Kthehu te lista
13 Qershor 2022

ZKA-ja dhe KLSH-ja me auditim paralel në fushën e teknologjisë së informacionit

IMG_7063

Një delegacion i auditorëve të Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë (KLSH) në përbërje të znj. Elira Cukalla, z. Benard Haka dhe z. Blerim Shkurti kanë qëndruar për vizitë dyditore (më datën 9 dhe 10 qershor) në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës.

Qëllimi i kësaj vizite dhe takimeve të përbashkëta ishte diskutimi dhe dakordimi për realizimin e një auditimi paralel në fushën e Teknologjisë Informative për sistemet e informacionit të ujësjellësve në të dyja vendet.

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, së bashku me Zëvendës Auditorin e Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Ndihmës Auditoren e Përgjithshme, Myrvete Gashi, dhe drejtorin e Departamentit të Auditimit të Teknologjisë së Informacionit, Samir Zymberi,  i kanë mirëpritur auditorët e KLSH-së në një takim të veçantë.

Me këtë rast, znj. Spanca, ka falënderuar KLSH-në për bashkëpunimin e vazhdueshëm si dhe mbështetjen e dhënë për auditimet në fushën e teknologjisë së informacionit. Auditorja e Përgjithshme është shprehur optimiste se intensifikimi i bashkëpunimit në mes të ZKA-së dhe KLSH-së, do të jap rezultate në përafrimin e metodologjisë së auditimit mes dy institucioneve dhe do të luaj rol në përmirësimin e menaxhimit të sistemeve të informacionit për ujësjellësit. Rrjedhimisht, kjo do t’i kontribuojë agjendës së gjelbërt te të dyja vendeve.

“Mirëpres kryerjen e këtij auditimi paralel midis KLSH-së dhe ZKA-së në fushën e auditimit të TI-së në sistemet e informacionit në ujësjellësit e përzgjedhur nga të dy palët. Ky auditim do të jetë një mundësi jashtëzakonisht e mirë dhe fillim i mbarë për forcimin e bashkëpunimit tonë të frytshëm siç jemi dakorduar me homologun tim z. Arben Shehu gjatë vizitës time në KLSH dhe vizitës së tij në ZKA”, ka deklaruar Spanca.

Ekipet e auditimit nga të dyja institucionet, përgjatë dy ditëve kanë zhvilluar takime dhe sesione pune për shkëmbimin e ideve dhe përvojave rreth sistemeve të informacionit të përdorura në kompanitë e ujësjellësve në Kosovë dhe atyre në Shqipëri, me qëllim që këto të shërbejnë për vendosjen e fushëveprimit dhe objektives së auditimit si dhe harmonizimit të punës së mëtutjeshme.

Vizita është përmbyllur me dakordimin për planin e aktiviteteve të ardhshme dhe objektiven e auditimit paralel për sistemet e informacionit të ujësjellësve në të dy vendet.

 

Të ngjashme