ZKA-ja synon rritjen e bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile gjatë gjithë procesit të auditimit
Në kuadër të bashkëpunimit dhe partneritetit me organizatat e shoqërisë civile, shoqatat profesionale dhe donatorët, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka mbajtur të mërkurën tryezën me temën “Fuqizimi i bashkëpunimit mes ZKA-së dhe shoqërisë civile për të rritur ndikimin e auditimit në institucionet publike”.
Në këtë tryezë zyrtarë të lartë të ZKA-së dhe përfaqësues të OShC-ve, shoqatave profesionale dhe donatorëve kanë trajtuar tema të rëndësisë së veçantë dhe me interes për t’u audituar nga Zyra Kombëtare e Auditimit në sezonin auditues 2022 – 2023.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, është shprehur se qëllimi kryesor i kësaj tryeze është rritja e bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe nxitja e transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e fondeve publike.
“Kjo tryeze është vazhdimësi e bashkëpunimit që institucioni ynë ka me organizatat e shoqërisë civile dhe palët tjera të interesit. Bashkëpunimi i ZKA-së si një Institucion Suprem i Auditimit me ju është i një rëndësie të veçantë për shkak se jo vetëm që marrim nga ju informacion lidhur me problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët dhe problematikat e menaxhimit të fondeve publike mirëpo përmes këtij bashkëpunimi ne rrisim edhe besimin e publikut për punën tonë”, ka deklaruar znj. Spanca.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka bërë më dije se deri më tani angazhimi i shoqërisë civile ka qenë kryesisht në dhënien e kontributit në përzgjedhjen e temave të auditimit. Mirëpo, objektivë strategjike e ZKA-së është që shoqëria civile të përfshihet edhe në fazat e tjera gjatë kryerjes se auditimit mirëpo edhe në fazën e raportimit. “Përmes kësaj synojmë të rrisim transparencën, llogaridhënien, pjesëmarrjen demokratike dhe besimin e publikut. Kjo rregullohet edhe me standardet ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të auditimit (ISSAI 20) që rregullojnë parimet e transparencës dhe llogaridhënies”, është shprehur znj. Spanca.
Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi, ka prezantuar informata mbi procesin, metodologjinë e auditimit dhe synimin e ZKA-së që të trajtojë me përparësi tema të interesit publik për auditimet e performancës. Gashi në vazhdim ka prezantuar para pjesëmarrësve disa tema të mundshme për auditim në fusha të ndryshme siç janë zhvillimi ekonomik, mjedisi dhe siguria, mirëqenia ekonomike dhe sociale, arsim dhe kulturë, prokurim publik si dhe sisteme dhe teknologji të informacionit. Ajo ka sqaruar se për identifikimin e këtyre temave nga stafi auditues janë marrë për bazë raportimet në media dhe problematikat më të shprehura përmes raportimeve apo diskutimeve publike.
Ndërkohë, përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile kanë shprehur gatishmërinë për të dhënë kontributin e tyre në këtë proces duke e konsideruar si shumë të rëndësishëm. Ata, përveç që janë dakorduar dhe kanë konfirmuar propozimet e temave nga ZKA më tutje kanë propozuar tema të rëndësishme për tu konsideruar nga Auditorja e Përgjithshme nëse mund të përfshihen në planin e auditimit për sezonin 2022-2023 dhe kanë shprehur gatishmërinë e tyre të plotë për bashkëpunim. Ka pasur një pajtueshmëri të plotë nga ana e tyre për sa i përket nevojës që të rritet numri i auditimeve të performancës dhe që ZKA-ja të ketë mundësi të rris kapacitetet njerëzore në këtë aspekt. Fokus i veçantë nga ana e OSHC-ve ka qenë edhe niveli i zbatimit të rekomandimeve të të ZKA-së dhe masat e ndërmarra nga institucionet publike. Është theksuar se niveli aktual nuk është i kënaqshëm dhe se palët përgjegjëse duhet të bëjnë më shumë për adresimin e këtyre rekomandimeve të cilat drejtpërsëdrejti ndikojnë në përmirësimin e jetës se qytetarëve.
Me këtë rast Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka theksuar se pavarësisht kërkesave dhe interesimit qoftë nga Kuvendi, OShC-të dhe palët tjera të interesit që të rritet numri i auditimeve të performancës, aktualisht kjo është e pamundur për shkak të obligimit ligjor për të kryer auditime të rregullsisë në të gjitha organizatat buxhetore. Megjithatë, ZKA-ja angazhohet që në vazhdimësi t’i ofrojë Kuvendit dhe qytetarëve informacion objektiv dhe të pavarur për fusha të rëndësishme që kanë të bëjnë me menaxhimin e fondeve publike dhe mbi këtë bazë orienton edhe angazhimin edhe burimet e veta në dispozicion për të arritur më të mirën e mundshme, ka theksuar znj. Spanca.
Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, në përmbyllje të këtij dikutimi, pasi ka përmbledhur rezultatet e kësaj tryeze, ka vlerësuar se synimi i përbashkët dhe kryesor në këtë ngjarje dhe aktivitetet pasuese përkitazi më këtë është prioritizimi i temave të auditimit që janë të interesit më të lartë publik.
Të pranishmit janë dakordur që dialogu i ZKA-së dhe OSHC-ve të vazhdojë dhe të forcohet edhe më tutje përmes formave të ndryshme të bashkëpunimit.
Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës gjatë vitit 2022 i është nënshtruar procesit të vetëvlerësimit të performancës për vitet 2020-2021, për të ofruar një pasqyrë të saktë mbi ...
Përfitimet rreth metodologjisë së përbashkët kanë qenë temë e diskutimit në takimin e tretë rajonal në mes të Institucioneve Supreme të Auditimit të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë ...
Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, dhe Ud. Drejtorit të Departamentit për Çështje Juridike dhe kundër Mashtrimeve, Natyra Kasumaj Ahmeti, të premten kanë pritur në takim ...
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka qëndruar për vizitë zyrtare në Shqipëri, ku ka marrë pjesë në aktivitetet e organizuara në kuadër të shënimit të 98-vjetorit të themelimit të ...