Kthehu te lista
05 Shtator 2023

Menaxhmentet e larta të Institucioneve Supreme të Auditimit të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut diskutojnë si të avancojnë aftësitë për lidership

struga1

Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë (ZKAS) përgjatë periudhës 4 – 6 shtator 2023 në Strugë të Maqedonisë Veriore organizoi punëtori për udhëheqësit e lartë të tre Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA).

Menaxhmentet e larta nga Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës, Kontrolli i Lartë Shtetëror i Shqipërisë dhe Enti Shtetëror i Revizionit të Maqedonisë së Veriut nën udhëzimet e ekspertëve diskutuan dhe ndanë praktikat më të mira të lidershipit. Ata diskutuan tema që lidhen me krijimin e kulturës së gjithëpërfshirjes, me performancë të lartë në institucionet që drejtojnë, përmes menaxhimit të bazuar në rezultate ku udhëheqja dhe ndryshimi bëhen nëpërmjet strategjive, operacioneve dhe delegimit.

Punëtoria përfshiu leksione të ndryshme, shkëmbim përvojash, ushtrime, si dhe reflektime individuale dhe ekipore, me premisën e ngritjes së kapaciteteve dhe aftësive për të zbatuar ndryshimet e nevojshme dhe arritur zhvillimin e dëshiruar në Institucionet Supreme të Auditimit.

Krerët e tri institucioneve, zonja Vlora Spanca, Auditore e Përgjithshme e Kosovës, z. Arben Shehu, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë dhe z. Maksim Acevski, Auditor i Përgjithshëm i Maqedonisë së Veriut njëzëri deklaruan se në vazhdimësi angazhohen për krijimin e një kulture të shëndetshme organizative në mënyrë që të arrihen rezultatet e dëshiruara në punë.

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës zonja Spanca shprehu mirënjohjen e njëmendtë ndaj ZKAS-së për të qenurit partner kyç në rrugëtimin e ZKA-së drejt zhvillimit të denjë institucional me premisën finale të fuqizimit të institucionit tonë në përmbushjen e mandatit kushtetues dhe ligjor në linjë me standardet ndërkombëtare të auditimit.

“Sigurisht se përqëndrimi mbetet te zhvillimi i mëtejmë i institucionit, me vizionin e shndërrimit në institucion model dhe të besueshëm në sektorin publik. Për t’a përmbushur këtë, natyrisht se duhet zbatuar parime të larta etike dhe profesionale, të jemi lider gjithëpërfshirës dhe gjithnjë të vemi përpara interesin e qytetarit.” Ajo shtoi se në vazhdën e bashkëpunimit të gjatë e të frytshëm në fushën e menaxhimit dhe lidershipit tashmë solid, punëtoria që mblodhi menaxhmentet e të trija institucioneve supreme të auditimit për të ndarë përvojat në lëminë e kompetencave strategjike, ndërtimin e besimit dhe ngritjen e shkathtësive ndërpersonale dhe profesionale është më se e mirëpritur.

Të ngjashme