Kthehu te lista
22 Maj 2023

Misioni i FMN-së përgëzon ZKA-në për rritje të transparencës në përmbushjen e misionit të saj

Takimi me FMN - kryesore

Menaxhmenti i lartë i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) të hënën ka pritur në takim përfaqësuesit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), mision ky që është duke kryer Vlerësimin e Menaxhimit të Investimeve Publike si dhe atyre me fokus në klimë.

Në kuadër të këtij takimi Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorët e Përgjithshme, Emine Fazliu dhe Myrvete Gashi Morina, si dhe zyrtarë të tjerë kanë adresuar çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me rezultatet e auditimit karshi menaxhimit te fondeve publike. Menaxhmenti i ZKA-së para Ekipit të FMN-së të udhëhequr nga Zëvendës Shefja e Divizionit për Menaxhimin e Financave Publike në Departamentin për Çështje Fiskale në FMN znj. Michelle Stone, kanë ofruar informacionet dhe pikëpamjet e tyre në lidhje me çështje më rëndësi për të cilat delegacioni ishte i interesuar.

Me këtë rast përfaqësuesit janë informuar në detaje lidhur me një mori çështjesh, duke përfshirë auditimin e performancës, prokurimit publik, projektet kapitale, si dhe për projektet me ndikim klimatik.

Udhëheqësja e misionit nga FMN-ja ka përgëzuar Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës për arritjet në ngritjen e nivelit të transparencës në punën që kryen si dhe për veprimet e ndërmarra për sa i përket auditimit të fushave më rëndësi për qytetarët.

Delegacioni i FMN-së, përveç znj. Stone ishte i përbërë edhe nga ekonomistja e lartë brenda divizionit të njëjtë znj. Sage de Clerck, Këshilltarja Rezidente për Evropën Juglindore në FNM znj. Yasemin Hurcan si dhe ekspertët e pavarur z. Thomas Ekeli, z. Mr. Willie Du Preez dhe z. Taz Chaponda.

 

Të ngjashme