Kthehu te lista
06 Nëntor 2023

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në Simpoziumin e EUROSAI-t në Lisbonë

vizita ne lisbone 1

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës znj. Vlora Spanca, dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, z. Bezad Halilaj, me 30 dhe 31 tetor 2023 morën pjesë në Simpoziumin Ndërkombëtar për Çështjet e Shfaqura, organizuar nga Gjykata e Auditorëve të Portugalisë në partneritet me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Mbretërisë së Bashkuar dhe nën kujdesin e Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI).

Tema e debatuar nga Institucionet Supreme të Auditimit iu referua përshtatjeve dhe rregullimeve që këto institucione duhet bërë në veprimtarinë e tyre, duke pasur parasysh edhe ndryshimet ekonomiko-financiare në funksionimin e shteteve.

Sesionet u fokusuan në mënyrën se si mjedisi ekonomik në ndryshim po ndikon në shpenzimet publike, duke parë kostot e rritura të huamarrjes, kostot e inflacionit, ndryshimet demografike dhe praktikat e mira në qëndrueshmërinë financiare.

Rreth 50 përfaqësues nga 23 Institucione Supreme të Auditimit të vendeve evropiane, Gjykata Evropiane e Auditorëve dhe Gjykata e Auditorëve të Bashkimit të Brazilit, e cila aktualisht kryeson Organizatën Botërore të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) ishin të vëmendshëm ndaj fjalëve të ekspertëve nga organizatat kombëtare dhe ato ndërkombëtare, si OECD dhe Këshilli i Financave Publike, paraqitën shembuj specifik dhe debatuan për çështje të ndryshme që lidhen me ndryshimet dhe krizat e shpejta të cilave iu është nënshtruar bota.

Konkluzioni i këtij simpoziumi ishte se Institucionet Supreme të Auditimit për të ruajtur rëndësinë e tyre si akterë thelbësorë për mirëqeverisjen e burimeve publike duhet të jenë të hapura nga jashtë dhe të ndjeshme ndaj tendencave dhe zhvillimeve në sektorin publik dhe menaxhimin e tij.

Po ashtu u theksua se ndarja e praktikave të mira ndihmon Institucionet Supreme të Auditimit  për të përmirësuar ndikimin e tyre në menaxhimin publik të çdo shteti.

Të ngjashme