Kthehu te lista
26 Janar 2023

Institucionet Supreme të Auditimit të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut përmes auditimit duan të fuqizojnë pozitën e grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës

AP 1

Krerët e Institucioneve Supreme të Auditimit të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me mbështetjen e UN Women kanë mbajtur një takim të përbashkët për intensifikimin e bashkëpunimit për realizimin e auditimit të përbashkët të performancës me temën “Fuqizimi i grave në zonat rurale nëpërmjet përfshirjes së tyre në tregun e punës”, duke përfshirë elaborimin e kësaj temë, planin e punës dhe afatet e raportimit.

Me këtë rast Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se përfitimi i një auditimi të përbashkët duke pasur parasysh edhe mbështetjen në ngritjen e kapaciteteve audituese nga UN Women do t’i shtojë vlerë këtij auditimi e posaçërisht  referimit të praktikave të mira rajonale e ndërkombëtare lidhur me zbatimin e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm përkatësisht qëllimit të pestë barazia gjinore dhe fuqizimi i grave dhe vajzave.

Znj. Spanca është zotuar për pjesëmarrjen e Zyrës Kombëtare të Auditimit në auditimin e  përbashkët të performancës me institucionet homologe në rajon dhe për angazhimin e ekipit auditues që t’i adresojnë çështjet me interes të përbashkët sa i përket fuqizimit të grave dhe vajzave në vend.

Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit që kanë të bëjnë me vlerat dhe dobitë e institucioneve supreme të auditimit kanë vendosur përgjegjësi të madhe për ne që të veprojmë në interes të publikut dhe t’i përgjigjemi me kohë dhe në mënyrë adekuate  sfidave të qytetarëve dhe pritjeve të palëve të ndryshme të interesit.

Andaj, auditimi i performancës me temën “Fuqizimi i grave në zonat rurale nëpërmjet përfshirjes së tyre në tregun e punës”, është një temë e qëlluar dhe është prioritet i ZKA-së në drejtim të adresimit të çështjeve që kanë të bëjnë me fuqizimin e grave dhe vajzave.

Fushëveprimi i auditimit do të jetë tek investimi në formimin profesional të grave në zonat rurale; mbështetja për krijimin e vendeve të punës si dhe investimi në shërbimet publike.

Përveç Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca, pjesë e takimit kanë qenë edhe Auditori i Përgjithshëm i Maqedonisë së Veriut, Maksim Acevski, Drejtoresha e Përgjithshme e Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë, Marjola Llana, Sekretarja e Përgjithshme, si dhe Ermira Lubani nga UN Women.

Në shërbim të këtij projekti të përbashkët dhe adresimit të çështjeve të trajtimit gjinor, një ditë më parë, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka pritur në takim të veçantë  Ermira Lubanin, specialiste e Programit në UN Women. Znj. Spanca e ka falënderuar mysafiren për bashkëpunimin dhe mbështetjen në këtë proces duke thënë se ZKA-ja do të jetë e përkushtuar maksimalisht për këtë iniciativë të rëndësishme e cila do të mundësoj shkëmbimin e praktikave më të mira në mes të auditorëve të Institucioneve Supreme të Ballkanit Perëndimor.

Të ngjashme