Kthehu te lista
13 Prill 2022

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm mori pjesë në dëgjimin publik lidhur me Projektligjin për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore

Lajmi per degjimin publik

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere (KBPT), të mërkurën ka mbajtur dëgjim publik lidhur me Projektligjin Nr.08/L-099 për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore. Në këtë dëgjim kanë marrë pjesë përfaqësues nga Ministria e Financave, Zyra Kombëtare e Auditimit, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, si dhe nga Banka Botërore.

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, ka ofruar komentet dhe sugjerimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) lidhur me Projektligjin për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore. Kontributi i Zyrës Kombëtare të Auditimit kishte për qëllim t’i ofroj ndihmë Kuvendit të Republikës së Kosovës për të avancuar rregullimin ligjor të kësaj fushe e cila ka një rëndësi të veçanët për rritjen e investimeve publike dhe përmirësimin e aspekteve infrastrukturore. Zëvendës Auditori i Përgjithshëm duke theksuar se kontributi i ZKA-së në këtë rast ka karakter të vullnetit të mirë këshillues, por jo edhe rekomandues, ka shprehur gatishmërinë e Auditores së Përgjithshme dhe ZKA-së për të vazhduar angazhimin e mëtëjmë në çështje të natyres së tillë.

Duke folur për rëndësinë dhe rregullativat e këtij projektligji, kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja, ka treguar se nga grupi punues u është bërë ftesë të gjitha institucioneve dhe grupeve të ndryshme të interesit që të marrin pjesë në dëgjimin publik.

Të pranishmit kanë dhënë kontributin e tyre me vërejtje dhe sugjerime në lidhje me nene të caktuara të projektligjit, me ç’rast kryetari Muja kërkoi nga ta që të gjitha propozimet e tyre t’i dërgojnë edhe me shkrim, në mënyrë që ato të merren parasysh gjatë fazave të ardhshme të shqyrtimit. 

Të ngjashme