Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka qëndruar për vizitë zyrtare në Shqipëri, ku ka marrë pjesë në aktivitetet e organizuara në kuadër të shënimit të 98-vjetorit të themelimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH).
Ceremonia kryesore për shënimin e kësaj date të rëndësishme për institucionin, është hapur me një fjalë rasti nga kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, i cili tha se ky rrugëtim i gjatë i institucionit në çdo etapë është karakterizuar me sfida dhe suksese.
Shehu, u shpreh se KLSH-ja është e dedikuar të përmbush misionin dhe vizionin e saj dhe se synon të jetë institucion i besueshëm që i kontribuon qeverisjes së mirë dhe menaxhimit më të mirë të burimeve publike.
“Nevoja për të audituar ‘llogaritë’ e qeverive, i përket çdo kohe dhe çdo shteti. Kujtesa historike i shërben pasurimit të dijeve të brezit të ri dhe kontribuon në kulturën ligjore dhe institucionale, që duhet të kenë së pari vendimmarrësit publikë, por edhe çdo qytetar shqiptar i përgjegjshëm, i interesuar për shtetin dhe mënyrën e funksionimit të tij”, ka thënë kryetari Shehu.
Para të pranishmëve ka folur edhe Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, e cila ka uruar homologun e saj dhe kolegët nga KLSH-ja për rrugëtimin gati një shekullor. Ajo ka thënë se lidhja natyrale në mes të vendeve dhe interesi i përbashkët profesional e kombëtar çon drejtë avancimit të qëndrueshëm të bashkëpunimit në mes të dy institucioneve me qëllim që rezultatet e auditimit të përmirësojnë qeverisjen dhe shërbimet ndaj qytetarëve në të dyja vendet. Znj. Spanca ka vlerësuar se bashkëpunimi cilësor dhe frytdhënës midis ZKA-së dhe KLSH-së ka bazë të fortë që është zhvilluar ndër vite e cila i ka shërbyer ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe modernizimit të dyja institucioneve.
“Ne kemi fuqinë të ndryshojmë jetën e qytetarit. Këtë e bëjmë përmes fuqizimit të llogaridhënies, transparencës dhe integritetit në qeverisjen e institucioneve publike, por edhe duke shërbyer si organizata model. Lirshëm mund të shprehem se KLSH udhëheqë si institucion shembull”, është shprehur Spanca.
Me këtë rast edhe Auditori i Përgjithshëm i Maqedonisë se Veriut, Maksim Acevski, ka mbajtur një fjalë përshëndetëse, duke uruar KLSH-në për gjithë rrugëtimin si dhe duke i uruar suksese edhe në të ardhmen.
Në ceremoninë e themelimit të KLSH-së kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë nga institucione vendore të Republikës së Shqipërisë si dhe përfaqësues nga Institucionet Supreme të Auditimit nga rajoni.
Kryetari Shehu ka vlerësuar lartë prezencën e tyre duke shprehur falënderimet e tij për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe se është i nderuar që këtë ngjarje të veçantë po e shënon së bashku me kolegë nga Institucionet Supreme të Auditimit të vendeve të tjera.
Në këtë vizitë Auditorja e Përgjithshme ka qenë e shoqëruar nga Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Agron Fetiu, drejtori i Departamentit për Planifikim Strategjik, Raportim dhe Analiza, Ramadan Gashi, si dhe drejtori i Departamentit të Auditimit, Mehmet Muçaj.
Duke qenë pjesë aktive e programeve të ndryshme ndërkombëtare për arsimim dhe zhvillim të kapaciteteve audituese, së fundmi auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës treguan ...
Auditoret e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Arta Kryeziu dhe Krenare Pirana, janë pranuar në pilot programin “Auditimi i të Ardhmes së Barabartë (EFA)” të Iniciativës për Zhvillim e ...
Punonjësit e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) janë duke ndjekur një plan intensiv të trajnimeve të brendshme dhe të jashtme për adresimin e nevojave dhe kërkesave të stafit për zhvillim ...
Parandalimi dhe luftimi i korrupsionit kërkon bashkëpunim dhe koordinim efikas dhe efektiv në mes të institucioneve të mandatuara për luftimin e kësaj dukurie, u tha nga të pranishmit në ...