Kthehu te lista
30 Dhjetor 2022

Automatizohet transferimi i të dhënave nga Thesari te Zyra Kombëtare e Auditimit për të rritur sigurinë dhe efektivitetin e komunikimit në procesin e auditimit

Marrveshja me thesarin 1

Sot, Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Enis Spahiu dhe ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Thesarit Nysret Koca, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për transferimin automatik të të dhënave nga Ministria e Financave Punës dhe Transfereve (MFPT) dhe Thesari në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA).

Qëllimi i kësaj marrëveshje është definimi i hapave dhe përgjegjësive për transferimin automatik të të dhënave nga bazat e të dhënave të Thesarit dhe MFPT-së në bazën e të dhënave të ZKA-së, të cilat janë të nevojshme për auditim.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka krijuar bazën e të dhënave për importimin/transferimin automatik të shënimeve të librit të përgjithshëm, buxheteve, pasurive dhe shënimeve të pagave për entitetet përkatëse. Në këtë bazë të të dhënave janë krijuar tabelat për të gjitha këto shënime dhe tabelat mbështetëse për të gjitha kodet e bllokut kodues

Kjo procedurë e transferimit automatik të të dhënave do të rrisë sigurinë dhe saktësinë e shënimeve dhe transferimin e tyre në mënyrë efektive dhe efikase për qëllime të auditimit.

Palët janë zotuar që informacionin në shkëmbim ta shqyrtojnë dhe trajtojnë me kujdes dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi për sa i përket konfidencialitetit dhe mbrojtjes së të dhënave. Të gjitha të dhënat dhe informacionet të cilat vihen në dispozicion do të trajtohen vetëm për qëllime të parapara sipas marrëveshjes.

Të pranishëm në këtë takim bashkë me Auditoren e Përgjithshme ishin edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj, Drejtori i Departamentit për Planifikim Strategjik, Raportim dhe Analiza Ramadan Gashi dhe Shqipe Azemi, Specialiste e TI-së.

Marrëveshja hyn në fuqi nga sot, 30 dhjetor 2022.

 

Të ngjashme