Kthehu te lista
21 Dhjetor 2022

Konferenca Vjetore “Plani strategjik 2023-2026”

ALL_2776

Zyra Kombëtare e Auditimit të martën ka mbajtur Konferencën Vjetore me temën “Plani strategjik 2023-2026”. Punimet e konferencës janë zhvilluar në dy panele, ku është prezantuar për diskutim draft Plani strategjik 2023-2026, si dhe është diskutuar për sfidat e mundshme dhe realizimin e planit vjetor të punës 2022 – 2023.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në fjalën e saj të hapjes së punimeve të konferencës, ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrje dhe kontributin e dhënë për arritjen e sukseseve të vazhdueshme të ZKA-së.

Znj. Spanca, ka vlerësuar se Zyra Kombëtare e Auditimit është ndërtuar mbi baza të forta ligjore dhe institucionale, ka staf kompetent dhe të përkushtuar, dhe si anëtare e INTOSAI dhe EUROSAI, po jep kontributin e saj edhe në aktivitete ndërkombëtare dhe në  kuadër të grupeve të ndryshme punuese të këtyre organizatave.

Auditorja e Përgjithshme, ka thënë se gjatë kësaj periudhe ka marrë vendime të përgjegjshme të cilat kanë sjellë ndryshime në menaxhim për të vendosur sistem adekuat për adresimin dhe përmbushjen e vizionit strategjik.

Kryerja e auditimeve duke respektuar plotësisht standardet ndërkombëtare të auditimit, dhe në interes të qytetarëve dhe Kuvendit të Kosovës, është prioritet i ZKA-së. “Besueshmëria në punën tonë audituese është thelbësore dhe shumë domethënëse, prandaj edhe është vendosur në vizionin tonë strategjik”, është shprehur Spanca.

Sidoqoftë, karshi rezultateve te mira dhe sukseseve të treguara, ZKA-ja para vetes ka një numër objektivash të cilat synon t’i përmbush, prandaj edhe nevojiten plane, veprime dhe mbikëqyrje adekuate.

Ndërsa Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, ka prezantuar qëllimet kryesore të Planit Strategjik të ZKA-së, përmes së cilit synohet avancimi i pavarësisë institucionale në përputhje me parimet kyçe të INTOSAI-t; ZKA-ja të jetë institucion shembull në sektorin publik duke respektuar parimet dhe vlerat kyçe lidhur me integritetin, llogaridhënien dhe transparencën në proceset tona të brendshme organizative. Gjithashtu,  komunikimi me Kuvendin dhe institucionet e tjera të rivendoset në një rol më proaktiv dhe dinamik, me dialog të sinqertë dhe të vazhdueshëm, në mënyrë që të ndihmojë autoritetet të marrin vendime të qëndrueshme dhe të bazuara ne informata të sakta.

Në sesionin e parë, grupi punues/drejtuesit e departamenteve përkatëse kanë shpalosur në detaje objektivat dhe qëllimet e draft Planit strategjik, duke konstatuar se realizimi i tyre do ta ndihmojë ZKA-në të rris edhe më tej kredibilitetin institucional për të kryer misionin e saj në mënyrë të pavarur dhe objektive dhe për të përmbushur pritjet e qytetarëve. Me këtë rast stafi ka dhënë kontributin e tij nëpërmjet pyetjeve dhe komenteve të cilat i kanë shtuar vlerë prezantimit të Planit.

Ndërsa në sesionin tjetër, punonjësit e ZKA-së në kuadër të grupeve punuese kanë diskutuar dhe kanë dhënë kontributin e tyre për mënyrën e realizimit të planit të punës dhe sfidat që mund të shfaqen. Mbi këtë bazë janë ngritur çështje me interes/të rëndësishme të cilat do të merren parasysh në planin operativ dhe kohor të punës.

Në kuadër të Konferencës është bërë edhe shpërndarja e jubileve për punonjësit e ZKA-së  si dhe falënderimet për ish kolegët që tashmë nuk janë pjesë e Zyrës.

Të ngjashme