Kthehu te lista
02 Dhjetor 2022

Sistemet e Teknologjisë së Informacionit të KRU “Prishtina” do t’i nënshtrohen procesit të auditimit nga ZKA-ja

Komunikaa_redesign

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e teknologjisë së informacionit me temën “Sistemet e Informacionit në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” sh.a”. Qëllimi i këtij auditimi është të vlerësojë nëse menaxhmenti i ndërmarrjes sigurohet se burimet e Teknologjisë së Informacionit, mbështesin qëllimet dhe strategjinë e ndërmarrjes duke ofruar një mjedis efektiv për të ruajtur integritetin e të dhënave dhe vazhdimësinë e sistemeve të TI-së.

KRU-Prishtina ofron shërbimet e ujit dhe kanalizimit për komunën e Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit, Shtimes, Lipjanit, Podujevës, Drenasit dhe Graçanicës. Kjo kompani është ofruesi më i madh i shërbimit të ujit në Kosovë që ka të regjistruar 153,509 konsumatorë apo 37% nga totali i konsumatorëve në të gjithë Kosovën. Me qëllim të zhvillimit të veprimtarisë së kompanisë, arritjes së objektivave të saj dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarë, KRU Prishtina aplikon sistemet e teknologjisë së informacionit dhe investon në këtë fushë. Prandaj, përmes këtij auditimi ZKA-ja synon të ofrojë rekomandime relevante për KRU Prishtina, në mënyrë që të përmirësohet qeverisja, menaxhimi i TI-së dhe siguria e informacionit.

Fushëveprim i këtij auditimi do të mbuloj gjendjen aktuale të teknologjisë së informacionit në këtë ndërmarrje, me fokus në mekanizmat e vendosura nga strukturat udhëheqëse të ndërmarrjes për të menaxhuar burimet e TI-së. Për të vlerësuar nëse janë dizajnuar kontrollet e aplikacioneve në atë mënyrë që të sigurojnë se sistemet e informacionit në KRU Prishtina pranojnë vetëm të dhëna të vlefshme dhe të proceduara nga personeli i autorizuar, do të testohet gjendja aktuale e aplikacioneve si dhe do të verifikohen të dhënat e regjistruara gjatë viteve 2021- 2022.

Për më tepër ky është auditimi i parë paralel në mes të ZKA-së dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë (KLSH) në fushën e teknologjisë së informacionit, me ç’rast të dy institucionet supreme të auditimit do të auditojnë sistemet e teknologjisë së informacionit të ujësjellësve respektiv, në Tiranë dhe Prishtinë. Ekipet e auditimit në vazhdimësi do të komunikojnë dhe shkëmbejnë përvoja lidhur me këto auditime.

Të ngjashme