Kthehu te lista
20 Shtator 2022

Përfaqësuesit e ZKA-së, pjesë e Konferencës “Young EUROSAI Stockholm 2022”

Foto kryesore konferenca

Nga 12 deri më 15 shtator 2022, përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, Ariana Gjonbalaj Shala – drejtoreshë e Departamentit të Auditimit të Performancës dhe Alban Beka – Auditor Financiar, kanë marrë pjesë në punimet katër ditore të Konferencës “Young EUROSAI”, e cila u mbajt në Stokholm, nën organizimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë. Kjo konferencë u dedikohet auditorëve të rinj nga të gjitha institucionet supreme të auditimit të Evropës dhe ka për qëllim shkëmbimin e ideve të reja si dhe gjetjen e qasjeve të reja për t’u zhvilluar brenda profesionit dhe punës audituese.

Këtë vit Konferenca ka trajtuar temën për kulturën eksperimentale, nga tri këndvështrime: profesioni i auditimit, kultura organizative dhe auditori individual.

Punimet e Konferencës, janë zhvilluar në mënyrë interaktive, ku pjesëmarrësit kanë luajtur një rol të rëndësishëm, meqë shkëmbimi i praktikave më të mira në kuadër të EUROSAI-t është një mënyrë e shkëlqyer për të nxitur ambicie të reja tek auditorët dhe për të frymëzuar ata që përmes auditimit të synojnë përmirësimin e proceseve, menaxhimit të mirë dhe transparencës në administratën publike të vendeve të tyre.

Aktivitetet e mbajtura nga përfaqësuesit e institucioneve supreme të auditimit kanë përfshirë prezantimin e ideve dhe mundësinë që përfaqësuesit e tjerë të provojnë diçka të re.

Në kuadër të diskutimit për temën “Si mund të kontribuojë organizata në një kulturë eksperimentale?” ka prezantuar edhe drejtoresha e Departamentit të Auditimit të Performancës në ZKA, Ariana Gjonbalaj Shala, së bashku me Frida Pemer – Profesor i Asociuar në Departamentin e Menaxhimit dhe Organizimit dhe Shtëpia e Inovacionit në SSE; Michael Henderson – Partner në Distillery, trajner në IDI Young Leadership Development Programme; si dhe Jan Pesl – Përfaqësues nga ISA e Norvegjisë.

Gjatë prezantimit në kuadër të këtij paneli përfaqësuesja e ZKA-së, Ariana Gjonbalaj Shala, ka folur për pjesën praktike, duke përshkruar zhvillimin historik të ZKA-së dhe mënyrën se si ka ndryshuar dhe avancuar  kultura organizative ndër vite. Po ashtu ky panel i është përgjigjur interesimit të audiencës dhe organizatorëve të konferencës, duke dhënë përgjigje për pyetjet e parashtruara.

Të pranishmit kanë vlerësuar se nga kjo konferencë, kanë përfituar njohuri të reja si dhe  kanë zgjeruar rrjetin e njohjes me auditorë evropianë, duke iu mundësuar kështu shkëmbimi i këshillave rreth sfidave të përbashkëta.

Të ngjashme