Kthehu te lista
23 Maj 2023

Komisioni parlamentar për Mbikëqyrje të Financave Publike shqyrtoi Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2022

RVP2022 ne KMFP kryesore - Copy

Të martën në Kuvendin e Kosovës, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP) ka shqyrtuar Raportin Vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2022.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, para deputetëve, ka prezantuar aktivitetet, të arriturat dhe sfidat që e kanë karakterizuar ZKA-në gjatë vitit 2022, si dhe i është përgjigjur interesimit të ligjvënësve për çështjet e parashtruara.

Auditorja e Përgjithshme ka deklaruar se për vitin raportues ZKA-ja ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe afatet ligjore për punën audituese, duke realizuar me sukses Planin Vjetor të Auditimit duke publikuar 127 raporte të auditimit.

“Prej 127 auditimeve, 116 i takojnë auditimeve të pasqyrave vjetore financiare, që përfshijnë Auditimet Financiare dhe të Pajtueshmërisë, prej tyre; raporti për buxhetin e shtetit, 90 auditime të organizatave buxhetore, 12 ndërmarrje publike dhe 13 raporte të donatorëve. Ndërsa kemi kryer 10 raporte të performancës dhe një (1) raport me informatat të nivelit të kufizuar”, ka deklaruar znj. Spanca.

Ajo ka theksuar se përveç auditimeve mandatore, ZKA-ja gjatë këtij viti është përqendruar në auditimet e institucioneve tjera publike dhe ndërmarrjeve publike të cilat nuk ishin audituar një kohë të gjatë nga auditimi shtetërorë, siç janë: Korporata Energjetike e Kosovës, KOSTT-i, RTK-ja dhe projekte kapitale me peshë të lartë financiare. Gjithashtu, ka shtuar se fokus i veçantë i është dhënë edhe auditimit të sistemeve të teknologjisë së informacionit me rëndësi shtetërore dhe strategjike.

Znj. Spanca më tutje i ka njoftuar deputetët se rezultatet e auditimit kanë nxjerrë në pah një numër dobësish në shumicën e organizatave buxhetore dhe entitete tjera nëpër kategori ekonomike, të cilat kanë rezultuar në menaxhim të dobët të fondeve publike si dhe mos arritjen e vlerës për para. “Dobësitë kryesore të identifikuara gjatë këtyre auditimeve janë vërejtur tek kategoritë ekonomike, si: të hyrat, pagat, mallrat dhe shërbimet, subvencione dhe transfere, investime kapitale, dhe pasuritë”, ka thënë znj. Spanca.

Më qëllim të përmirësimit të  menaxhimit të financave publike, Auditorja e Përgjithshme, ka treguar se ZKA-ja ka dhënë 1030 rekomandime të cilat mbulojnë vitin 2021 dhe sipas vlerësimeve të fundit është vërejtur një progres i lehtë në rritjen e shkallës së zbatimit të rekomandimeve të auditimit nga 45% në 50%, përkundër se ky nivel edhe më tutje mbetet mjaftë i ulët.

Për të rritur cilësinë e auditimit dhe për të përforcuar më tej sigurinë e informacioneve,  znj. Spanca, ka deklaruar se ZKA-ja gjatë vitit 2022, ka avancuar metodologjinë për auditime financiare dhe të pajtueshmërisë, si dhe përfundimisht ka funksionalizuar në tërësi digjitalizimin e punës audituese përmes sistemit elektronik të saj.

Rëndësi të veçantë, edhe gjatë këtij viti i është  dhënë trajtimit dhe adresimit të çështjeve me mundësi potenciale për mashtrim e korrupsion, duke dërguar në Prokurori të Shtetit 77 raste me elemente potenciale të veprave penale, mashtrimit dhe korrupsionit.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca i ka informuar deputetët edhe për menaxhimin financiar dhe administrativ të ZKA-së, burimet njerëzore, zhvillimin profesional të stafit si dhe komunikimin dhe bashkëpunimin me publikun dhe palët e interesit. Ajo ka theksuar se nga auditimi i jashtëm i Pasqyrave Vjetore Financiare për vitin 2022, ZKA-ja ka marrë opinion të pamodifikuar gjë që e gëzon ky fakt, ndërsa për çështjet e identifikuara nga auditori ajo ka shtuar se, pavarësisht se ato konsiderohen jo materiale menjëherë ka ndërmarrë të gjitha masat për t’i adresuar dhe forcuar kontrollet e brendshme.

Duke folur për performancën e ZKA-së znj. Spanca, ka treguar se në aspektin kombëtar është forcuar më tej partneriteti me komisionet parlamentare dhe shoqërinë civile, kurse në aspektin ndërkombëtar është avancuar bashkëpunimi me Institucionet Supreme të Auditimit përmes aktiviteteve të ndryshme në kuadër të EUROSAI-t dhe INTOSAI-t. Po ashtu ka vazhduar bashkëpunimi me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë në fusha të ndryshme të zhvillimit institucional, me theks në auditimet e performancës dhe planifikimit strategjik.

Gjithashtu znj. Spanca ka treguar se në vitin 2022 është adresuar në Kuvend dhe Qeveri inicimi i procesit për plotësim/ndryshim të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit. Ajo ka kërkuar mbështetjen e deputetëve për jetësimin e kësaj nisme e cila do të mundësonte realizimin e auditimeve të bazuara në rrezik dhe me më shumë interes për qytetarët, si dhe do të rriste numrin e auditimeve të performancës.

Nga ana tjetër deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, njëherësh anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike kanë vlerësuar punën e ZKA-së gjatë periudhës raportuese si dhe kanë ngritur për diskutim çështje të ndryshme që ndërlidhen me aktivitetet e ZKA-së.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve të cilat kryesisht kishin të bëjnë me adresimin e rasteve me elemente potenciale për mashtrim në Prokurori; lëvizjet e stafit; zgjidhja e çështjes së objektit të ZKA-së; ndryshimi i Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm; si dhe Ligjin e Pagave, përkatësisht ndikimin e tij në ZKA me hyrjen në fuqi.

 

Të ngjashme