Kthehu te lista
25 Nëntor 2022

Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor në vëmendjen e Auditores së Përgjithshme

Konferenca ne Stamboll 1

Me 23 dhe 24 nëntor, në Stamboll, është mbajtur Konferenca Rajonale për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor “Financimi transformues si një përshpejtues për barazinë gjinore: duke marrë përvojat dhe mësimet e nxjerra nga buxhetimi i përgjegjshëm gjinor” e organizuar nga UN Women. Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca ka marrë pjesë në  punimet e konferencës ku ka mbajtur një fjalë rasti duke i dhënë një vëmendje të veçantë buxhetimit dhe zbatimit të përgjegjshëm të fondeve për barazi gjinore, me qëllim të rritjes së llogaridhënies dhe transparencës për përdorimin e tyre.

Konferenca ka pasur në fokus të punimeve shkëmbimin e përvojave ndërmjet, vendimmarrësve, zyrtarëve të lartë publikë, avokatëve gjinorë, organizatave të shoqërisë civile dhe mediave; për të mësuar nga praktikat më të mira rajonale dhe globale; si dhe për të parë nga e ardhmja se si të përmirësohet më tej zbatimi i buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në arritjen e barazisë gjinore.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në fjalën e saj ka falënderuar UN Women për ftesën dhe organizimin e Konferencës për të diskutuar çështjen e barazisë dhe buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, posaçërisht Auditorët e Përgjithshëm dhe Institucionet Supreme të Auditimit si institucione kyçe për të ofruar informacion objektiv dhe të pavarur nëse strategjitë dhe aktivitetet qeveritare janë duke u implementuar në mënyrë efektive.

Znj. Spanca i ka njoftuar të pranishmit për ngritjen e kapaciteteve të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës në fushën e barazisë gjinore dhe buxhetimin e përgjegjshëm gjinor si dhe i ka ftuar Auditorët e Përgjithshëm të vendeve të rajonit për ndarjen e përvojave dhe praktikave të mira me qëllim të maksimizimit të përfitimit nga auditimi i çështjeve që ndërlidhen me barazinë gjinore.

Në këtë konferencë kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të ministrive të financave, ministrive të linjës që zbatojnë buxhetin e përgjegjshëm gjinor, mekanizmave institucionalë gjinorë, kryetarëve të komunave, përfaqësuesve të pushtetit vendor, parlamenteve, Institucioneve Supreme të Auditimit, organizatave të shoqërisë civile dhe mediave të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nga Kosova pjesëmarrëse ka qenë, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, drejtori i Departamentit të Buxhetit në Ministrinë e Financave, Salvador Elmazi, Kryeshefja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, si dhe përfaqësues të tjerë institucional, të cilët në kuadër të paneleve të konferencës kanë prezantuar perspektivat e tyre nga fushat që mbulojnë.

Punimet dyditore të Konferencës Rajonale për Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor janë zhvilluar në kuadër të shtatë (7) paneleve, ku janë diskutuar tema të rëndësishme si: “Perspektiva e lidershipit dhe politikëbërësve për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor”; “Menaxhimi i Financave Publike si rrugë për arritjen e barazisë gjinore”; Ndryshimi i jetës së grave dhe burrave përmes aplikimit sektorial të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor”; “Qasjet e pranuara ndërkombëtarisht për të vlerësuar zbatimin e BPGJ-së”; “Roli i institucioneve të mbikëqyrjes publike në avancimin e barazisë gjinore”; “Zbatimi i buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në nivel lokal: praktika nga rajoni”; si dhe “Ndikimi i buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në jetën e grave dhe burrave”.

Të ngjashme