Kthehu te lista
16 Maj 2023

Auditorja e Përgjithshme merr pjesë në Konferencën Shkencore të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi

Vizita ne Mal te Zi - kryesore

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka marrë pjesë në punimet e Konferencës Shkencore të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi e cila u mbajt me datë 15 maj 2023, në kuadër të shënimit të 19-vjetorit të themelimit të këtij institucioni. Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin përfaqësues të lartë nga Institucionet Supreme të Auditimit nga rajoni  dhe më gjerë.

Kryetari i Senatit të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi, Nikolla N. Kovaçeviq, i ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrje si dhe kontributin e dhënë.

Konferenca Shkencore i ka zhvilluar punimet në tri panele. Në panelin e parë është diskutuar lidhur me temën: “Auditimi i sektorit publik dhe stabiliteti fiskal”. Ndërsa në panelin e dytë është disktuar lidhur me temën: “Raportimi mbi rezultatet e auditimit”. Në kuadër të këtij paneli ka prezantuar specialistja e auditimit në Departamentin e Metodologjisë së Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, Aida Podrimaj. Kurse në panelin e tretë është diskutuar lidhur me temën: “Kontributi i auditimit të jashtëm në menaxhimin e qëndrueshëm të financave publike”.

Me këtë rast, është mbajtur edhe ngjarja ceremoniale ku kanë marrë pjesë drejtuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit nga vende të ndryshme. Në këtë aktivitet fjalë përshëndetëse kanë mbajtur kryetar i Senatit të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi, Nikolla N. Kovaçeviq, si dhe znj. Bianca Breteche, zv shefe e programit të SIGMA.

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 19-të vjetorit të themelimit të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi, Presidenti Milo Dukanovic ka organizuar pritje të veçantë për krerët e Institucioneve Supreme të Auditimit pjesëmarrës në këtë ngjarje, në mesin e tyre edhe Auditorja e Përgjithshme znj. Spanca. Me këtë rast z. Đukanović ka vlerësuar lartë punën dhe angazhimin e institucioneve supreme të auditimit, rolin dhe kontributin e tyre për menaxhim të shëndoshë dhe të qëndrueshëm të parasë publike në vendet respektive.

Auditorja e Përgjithshme, gjithashtu ka shfrytëzuar rastin që në këtë ngjarje të zhvilloj takime bilaterale me krerë të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve tjera pjesëmarrëse, me të cilët ka shkëmbyer përvojat dhe idetë për forcimin e rolit të auditimit të jashtëm në sektorin publik.

Auditorja e Përgjithshme takoi ambasadoren e Kosovës në Mal të Zi

Të martën, Auditorja e Përgjithshme është takuar edhe me ambasadoren e Kosovës në Mal të Zi, znj. Ariana Zherka Hoxha, me të cilën kanë biseduar për auditimin e jashtëm, forcimin e kontrollit dhe menaxhimit më të mirë të parasë publike në Kosovë.

Në këtë vizitë, Auditorja e Përgjithshme është shoqëruar nga Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Emine Fazliu, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Zukë Zuka, si dhe specialistja e auditimit në Departamentin e Metodologjisë, Aida Podrimaj.

Të ngjashme