Parandalimi dhe luftimi i korrupsionit kërkon bashkëpunim dhe koordinim efikas dhe efektiv në mes të institucioneve të mandatuara për luftimin e kësaj dukurie, u tha nga të pranishmit në punëtorinë treditore, organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në bashkëpunim me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim (UNODC) me temën “Rritja e Bashkëpunimit ndërmjet Institucioneve Supreme të Auditimit dhe organeve kundër korrupsionit në Kosovë”.
Punëtoria interaktive ngjalli diskutime dhe debate nga pjesëmarrësit e pranishëm, deputetë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, përfaqësues nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim (UNODC), Prokuroria e Shtetit, Zyra Kombëtare e Auditimit, Policia e Kosovës, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit si dhe nga institucione të tjera.
“Pesha e punëtorisë me synimin e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet ZKA-së dhe organeve kundër korrupsionit me qëllimin e përbashkët të ngritjes së kapaciteteve për trajtimin e korrupsionit, është e madhe duke qenë se asnjë institucion si i vetëm, nuk mund t’i bëjë ballë dhe të triumfojë mbi këtë dukuri,” tha Auditorja e Përgjithshme zonja Vlora Spanca. Sikurse në çdo vend të botës, edhe në Kosovë, korrupsioni cenon parimet e demokracisë dhe shtetin e së drejtës, duke penguar rritjen e ekonomisë dhe cilësinë e ofrimit të shërbimeve. Porse, transparenca dhe llogaridhënia janë parimet bazë mbi të cilat mund të ndërtojmë një shoqëri pa korrupsion, përfundimisht duke ndikuar kësisoj në ngritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë, tha ajo.
Duke qenë dëshmitare e efekteve të dëmshme të korrupsionit në financat publike, qeverisjen dhe mirëqenien e qytetarëve, znj. Spanca tha se lufta kundër korrupsionit nuk përbën veçse një betejë ligjore apo rregullative, por është edhe obligim moral i çdonjërit nga ne për mirëqenien e gjithë qytetarëve tanë.
Përmes auditimeve, ZKA-ja vazhdon të kontribuoj në të siguruarit se institucionet publike mbahen përgjegjëse për veprimet e tyre sepse auditimet dhe rekomandimet e nxjerra ndihmojnë në zbulimin dhe parandalimin e praktikave korruptive, mbrojtjen e burimeve publike dhe promovimin e transparencës, llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë.
Në përmbyllje të punëtorisë përfaqësuesit e institucioneve pjesëmarrëse nxorën disa konkluzione dhe rekomandime lidhur me veprimet që duhet të ndërmerren për qëllim të ngritjes së bashkëpunimi dhe ndikimit në realizimin e mandatit të përbashkët që është parandalimi dhe luftimi i korrupsionit.
Duke qenë pjesë aktive e programeve të ndryshme ndërkombëtare për arsimim dhe zhvillim të kapaciteteve audituese, së fundmi auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës treguan ...
Auditoret e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Arta Kryeziu dhe Krenare Pirana, janë pranuar në pilot programin “Auditimi i të Ardhmes së Barabartë (EFA)” të Iniciativës për Zhvillim e ...
Punonjësit e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) janë duke ndjekur një plan intensiv të trajnimeve të brendshme dhe të jashtme për adresimin e nevojave dhe kërkesave të stafit për zhvillim ...
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në bashkëpunim me Zyrën e UN Women në Kosovë mbajtën tryezë pune ku u prezantuan rezultatet e auditimit të performancës “Efektiviteti i institucioneve ...