Kthehu te lista
08 Qershor 2022

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere miratoi Raportin Vjetor Financiar të ZKA-së për vitin 2021

Foto AP ne KBPT

Sot, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere (KBPT) ka vazhduar punimet nga mbledhja e së premtes, 3 qershor 2022, ku në rend të ditës përveç tjerash ishte edhe votimi i  Raportit Vjetor Financiar i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2021 si dhe shqyrtimi i kërkesës së ZKA-së për vendosjen në objekt publik.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në mbledhjen e së premtes ka prezantuar dhe arsyetuar në mënyrë të detajuar raportin, duke u fokusuar në strukturën e buxhetit, qëllimet e përdorimit dhe rezultatet e arritura.

Znj. Spanca ka bërë me dije se krahasuar me vitin paraprak, si dhe në bazë të një analize të përgjithshme të shpenzimeve dhe përmbushjes së detyrave audituese sipas Planit Vjetor të Auditimit, gjatë vitit 2021, shpenzimet janë më të ulëta për rreth 11 për qind. Në uljen e shpenzimeve ka ndikuar përfundimi i projektit “Softueri për menaxhimin e auditimit – SITA” si dhe situata e krijuar nga pandemia COVID-19, ku në masë të madhe shpenzimet janë kufizuar, por edhe racionalizuar.

Tutje Auditorja e Përgjithshme ka treguar para deputetëve se kategoria ekonomike për Paga dhe mëditje, tërheq përqindjen më të madhe të shpenzimit të ZKA-së prej 80%; Mallra dhe shërbime 17.0%; Shërbimet komunale 1.3%; si dhe Shpenzimet kapitale 1.7%.

Znj. Spanca ka thënë se shqetësim serioz vazhdon të jetë qiraja e objektit e cila tërheq përqindjen më të madhe të shpenzimit të kategorisë Mallra dhe Shërbime prej 35.4%. Ajo ka kërkuar nga Kuvendi që ta adresojë këtë çështje në mënyrë që të bëhet një zgjidhje për vendosjen e përhershme të ZKA-së në një objekt shtetëror dhe këto shpenzime të mos jenë barrë as për ZKA-në dhe as për buxhetin e shtetit.

Gjithashtu, ajo ka njoftuar se përveç qirasë së objektit, vlerë të theksuar të shpenzimit tërheq edhe mirëmbajtja e sistemit elektronik të auditimit (SITA), i cili mundëson që puna audituese të kryhet me efikasitet dhe cilësi si dhe ofron siguri në procesin auditues.

Tutje duke folur për aktivitetin dhe punën e ZKA-së, znj. Spanca ka thënë se nuk ka pasur mundësi të plotësohen nevojat me staf shtesë për shkak të deficiti buxhetor të akumuluar ndër vite. Sipas Auditores së Përgjithshme për të parandaluar trendin e menaxhimit me deficit buxhetor dhe për të vendosur kontrolle adekuate është rishikuar struktura organizative, janë shuar disa pozita të cilat janë konsideruar të panevojshme, janë fuzionuar disa njësi të departamenteve mbështetëse si dhe është formuar një departament i veçantë për planifikimin e punës dhe orientimin strategjik të ZKA-së.

Po ashtu Auditorja e Përgjithshme i ka njoftuar deputetët se gjatë vitit 2021, ZKA-ja ka përfunduar dhe publikuar 131 raporte të auditimit, katër më shumë se në vitin paraprak.

Në mbledhjen e sotme Komisioni ka miratuar Raportin Vjetor Financiar të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021, ndërsa si pikë e veçantë e rendit të ditës ka qenë edhe shqyrtimi i kërkesës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vendosjen në objekt publik.

Me këtë rast, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka kërkuar nga Komisioni që të aprovohet kërkesa e ZKA-së në mënyrë që shpenzimet e përvitshme për qiranë e objektit të mos jenë barrë e vazhdueshme për ZKA-në dhe buxhetin e shtetit.

Znj. Spanca gjatë arsyetimit të kësaj kërkese, ka treguar se aktualisht vlera e kontratës mujore për objektin e ZKA-së në lagjen Arbëria, është 13 mijë e 500 euro, ndërsa 162 mijë euro për një vit. Auditorja e Përgjithshme, ka theksuar se kontrata për qira të objektit është pesëvjeçare por mund të ndërpritet kurdo që të gjendet një zgjidhje.

“Përkundër adresimit të vazhdueshëm të kësaj çështjeje ende nuk është bërë ndonjë zgjidhje për vendosje të përhershme në një objekt shtetëror. Meqë ZKA-ja është institucion që mbikëqyret dhe mbështetet nga Kuvendi, shfrytëzoj rastin që të kërkoj nga ju adresimin e kësaj çështje, në mënyrë që njëherë e përgjithmonë, kjo zyre të dal nga objektet private”, është shprehur Spanca.

“Përveç tjerash, operimi i ZKA-së në objekte me qira e ekspozon këtë Institucion me rrezikim të imazhit dhe pavarësisë se tij për shkak të ndjeshmërisë që bart, roli dhe misioni i tij”, ka theksuar Auditorja e Përgjithshme.

Anëtarët e Komisionit njëzëri mbështetën rekomandimin, i cili i dërgohet Kryesisë së Kuvendit, Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, që në një afat sa më të shpejtë të gjendet një objekt publik për vendosjen e ZKA-së.

Të ngjashme