Kthehu te lista
23 Shkurt 2023

ZKA-ja bëhet pjesë e Task Forcës së INTOSAI-t për përfshirjen e qytetarëve dhe shoqërisë civile në proceset e auditimit

ZKA Objekti

Task Forcës së INTOSAI-t për përfshirjen e qytetarëve dhe shoqërisë civile në proceset e  auditimit i është bashkuar edhe Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës. ZKA-ja duke qenë pjesë e kësaj Task Force do të pasurojë aktivitetet si dhe do të jap kontribut në arritjen e objektivave të saj.

Nëpërmjet një letre dërguar Auditores së Përgjithshme të Kosovës, Vlora Spanca, kryetari i Task Forcës së INTOSAI-t për përfshirjen e qytetarëve dhe shoqërisë civile në proceset e auditimit, njëherësh Auditor i Përgjithshëm i Perusë, Nelson Shack Yalta, ka mirëpritur anëtarësimin e ZKA-së në këtë mekanizëm. Ai ka riafirmuar angazhimin ndaj aktiviteteve, projekteve dhe nismave që do të realizohen duke thënë se me përfshirjen e ZKA-së në këtë task forcë do të arrihen rezultate të jashtëzakonshme të cilat do të jenë në dobi të sistemeve supreme të auditimit.

Ndërsa Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në letrën e saj ka falënderuar kryetarin e kësaj task force për mundësinë që ZKA-ja të jap kontributin e saj si dhe të dëshmojë se është një burim shtesë i mbështetjes në arritjen e synimeve.

“Jemi të nderuar që ZKA-ja është në mesin e institucioneve supreme të auditimit me mundësinë për t’iu përgjigjur në mënyrë të përshtatshme sfidave, pritshmërive dhe  rreziqeve. Në këtë mënyrë ofron një pasqyrë të pavarur dhe të paanshme që synon ndryshime të dobishme në sektorin publik”, është theksuar në letrën e znj. Spanca dërguar kryetarit të task forcës.

Task Forca ka për qëllim që të identifikojë dhe të ndajë praktikat e mira për pjesëmarrjen e qytetarëve dhe angazhimin e shoqërisë civile në punën e Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) duke bërë kështu që zëri i publikut të jetë edhe më shumë i përfshirë në proceset e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Për më tepër, Task Forca inicion dhe zhvillon nisma, mjete dhe qasje për të mbështetur zbatimin e praktikave të tilla të mira si një mjet për të promovuar vlerën dhe përfitimet e ISA-ve.

Të ngjashme