Kthehu te lista
19 Maj 2022

Kryetari i Kuvendit Konjufca, i jep rëndësi të veçantë auditimit të jashtëm

Takimi i suedezve me kryetarin konjufca

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, deputetja e Parlamentit të Suedisë, Mia Sydow Mölleby, ish-deputetja e Parlamentit të Letonisë, njëherësh ish-Auditore e Përgjithshme dhe eksperte e SIGMA-s, Inguna Sudraba, si dhe këshilltari i lartë në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë, Dag Levin Sparr,  janë pritur të enjten në takim nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.

Ky takim është realizuar në kuadër të vizitës së tyre në shtetin e Kosovës ku kanë marrë pjesë në punëtorinë e organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës me temën: “Rritja e ndikimit të auditimit përmes zbatimit të rekomandimeve”.

Me këtë rast deputetja suedeze Mia Sydow Mölleby e ka njoftuar kryetarin Konjufca në lidhje me bashkëpunimin e mirë të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë me Parlamentin, si dhe ka ndarë më të praktikat e mira të Parlamentit suedez në fushën e mbikëqyrjes se menaxhimit të fondeve publike.

Nga ana tjetër kryetari Konjufca, pasi ka vlerësuar rëndësinë e auditimit të jashtëm, ka falënderuar mysafirët për gatishmërinë e tyre që të bartin në Kosovë përvojat e tyre në këtë fushë.

Në kuadër të kësaj vizite deputetja suedeze,  zyrtarët e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe përfaqësuesit nga SIGMA, gjithashtu, kanë zhvilluar disa takime pune në Zyrën Kombëtare të Auditimit. Me këtë rast janë pritur nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, dhe bashkëpunëtorët e saj.

Në fokus të veçantë, këto takime kanë pasur, shkëmbimin e përvojave në lidhje me zbatimin e rekomandimeve, komunikimin dhe bashkëpunimin e Institucioneve Supreme të Auditimit me Parlamentin dhe bashkërendimin e aktiviteteve për të përmirësuar performancën e menaxhimit të financave publike.

Të pranishmit kanë vlerësuar lartë bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe shumëvjeçar në mes të dy institucioneve si dhe kanë shprehur gatishmërinë për të avancuar edhe më tej partneritetin në mes tyre.

Gjithashtu, mysafirët kanë pasur mundësinë të njoftohen më në detaje lidhur me arritjet dhe zhvillimet e fundit në Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe për nevojën e ndryshimit të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, në mënyrë që Ligji i ri të reflektoj kërkesat e standardeve ndërkombëtare të institucioneve supreme të auditimit.

Të ngjashme