Kthehu te lista
30 Shtator 2022

Kosova dhe Maqedonia e Veriut angazhohen për rritjen e ndikimit të auditimit të jashtëm për menaxhim më të mirë të financave publike

1

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka pritur të premten për vizitë bilaterale Auditorin e Përgjithshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Maksim Acevski.

Me këtë rast, Auditorja e Përgjithshme, e ka njoftuar homologun e saj, për zhvillimet e fundit në Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe planet për te ardhmen, në veçanti për procesin e auditimit dhe Planin Vjetor të Auditimit për sezonin 2022/2023, i cili është mjaftë ambicioz dhe përfshin tema të rëndësishme që janë me interes për vendin dhe qytetarët.

Znj. Spanca, ka shprehur përkushtimin e saj për vazhdim të bashkëpunimit në mes të dy institucioneve, në arritjen e objektivave dhe rezultateve të mëtutjeshme. Ajo, ka rikujtuar se ZKA-ja dhe Enti Shtetëror i Revizionit të Maqedonisë së Veriut, kanë pasur bashkëpunim në vazhdimësi, dhe ky bashkëpunim është forcuar edhe më tutje me nënshkrimin e marrëveshje së bashkëpunimit, e cila i ka shërbyer ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe modernizimit të dyja institucioneve.

Nga ana tjetër Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Maksim Acevski, ka falënderuar homologen e tij për mikpritjen, si dhe ka rikonfirmuar përkushtimin personal dhe institucional për thellimin e mëtutjeshëm të raporteve në mes të dy institucioneve.

Z. Acevski, gjithashtu ka prezantuar zhvillimet më të fundit në Entin Shtetëror të Revizionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me theks të veçantë në angazhimet e institucionit që udhëheqë, për t’i ofruar Parlamentit dhe palëve tjera të ineteresit informacion të bazuar dhe të besueshëm se si po menaxhohen fondet publike.

Në këtë rast, palët u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët me qëllim të ngritjes së mëtejme të kapaciteteve profesionale dhe të rritjes së ndikimit në menaxhimin më të mirë të financave publike në të dy vendet.

Në fokus të këtij bashkëpunimi do të jetë shkëmbimi  i përvojës  në fushën e metodologjisë së auditimit të jashtëm, trajnime të përbashkëta profesionale, si dhe mbajtja e konsultimeve,  hulumtimeve, seminareve, e konferencave të përbashkëta.

Në këtë vizitë Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Maksim Acevski, ka qenë i shoqëruar nga Zëvendës Auditor i Përgjithshëm, Orhan Ademi; Ndihmës Auditorja e Përgjithshme,  Tanja Janevska, Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Rosica Shalevikj Hristovska, Udhëheqësja e Auditimit, Maja Jovanovska Cvetkovski, Auditorja kryesore, Albiona Mustafa Muhadjiri, si dhe auditorja Katerina Terzioska.

Ndërsa Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, është shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Qerkin Morina, Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Emine Fazliu, dhe drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qëndresa Mulaj.

 

 

 

 

Të ngjashme