Kthehu te lista
13 Shtator 2022

Dy auditore të ZKA-së përfundojnë me sukses trajnimin regjional për auditimet e performancës

snao1

Në datat 5 – 9 shtator, në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë, në Stokholm është mbajtur moduli i fundit i trajnimit regjional për auditimet e performancës i organizuar për auditorët e Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.

Nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës, këtë program e kanë ndjekur auditoret Elira Hashani dhe Alba Keqa të cilat edhe janë certifikuar.

Ceremonia zyrtare e certifikimit është mbajtur të enjten në Stokholm në ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë , me ç’rast Auditorja e Përgjithshme, Helena Lindberg, zyrtarisht ka bërë shpërndarjen e certifikatave.

Ky program trajnimi ka filluar në mars të vitit 2021 dhe ka përmbajt shtatë module. Trajnimet janë zbatuar me sukses përmes sesioneve punuese  përfshirë seminare të ndryshme përmes të cilave ekipet kanë punuar drejtpërdrejtë në auditime të performances duke aplikuar metodat kualitative dhe kuantitative, mbajtjen e intervistave, mbledhjen e të dhënave, përcjelljen e auditimit dhe procesin e publikimit të raportit. Përgjatë gjithë programit auditoret kanë qenë nën mentorimin e Udhëheqëses së Ekipit, Fexhrie Thaqi, dhe kanë marrë udhëzime dhe mbështetje nga trajnerët e Zyrës së Auditimit të Suedisë. Programi është përmbyllur me testime të njohurive dhe shkathtësive në auditim të performancës nëse auditoret janë në gjendje që aftësitë e fituara t’i zbatojnë në praktikë.

Ky program trajnimi është përmbyllur me mbajtjen e moduleve për udhëheqësit e ekipeve të auditimit të performancës me fokus në hartimin e raportit, teknikat dhe metodologjinë për mbikëqyrjen e auditimit, kontrollin dhe sigurimin e cilësisë në auditim.

Gjatë vizitës studimore në Suedi, auditorët e performancës kanë vizituar Parlamentin e Suedisë, ku për së afërmi janë njohur për perspektiven parlamentare për auditimet e performancës dhe aktivitetet e deputetëve lidhur me shqyrtimin e raporteve të auditimit.

Të ngjashme