Kthehu te lista
15 Nëntor 2022

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike i Kuvendit shqyrtoi Planin Vjetor të Auditimit 2022/23, Auditorja e Përgjithshme zotohet për auditime cilësore dhe me interes për qytetarët

1 pva ne kmfp

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP) në mbledhjen e së martës ka shqyrtuar Planin Vjetor të Auditimit për sezonin 2022/23 të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA). Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, para anëtarëve të Komisionit e ka prezantuar në detaje këtë Plan si dhe ka dhënë shpjegimet e nevojshme.

Me këtë rast znj. Spanca ka bërë me dije se misioni i saj është që t’i sigurojë Kuvendit të Kosovës, autoriteteve tjera dhe qytetarëve, informacion objektiv dhe të pavarur mbi funksionimin e institucioneve publike lidhur me menaxhimin e financave publike. “Mbi këtë bazë, çështje e padiskutueshme është kryerja e auditimeve cilësore në përputhje me legjislacionin në fuqi, Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit dhe me interes për Kuvendin e qytetarët”, është shprehur ajo.

Auditorja e Përgjithshme, i ka informuar deputetët se Plani Vjetor i Auditimit 2022/23 është përgatitur duke pas parasysh kapacitetet ekzistuese njerëzore dhe financiare të ZKA-së të cilat ende nuk janë të mjaftueshme për të përmbush nevojat dhe pritjet.

Znj. Spanca, ka treguar se për sezonin auditues 2022/23 janë planifikuar 134 auditime. Prej të cilave, 113 auditime financiare dhe të pajtueshmërisë që mbulojnë pasqyrat financiare për vitin 2022, duke filluar nga auditimi i Raportit vjetor financiar të Qeverisë së Republikës së Kosovës, pasqyrave financiare për institucionet publike, ministritë, institucionet e pavarura, komunat, ndërmarrjet publike si dhe fondet e donatorëve.

Në planin e auditimit janë përfshirë 11 Ndërmarrje Publike, prej tyre 5 janë nga niveli qendror, 2 regjionale si dhe 4  nga niveli lokal.

Po ashtu Auditorja e Përgjithshme ka bërë me dije se për dallim nga vitet e mëparshme për herë të parë është përfshirë edhe auditimi i Pasqyrave Financiare të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Ndërsa sa i përket auditimeve të performancës, Auditorja e Përgjithshme ka treguar se janë planifikuar 18 auditime të kësaj fushe, disa prej tyre me kombinim të pajtueshmërisë. Znj. Spanca, ka thënë se përmes këtyre auditimeve mbulohen fusha me rëndësi ekonomike, sociale, shëndetësore, arsimore, mediale, kulturore e sportive, si dhe tema të rëndësishme në prokurim publik, projekte nga donatoret, si dhe auditime të sistemeve të informacionit. Përzgjedhja e temave të performancës është bërë më kontributin e Shoqërisë Civile, organizatave profesionale, komunitetit të donatorëve dhe ekspertëve të fushave. Në Planin vjetor të auditimit janë përfshirë dy tema si rezultat i propozimeve të tyre.

Gjatë vitit 2022, ZKA për herë të parë ka pranuar dhe ka marrë në konsideratë raportime të ndryshme nga palët e jashtme, në veçanti nga qytetarët e Kosovës (21 raportime). ZKA, i ka adresuar këto raportime tek ekipet e auditimit për trajtim të mëtutjeshëm, si dhe ka përfshirë një temë audituese në fushën e performancës.

Në lidhje më ketë, Auditorja e Përgjithshme i falënderon qytetarët e Republikës se Kosovës për besueshmërinë që kanë treguar për Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe inkurajon ata që të ofrojnë informacione kurdo që vlerësojnë që ka parregullsi, mos pajtueshmëri më ligjin apo potencial për mashtrim. “Kësisoj sepse, përveç që do të na ndihmojnë neve si Institucion, do ti ndihmojnë edhe mirëqenies se tyre në të ardhmen”, ka theksuar znj. Spanca.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në bazë të mandatit kushtetues dhe ligjor ka  shprehur përkushtimin e saj dhe të ZKA-së që në mënyrë rigoroze të zbatoj standardet ndërkombëtare të auditimit përmes dhënies se opinioneve për pasqyra financiare të cilat duhet të reflektojnë gjendjen e vërtetë, të drejtë dhe të saktë të informatave financiare.

Planin Vjetor të Auditimit për sezonin 2022/23 mund ta gjeni këtu.

 

Të ngjashme