Kthehu te lista
12 Maj 2023

Auditorja e Përgjithshme po qëndron për vizitë zyrtare në Itali

Z72_2019

Përfitimet dhe metodologjitë e auditimit në kohë reale në fokus të takimit të liderëve të Institucioneve Supreme të Auditimit në Romë 

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi, të enjten në Romë kanë marrë pjesë në takimin e parë të grupit punues mbi përfitimet dhe metodologjitë e auditimit në kohë reale, i cili operon nën qëllimin e parë strategjik të EUROSAI-t.

Presidenti i Gjykatës së Auditorëve të Italisë, Guido Carlino, në fjalën e tij përshëndetëse për të pranishmit, ka folur për rëndësinë e auditimeve në kohë reale sidomos në situata emergjente dhe rritjen e interesimit dhe domosdoshmërinë për kryerjen e këtyre auditimeve nga Institucionet Supreme të Auditimit. Z. Carlino ka vlerësuar kontributin e përfaqësuesve të Institucioneve Supreme të Auditimit në këtë grup duke u shprehur se aktivitetet e së ardhmes do të shërbejnë për të rritur edhe më shumë sigurinë në përdorimin dhe menaxhimin e parasë publike në kohë reale.

Qëllimet e Grupit të Projektit më gjerësisht i ka prezantuar kryetari i Dhomës për Auditimin e Performancës në Menaxhimin e Administratave Shtetërore njëherësh drejtues i Zyrës së Çështjeve Ndërkombëtare të Gjykatës së Auditorëve të Italisë, Mauro Orefice.

Ndërsa presidenti i Dhomës – Kryetari i Bordit për Auditimin në kohë reale, Massimiliano Minerva,  ka prezantuar një përmbledhje/pasqyrë të auditimit në kohë reale në Itali.

Në kuadër të këtij takimi kontributin e tyre e kanë dhënë edhe liderët/përfaqësuesit nga Institucionet Supreme të Auditimit nga vende të ndryshme përmes diskutimeve dhe shkëmbimit të përvojave sa i përket  përfitimeve dhe metodologjive të auditimit në kohë reale.

Spanca dhe Carlino flasin për rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional

Në kuadër të vizitës në Itali, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, është pritur në takim të veçantë nga Presidenti i Gjykatës së Auditorëve të Italisë, Guido Carlino, i cili ka shprehur gatishmërinë e institucionit të tij për bashkëpunim ndërinstitucional përmes zhvillimit të aktiviteteve bilaterale, si dhe në kuadër të EUROSAI-t dhe INTOSAI-t.

Znj. Spanca e ka falënderuar homologun e saj për pritjen si dhe ka mirëpritur bashkëpunimin në mes të dy institucioneve në fushat me interes të përbashkët. Me këtë rast ajo ka theksuar rëndësinë që ka bashkëpunimi bilateral me homologët italianë në zhvillimin e mëtejmë profesional të personelit auditues të ZKA-së si dhe rritjen e cilësisë së auditimeve.

Auditorja e Përgjithshme takoi ambasadoren e Kosovës në Itali

Po ashtu Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të premten është takuar edhe me ambasadoren e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasimi, të cilën e ka njoftuar për punën audituese, sfidat dhe rezultatet e auditimit. Me këtë rast ambasadorja Haxhitasimi ka falënderuar znj. Spanca për vizitën, si dhe ka përgëzuar për punën e deritanishme të Zyrës Kombëtare të Auditimit e cila kontribuon në menaxhimin më të mirë të parasë publike në shtetin e Kosovës.

Të ngjashme