Kthehu te lista
28 Qershor 2022

Auditorja e Përgjithshme priti në takim Bordin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik

Takimi AP me KRPP

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka pritur sot në takim Bordin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik i kryesuar nga Osman Vishaj, Kryetar ku për qëllim kryesor kishte fuqizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e prokurimit publik nga këndvështrimet e mandateve të dy institucioneve. Në takim u diskutuan çështje me interes e që kanë të bëjnë me fushën e prokurimit publik dhe mundësitë e ZKA-së dhe KRPP-së që përmes aktiviteteve të përbashkëta të ndikojnë në përmirësimin e menaxhimit të prokurimit publik dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.

Ndër çështjet kryesore që morën vëmendje të shtuar gjatë diskutimit në takim ishin, ndryshimi i Ligjit të prokurimit publik, prokurimi elektronik dhe përmirësimi i procesit të menaxhimit të kontratave. Procesi i menaxhimit të kontratave aktualisht nuk është i rregulluar mjaftueshëm përmes akteve ligjore dhe kjo po shkakton sfida të shumta në përmbushjen praktike të kontratave, prandaj kërkon nevojën për përfshirje më të gjerë në ndryshimet e Ligjit të prokurimit publik, u theksua në takim. Për shkak se autoritetet kontraktuese nuk po janë mjaftueshëm të përgjegjshme në këtë aspekt, shpesh herë moduli i sistemit elektronik e-prokurimi që është i dizajnuar enkas për menaxhim të kontratave publike po anashkalohet. Për pasojë,  për autoritetet  përgjegjëse për monitorim të aktiviteteve të prokurimit sikurse KRPP-ja por edhe ZKA-ja gjatë procesit të auditimit hasin në vështirësi në marrjen e informatave dhe përcjelljen e procesit në tërësi.

Palët u dakorduan që të rritet bashkëpunimi në mes tyre dhe në të ardhmen të konkretizohet me trajnime, konferenca të përbashkëta dhe forma të tjera të ndërgjegjësimit, që kanë për synim të përmirësojnë në përgjithësi prokurimin publik në Kosovë.

Përveç krerëve të të dy institucioneve, në takim morën pjesë nga ZKA edhe Zevendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj, Ushtruesi i Detyrës se Departamentit të Auditimit të Prokurimit Arben Selimi, ndërsa nga KRPP, anëtarët e Bordit, Avni Sahiti dhe Fidane Spahija Gjikolli.

Të ngjashme