Kthehu te lista
08 Nëntor 2023

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në shënimin e javës së profesionit të kontabilitetit dhe auditimit

AP ne SCAAK 1

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të mërkurën mori pjesë në Konferencën “Krijimi i vlerave – Porta e së ardhmes”, organizuar nga Shoqata e Kontabilisteve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK) me rastin e shënimit të javës së profesionit të kontabilitetit dhe auditimit.

Konferenca mblodhi përfaqësues të lartë të institucioneve publike për të diskutuar rreth trendeve, raportimeve dhe zhvillimeve të fundit me qëllim të promovimit të përgjegjësisë sociale përmes praktikave më të mira për transparencë dhe llogaridhënie në shërbim të interesit publik.

Me këtë rast Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se kontabiliteti dhe auditimi janë komponent të rëndësishëm të cilët përmbyllin ciklin e llogaridhënies dhe transparencës si dy ndër vlerat kryesore të një sistemi demokratik.

“Se roli i kontabilistit dhe auditorit është i pakontestueshëm në shoqëri flasin shumë argumente për përmirësimin e menaxhimit të financave në sektorin privat dhe publik të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë ndikim në mirëqenien e qytetarëve”, deklaroi znj. Spanca.

Ajo shtoi se është e rëndësishme që Institucionet Supreme të Auditimit të kenë një dialog kuptimplotë dhe efektiv me palët e interesit në lidhje me atë se si puna e tyre e ndihmon sektorin publik të përmirësohet dhe zhvillohet vazhdimisht.

Tutje Auditorja e Përgjithshme foli për avancimin e vazhdueshëm profesional të punonjësve të Zyrës Kombëtare të Auditimit duke thënë se në këtë proces ndikim kanë pasur edhe programet e zhvillimit dhe edukimit profesional të ofruara nga shoqatat profesionale vendore e në veçanti Shoqata e Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës.

ShKÇAK ndikoi fuqishëm në zhvillimin profesional të profesionit të kontabilistëve dhe auditorëve të Kosovës, të cilët kontribuojnë në ngritjen dhe forcimin e menaxhimit financiar në sektorin publik dhe privat.

“Zbatimi rigoroz i standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit dhe auditimit si të sektorit privat dhe të atij publik, të qenit në përputhje me parimet etike dhe vlerat që i promovojnë këto profesione padyshim janë udhërrëfyesi kryesor që hapin portën drejtë një të ardhme më të mirë për vendin tonë”, tha Spanca.

Të ngjashme