Kthehu te lista
29 Dhjetor 2022

Ndërtimi i shtëpive për të kthyerit në fokus të auditimit të ZKA-së

Economiciteti

– A po ndërtohen shtëpitë për të kthyerit me çmime të pranueshme dhe brenda afateve të planifikuara

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin me temën “Ekonomiciteti dhe efikasiteti në ndërtimin e shtëpive për të kthyerit”, i cili ka për qëllim të vlerësojë nëse Ministria për Komunitete dhe Kthim ka arritur të kontraktojë ndërtimin e shtëpive për të kthyerit me çmim të arsyeshëm, nëse ndërtimi është bërë brenda afateve kohore dhe sipas planit dhe limiteve buxhetore.

Subjekt i këtij auditimi është Ministria për Komunitete dhe Kthim (MKK) e cila zhvillon dhe menaxhon programe dhe mekanizma për të ndihmuar integrimin e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në kushte të barabarta, që aktualisht banojnë në Kosovë, si dhe për të siguruar kthimin e qëndrueshëm të të shpërngulurve dhe refugjatëve.

Gjatë viteve 2019-2022, nga buxheti i Republikës së Kosovës për banim janë shpenzuar afërsisht 20,5 milionë euro, ndërsa vetëm Ministria për Komunitete dhe Kthim ka shpenzuar rreth 7 milionë euro apo 35 % të këtij buxheti.

Fushëveprimi i auditimit “Ekonomiciteti dhe efikasiteti në ndërtimin e shtëpive për të kthyerit”, përfshinë periudhën 2019-2022 dhe kontratat e nënshkruara nga MKK gjatë kësaj periudhe, duke përfshirë vlerësimin e nevojave, zhvillimin e procedurave të prokurimit dhe menaxhimin e kontratave.

Janë gjithsej tri kontrata  në vlerë mbi 11 milionë euro, dhe për çështje të krahasimit të çmimeve do të trajtohen edhe shtatë kontrata të institucioneve tjera. Krahasime do të ketë edhe me çmimet e përcaktuara nga institucionet e  tjera.

Përmes këtij auditimi ZKA-ja synon të ofrojë rekomandime të rëndësishme për përmirësimin e  procesit të kontraktimit të ndërtimit të shtëpive në aspektin ekonomik dhe menaxhimit më të mirë.

Të ngjashme