj për vazhdim të bashkëpunimit përmes projekteve specifike të cilat do të ndihmonin ZKA-në për të avancuar më tutje funksionin e saj. Gjithashtu, Auditorja e Përgjithshme ka paralajmëruar shënimin e 20-vjetorit të themelimit të ZKA-së në vitin e ardhshëm, me ç’rast ka ftuar z. Kala që ta vizitojë ZKA-në dhe Kosovën.

Auditori i Përgjithshëm i Çekisë, njëherësh Presidenti i EUROSAI-t, z. Miloslav Kala, ka vlerësuar lartë bashkëpunimin e shkëlqyer me ZKA-në duke shprehur gatishmërinë për ta forcuar më tutje bashkëpunimin e mirë në mes të dy institucioneve, si dhe në kuadër të EUROSAI-t.

Gjithashtu, z. Kala e ka përgëzuar Auditoren e Përgjithshme për angazhimin dhe punën e saj në ngritjen e kapaciteteve të ZKA-së dhe ruajtjen e pavarësisë institucionale, duke ofruar shërbime objektive, të pavarura dhe cilësore.

Specialistja e auditimit Aida Podrimaj, ka prezantuar në kuadër të panelit në sesionin punues “Korniza e INTOSAI-t për Deklaratat Profesionale”, ku ka folur për progresin, sfidat dhe pikëpamjet e ZKA-së në lidhje me Kornizën Ndërkombëtare të Deklaratave Profesionale, dhe zbatimin e tyre. Prezantimi i saj si dhe kontributi në diskutim nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca ka zgjuar interesim të veçantë tek të pranishmit. Në këtë aspekt është vlerësuar niveli i zhvillimit të metodologjisë audituese të ZKA-së.

Në ditën e tretë të vizitës, përfaqësuesit e ZKA-së do të vazhdojnë më vizita dhe angazhime të tjera në kuadër të agjendës, ndër të cilat, në qendër të vëmendjes do të jetë takimi me Presidentin e Republikës së Çekisë z. Miloš Zeman.

 

Të ngjashme