Kthehu te lista
07 Shtator 2022

Punonjësit e ZKA-së gjatë muajit shtator do të ndjekin një plan intensiv të trajnimeve për zhvillim profesional

trajnimi per auditor te rinje.jpg 1

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) vazhdon ta ketë prioritet zhvillimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale ku përmes planit vjetor të trajnimeve adreson nevojat dhe kërkesat e stafit për zhvillim profesional dhe avancim të njohurive. Prandaj, gjatë muajit shtator 2022 punonjësit e ZKA-së do të ndjekin një plan intensiv të trajnimeve të brendshme dhe të jashtme.

Me qëllim që auditorët të jenë të informuar dhe në hap me zhvillimet e fundit profesionale, plani i trajnimeve përmban tema të rëndësishme përmes të cilave zgjerohen njohuritë aktuale dhe eksplorohen praktika të reja për të kryer punën në mënyrë sa më efikase në zbatim të planeve të punës dhe standardeve ndërkombëtare të auditimit.

Një ndër temat me interes që është duke u mbajtur këtë javë është kursi për “Zhvillimin e Planeve Vjetore Operacionale dhe Planit për zbatim strategjik”. Po ashtu gjatë kësaj jave do të mbahet edhe trajnimi “Procesi i Auditimit dhe fazat e Auditimit”, si dhe trajnimi “Ndërtimi i strategjisë së përgjithshme të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë”.

Ndërsa në javën e dytë do të mbahet trajnimi “Shkrimi i qartë i raportit të Auditimit” përmes së cilit auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit do t’i avancojnë njohuritë në analiza më të thella dhe metodat kërkimore për teknikat e shkrimit të raporteve të auditimit në mënyrë që ato të jenë të shkruara me gjuhë të thjeshtë dhe të jenë miqësore ndaj lexuesit. Ky trajnim do të jetë interaktiv me shembuj praktik të raporteve të auditimit si dhe përmban edhe video materiale dhe detyra për auditorët. Gjithashtu gjatë kësaj jave do të mbahet edhe trajnimi “Kërkimet (researching) dhe metodologjia e auditimit”.

Në javën e tretë e muajit shtator do të ketë një serë trajnimesh të fokusuara në temat si: “Konfirmimet”, “Procesi i gjetjeve gjatë auditimit-ekzekutimi”, “Korniza e akteve ligjore në ZKA”, “Ndryshimet e SNISA-ve dhe zhvillimi i IFPP-së”, “Procesi i auditimit përmes SITA, me theks arkivimi i dokumenteve dhe dëshmive të auditimit”, “Mostrimi”, si dhe “Identifikimi i qartë i 3 E-ve gjatë procesit të parastudimit dhe auditimit”.

Auditorët e ZKA-së do të përmbyllin ciklin e aktivitetit trajnues me ndjekjen e trajnimit, “Menaxhimi i riskut”, “Materialiteti Cilësor në auditimin financiar dhe të pajtueshmërisë”, “Opinioni i auditimit në auditimin e pajtueshmërisë”, si dhe me trajnimin për auditimet e performancës “Të shkruarit e qartë, përdorimi i teknikave të gjuhës së thjeshtë, dhe struktura e raporteve të auditimit ”.

Trajnimet mbahen nga trajnerë profesionalë dhe ekspert me përvojë të ZKA-së, Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë, Iniciativës për Zhvillim të INTOSAI-t, dhe Shoqatave Profesionale për Kontabilitet dhe Auditim, dhe ofrohen vetëm për punonjësit e ZKA-së.

 

 

Të ngjashme